Zana Tako: Portreti…
Me penel në dorë dhe me bojrat shumëngjyrëshe përpara vetes, mendonte si do e realizonte atë portret të gdhendur brenda kujtesës. Nuk donte të kishte përpara fotografi, veç ato pak kujtime të mbledhura në grusht. Shtrëngoi dorën si të kishte frikë se kujtimet i iknin, i fluturonin e nuk i zinte dot.
Vendosi telajon mbi skalet dhe zuri vend në karrige. Do realizonte një portret të vogël, aq sa i ofronin kujtimet brenda grushtit.
E nisi me njohjen… si e kishte parë për herë të parë… Fytyrë pak e ashpër, të cilën e zbusnin disi sytë. Formoi fytyrën, vetullat pak të trasha, mjekër disi e rrumbullakët…
Portreti po merrte formë ngadalë, duke i dhënë jetë çdo shqise të formuar nga kujtimet mbledhur brenda grushtit.
Pushoi për një çast dhe filloi ta kundronte me vëmendje. Copëzat e kujtimeve mblidheshin dhe shpërndaheshin brenda portretit. Fytyra fliste përmes heshtjes…
Përse? – i foli ajo ngadalë. Nuk dua përgjigje! – iu kthye sërish. – Di gjithçka, edhe pa më folur!
Psherëtitu thellë. “Përseja” i doli si ngërç i mbledhur në grykë. Donte ta nxirrte e të shpëtonte prej saj. Sytë e tij i flisnin, por ajo nuk donte të dëgjonte…
Hodhi pak bojë të kaltër dhe vizatoi qiellin. Sytë e tij i luteshin që ta dëgjonte, se kishte ende diçka të pathënë, por ajo vazhdonte t’i jepte qiellit ngjyra vezullimi… edhe pak… dhe ja… mbaroi… Portreti dukej i përplotë. Nuancat e kaltra i dhanë jetë, i dhanë shkëlqim, e mes atij shkëlqimi, dy pika lot të pabindur i lagen faqet. Dhimbja përmendi dhimbjen, por ajo nuk e donte më atë çpim zemre, atë therrje që dhemb pa gjetur shërim.
Nuancat e fundit të fytyrës ishin ngjyrat e tokës. Nuk e donte të zbehtë, por plot jetë. Peneli rrëshqiste lirshëm, sikur vallëzonte…
U ngrit nga karrigia dhe qëndroi përballë portretit. Kujtimet, besnike të shpirtit, e kishin bërë punën e tyre duke gdhendur brenda kujtesës jetë të gjallë, fytyrë të gjallë.
U tërhoq në këndin e saj. Mbushi një gotë me ujë dhe filloi ta pinte ngadalë. Ktheu edhe një herë kokën nga portreti. Ndjeu se liria po ia çmpinte mendimet e lodhura dhe të bëra ngërç.
Të nesërmen mori rrugën drejt ekspozitës që do të hapej së shpejti. Mikesha e saj e ngushtë e përqafoi duke e falenderuar për atë dhuratë të bukur. Ekspozitës do t’i shtohej një portret plot jetë, plot ngjyra, harmoni dhe finesë.
Nga këndi ku ishte vendosur, portreti i fliste me të gjitha shqisat. Hoqi kokën mënjanë dhe fshiu lehtë lotët që i rridhnin duke mos iu bindur lutjeve të saj.
Vendosi të largohej shpejt. Mikesha e pyeti teksa largohej nëse do të kthehej përsëri, por ajo buzëqeshi dhe iu përgjigj: Jo.. nuk mendoj se do të kthehem përsëri…
Doli nga dera qëndrore. Ajri i mbrëmjes e përkëdheli tek i fëshfëriste me fjalët… liria dhe brenga… trishtimi dhe dhimbja… dashuria dhe lëndimi… harresa dhe indiferenca… Litarët këputeshin një e nga një. Fjalët dhe gërmat shkëputeshin në liri. Veç një fjalë mbeti si fjongo në kujtesën e saj, dashuria, e cila as nuk mund të lidhej e as nuk mund të zgjidhej. Ngjyra e kuqe e saj i ngrohu zemrën, shpirtin.
Qëndro me mua, i foli lehtë. Pa ty nuk jetoj dot, dashuri që mbolle lirinë brenda shpirtit, liri që jeton me dashurinë!
23 nëntor 2024.