Albspirit

Media/News/Publishing

Veledin Durmishi: Përmasa e tretë e Stefan Cvajgut

Rreth librit “Kastelio kundër Kalvinit ose Ndërgjegjja kundër dhunës”

Cvjagu, ky udhëtar që dikur la Vjenën, kryeqendrën e kulturës së kohës, dikur, kur Lufta e Dytë Botërore ishte në mesin e saj, u ndje dëshpërues dhe rrugën përpara e shihte gjithnjë e më afër një humnere. Lufta i solli valë zëmërimi e ai që shkruajti gjithnjë kundër saj, lëngoi gjatë për fatin e hebrenjve, bashkëatdhetarëve të tij, por lufta e degdisi në Brazilin e largët, ku u ndje gjithnjë e më afër fatalitetit të tij duke i dhënë fund jetës së bashku me bashkëshorten.

Me sytë e tij ai kishte mundur të depërtonte thellë qënies njerëzore, ta zhbironte atë e me ligjërimin e tij magjik mundi të të mbajë brenda rreshtave të rrëfimit të tij e ti mund të mbushesh me frymë vetëm kur të mbyllësh kapakun e librit, por jo të shikosh çmimin e tij. Nëse në një podium duhej të ngjitej një shkrimtar i prozës së shkurtër, sigurisht, pa mohuar edhe dikë tjetër, aty do të ngjitej i pari Stefan Cvajgu që me novelat e tij u bë një nga shkrimtarët më të pëlqyer në çdo cep të botës. E kjo është medalja e parë. Ai është i denjë edhe për një tjetër podium; në atë të jetëshkrimit. Pena e tij preku e ngriti në art dhjetra figura të larta të dijes njerëzore që nga Frojdi, Balzaku, Niçe, Kazanova, Tolstoi, Dostojevski, Mari Antuaneta, Rilken, Verlenin etj. Ishin  yjet e ndritshme të dijes njerëzore, të universit artistik që i rroku Cvajgu me penën e tij e guximi për  të shkruar për ta është prova më e qartë e madhështisë së penës së tij. Se lisi matet me lisat.

E ky është edhe podium i dytë ku ky shkrimtar ka shkëlqyer.

Kjo galeri e tërë figurash e larton emrin e Cvajgut dhe se po kalon 80 vjet nga ikja e tij, asnjë mëtonjës nuk po i afrohet dot atij podiumit. Por Stefan Cvajgu meritoka edhe një tjetër podium. Një libër i sapodalë nga shtypi, një libër ndër më të veçantët e llojit të tij, të mban të mbërthyer dhe  çdo lexues nuk do të nguronte e do t’i jepte Cvajgut edhe medaljen e tretë; atë të një analizuesi të hollë e brilant të një ngjarjeje që ai ka mundur ta nxjerrë nga mugëtira e Mesjetës, duke e sjellë në realitetin e sotshëm kur botën e kanë mbërthyer konflikte të mëdha religjioze.

“Kastelio kundër Kalvinit ose ndërgjegjja kundër dhunës”- ky është titulli i librit në fjalë. Sfondi i ngjarjeve  lëviz në disa qytete të Europës në shekullin  XVI, një shekull shembullor në dhunën e vet. Sa në Bazel e sa në Gjenevë. Ishin shekuj që lëngonin në mugëtirën e padijes edhe pse Rilindja po mbrunte në kontinentin plak idenë e lirive universale dhe zhvillime të vrullshme të letërsisë, pikturës, muzikës, teatrove.

Bazeli ishte kthyer në një qendër ku rrinin fshehur mjaftë dijetarë, ndërkohë që në Francë, Spanjë e në Vatikan shtypej mendimi i lirë. Njerëz të dijshëm, të guximshëm, të përndjekur nga kisha katolike e Romës apo edhe nga ata që vetëquheshin reformatorë e që në Evropë u njohën si protestantë, u strehuan në këto qytete; teologë me ambicje fetare, profesorë, gjithkush hiqej si zotërues fanatik i së  vërtetës,   dijetarë,  teoricienë, polemistë të fantaksur deri sa  dikush tha publikisht se “Edhe djalli është pjesë e substancës hyjnore”. Por ajo që ndezi gjakrat mes dy përfaqësuesve protagonistë të Cvajgut është djegja në turrën e druve e një heretiku spanjoll, një dijetari të shquar, me një mbiemër të veçantë Serveti. E libri polemist i Cvajgut paraqet imtësisht luftën mes katolicizmit dhe protestantëve; përkatësisht Sebastian Kastelio (1515- 1563) dhe Gjon Kalvin ( është thënë se ështe hebre, 1509-1564). Janë  dy njerëz me botëkuptime të ndryshme, me qasje të ndryshme politike, religjioze, të cilët deri në fund të jetës qëndronin gjithnjë me heshta të ngritura. Fanatizmi kundër humanizmit. Ndërsa Kastelio kërkonte lirinë e mendimit, lirinë e fjalës, Kalvini mendonte se shoqëria mund të eci nëse njeriut të saj i merret çdo mendim, çdo liri vetiake e për më tepër asgjë tjetër, por veç Bibla duhet të jetë e vetmja sunduese e jetës, zakoneve, fesë, libri i të gjitha dijeve. Despotizmi i Kalvinit kërkon të vrasë te njeriu çdo ndjenjë humanizmi duke mbjellë në kishat e tyre një terror despotik e duke e quajtur këdo që del kundër kësaj qasjeje si heretik e blasfemues e që turret e druve duhet të mbahen në çdo kohë të ndezura.

