Sejmen Gjokoli: DIMENSIONI ARTISTIK I RAHMI DERVISHAJ
Së pari Rahmi Dervishaj do ta takoja gati tri dekada të shkuara, më saktë në fundvitin 1996 kur me grupin “Bilbili” do të shkonim në Tiranë, në ditë çeljen e Shtëpisë Botuese “Dritëro” nga ku u promovua edhe libri titulluar “Shpirti i gjyshërve”, me këngë të popullit zgjedhur nga Dritëroi vetë.
Rahmiu atë kohë punonte si shofer me një minibuz të bardhë dhe gjatë gjithë rrugës jo vetëm që nuk u mërzit nga pritja por thuajse gjatë gjithë rrugës u përfshi në biseda për artin dhe letërsinë.
Folëm për Dritëronë, për Petro Markon po edhe për të tjerë shkrimtarë e poetë edhe përtej vendit.
Vonë do të mësoja se kjo bisedë, ky informacion apo njohuri mbi njerëz të letrave e krijimit nuk ishte rastësi.
Për Rahmiun ky dimension kulturor ishte pjesë e jetës së tij që, ashtu si mjeshtërinë e shoferit prej moshës 22 vjeçare, ashtu edhe dhuntia apo hobi prej fëminisë do ti shndrohej në mjeshtëri të fjalës po edhe penelit.
I mësuar në kurset e pikturës, bashkëkohës me piktorin e njohur Nestor Jonuzi, mbase vërtet nuk mundi të vazhdojë shkollën për tu bërë edhe ai piktor i dëgjuar po talenti i mbeti nën lëkurë e herë pas herë do bënte të vetin.
Vetëm pesmbëdhjetë vite do ta kishte të jatin në krah, aq e la kur ju nda nga jeta, më vonë jetën do ta çante vetë.
I jati pati punuar edhe dy vite më Ali Asllanin në Bashkinë e Vlorës kur liriku i Vajzës do të ishte kryetar i saj.
Këtë do t’ja thoshte edhe vetë poeti i Labërisë kur fare rastësisht, një vit përpara se të ndahej nga jeta, do ta takonte në kryeqytet.
Një takim që Rahmiu e tregon edhe sot me emocion të veçantë edhe pse prej at’here kanë kaluar plot gjashtëdhjetë e nëntë vjet.
Një jetë të tërë s’ju nda timonit siç nuk ju nda as pasionit për librin e as hobit për pikturë.
Me punë të nderëshme e me djersën e ballit në vitet e demokracisë do të ngrinte si me thonj një strukturë të vogël turistike aty ndanë rruge në Radhimë, aty ku rrethinat e qytetit kufizohen me njësinë administrative të Orikumit e ku më tej vijnë me radhë Radhima, Tragjasi, Orikumi e Dukati.
Çdo kush që kalon e ka në sy “Vila Rahmi Veli Dervishaj”, kështu e ka emërtuar duke mos e ndarë atë që i ka bërë kokën nga vehtja, porse brenda është më tepër se një vilë apo një strukturë akomoduese turistike.
Brenda të befason një mini muze familjar i cili vjen si trashëgimi mes fotove e dokumentave të afishuara ndërkohë që pikturat me autor të zotin e Vilës mbizotërojnë ambiente të tëra.
Disa të vendosura në faqe sallonesh, të tjerat të mbledhura, hequr prej ekspozitës së fundit.
Brenda modestisë të një piktori amator por të një artisti të vërtetë ky burrë i pa lodhur e i pa ndalshëm edhe pse ka pak muaj që ka nisur vitin e tetëdhjetë e dy të jetës të befason me artin e tij.
Një botë e tërë me ujin e detit kristal, me valët që herë hapen si palë fustanelle e herë si kreshta shkëmbenjsh të bardhë derdhur në telajo plot ngjyra.
Perëndimet e diellit janë magji më vehte mbasi nga këtu ku je mbi det trajektorja e rrugës së diellit bëhet e zjarrtë e ti e shikon deri sa “mbytet” përtej mezokanalit apo Sazanit.
Këtu, në raportin me detin e perëndimet, Rahmi Dervishaj i vilës mbi ujë është në ujrat e tij.
Specialistët e pikturës mund të falasin me detaje për këtë krijimtari pasionante të tij, të tjerët mjafton ti shikojnë e të mbeten të dehur nga koloriti i ngjyrave, nga peisazhet e lloj-llojshme që të mbushin me një gjëndje të paqtë estetike.
Rahmi Dervishaj ka kohë që jeton me artin e tij e gëzimin që të jep familja aty ndanë udhe, përmbi det.
Aty ku nga shkëmbi e rrëpira ky mjeshtër i punës, penelit e fjalës ngriti perandorinë e tij të artë të cilën e ndan me miq e shokë por edhe me vizitorë e turistë nga të katër anët e botës.
Ashtu si flamujtë kombëtarë që flladitin pa prerë aty në verandën e vilës në çdo orë, ditë e muaj të vitit…