Irena Dragoti: Është fundjavë…
Rradha fërshëllen si tren me avull,
poshtë kazinosë “Greek Town”.
Lagjja përbri dehet me muzikë buzuqesh;
si gërhitje e fjetur keq…
Në semafor të njëjtat drita pulsante,
që duket sikur kërcejnë këngë vaji.
Një zë burri ringjall harpën nga brinjët e lodhura
për të dashurën e tij,
që braktisi gjysëm shekulli më parë,
në Athinë…
Ai përsërit ngjirur, të njëjtat vargje…
…pa përcjellë të plotë historinë;
unë vërtitem enigmash si në një konkurs
deri te vargu i dytë…
“Asnjë princ i kaltër nuk u nis për atdhe, –
thoshte kënga;
asnjë varr nuk mori trokun e kthimit”.
*
Buzët më avullojnë melodi Epiri,
në lagjen greke, këtu në Detroit.
Koha ngec aty , ku zgjedhim;
duke e ndjekur, mbetëm pa stacion;
Ëndrrash të reja lindëm shpresën
si një këshillë të pazë
veç malli si humbje na peshon…