Inkuizicionin e mbante ende gjallë ndasia fetare, papajtueshmëria në themel të saj, kontradiktat që e kishin burimin në Vatikan e që kishin rebeluar edhe mjaftë klerikë të lartë gjermanë, deri te Martin Luteri. Forcat progresive kërkonin t’i tregonin botës se toleranca është një manifest që duhet të triumfojë, se diktaturat klerikale duhet të jenë tani larg autoriteteve kishtare, se ata që mendojnë ndryshe nuk duhet të jenë armiq të fesë katolike. Libri i Stefan Cvajgut sjell material të pasur historik, ai ka mundur të nxjerrë nga mugëtira e mesjetës dokumenta të shumta, duke ruajtur me besnikëri akrikibe autencitetin e tyre me referenca të shumta. Më poshtë shtohet vlera e këtij mjeshtri të fjalës. E kemi njohur Cvajgun si artist i fjalës, por në këtë libër ai është një analizues gjakftohtë që ka njohur saktësisht realitetin e asaj mugëtie, dhe sjell edhe pasazhe të tëra se sa ka ndikuar ajo periudhë disipline në hedhjen  e   themeleve   të shteteve evropiane.

Gjeneva, ku disiplina ishte e hekurt, por që kjo disiplinë filloi të japë edhe ndikimet e veta duke krijuar një standart të lartë   të jetës, një standart me liri fjale e tolerancë sunduese, sa shumë shtetas, jo zvicerianë, vizitonin Gjenevën duke e quajtur atë “Roma e re protestante”. Sundimi teokratik, edukimi spartan, disiplina e rreptë solli një toleranë që e zvetënoi individualizmin, forcoi autoritetin e pushtetit duke sjellë  një njeri shërbetor të shtetit, nëpunës korrekt dhe një qytetar të pranueshëm shoqërisht. Dhe Cvajgu këtu i referohet sociologut gjerman Maks Veberit (1864-1920) se bindjet absolute të doktrinës kalviniste e ndihmuan më tepër se gjithçka tjetër përgatitjen e vendeve të Evropës Perëndimore për të hyrë në sistemin kapitalist. Dhe Cjagu analizon gjendjen e Evropës; sikur pikëpamjet e para të kalvinizmit të ishin sunduese në Evropë, atëhere Evropa do të lëngonte gjatë nën një terror teologjik, jeta do të ishte shterpë,  por, për fatin e saj e të gjithë njerëzimit, në Evropë lindi një periudhë e artë, një frymë e re që solli në jetë  kolosët e mëdhenj  të zhvillimit shkencor, filozofik, kulturor me Gëten, Shekspirin, Hugoin, Bethovenin,   Molierin,   Mozartin,   Rembrantin,   Shellin,   Kantin,   Volterin,  këta  korifenj të mendimit njerëzor që, duke kërkuan ta ç’mistifikojnë dijen nga doktrinat e ngurta teologjike, e çliruan Evropën nga prangat e  fesë dhe i ndriçuan rrugën drejt një humanizmi jetësor.

Vërtet  te prirjet Kalviniste, që kishin  bazë  besimin e ngurtë biblik, ishte aq  e theksuar intoleranca, por,   vëren Cvajgu, me kalimin e viteve kjo intolerancë filloi të zbehej.  Dhe kundërshtitë, që për vite të tëra  nuk luanin nga llogoret e tyre, pak nga pak lëvizën dhe protestanizmi filloi të fitojë një veshje tjetër, tani atë të iluminizmit dhe kështu ekstremet u zbutën, qytetarët evropianë, që ishin lodhur nga grindjet aq të gjata të teologëve, të lodhur nga luftrat kishtare deri në djegje në turra drush, tani kërkonin pika të përbashkëta mes Kalvinit e Kastelios dhe mes tolerancës e religjionit. Së pari në Hollandë idetë e njohjes dhe përqafimit të tolerancës po ktheheshin në prirje qytetare e dita-ditës po fitonin qytetari, revolucioni francez i dha qytetarit lirinë e shprehjes e të besimit të barabartë mes qytetarëve, ndërsa shekulli tjetër u sundua nga idetë e lirive universale.

Si gjetkë e gjetkë, Stefan Cvajgu, edhe pse ka 80 vjet larguar nga kjo botë, ai me intuitën e vet, analizon edhe gjendjen e sotme, ku teatri i ngjarjeve e bën atë aq jetësor. Ai vëren se liria që njerëzimi e ka fituar pas shekuj e shekuj errësire, pas luftrash e luftrash, pas mijëra e mijëra viktimash, është një pasuri e shenjtë, por   mjerisht, shprehet Cvajgu, sot ende ka, madje më shumë po lindin, forca të errëta që nuk i gëzohen paqes së arritur, por   trazojnë ujëra, nxisin konflike, ushtrojnë dhunë, herë të nxitura nga forca religjioze e herë nga etjet për pasuri të cilat më i forti, më i madhi kërkon t’i marrë, t’i përfitojë dhunshëm; gjithnjë e gjithnjë do të gjendet një burim krize, konflikte që trazojnë botën, duke e mbajtur qytërimin në ankthin e një luftë që nuk është aq larg.

Please follow and like us: