Albspirit

Media/News/Publishing

Rotacion i qeverisë apo edhe i PS?

Lëvizjet e fundit politike janë shfaqje e qartë e krizës së koalicionit qeverisës dhe mbi këtë bazë, ato u përgjigjen perspektivave që kjo krizë krijon për të ardhmen. Këtë nuk mundet ta mohojnë tani as senatorët, as profesorët e PS-së, as kanabistët dhe as krenaristët, sa për të huazuar ca terma të krijuar rishtas.

Është ende herët për të perceptuar fitues dhe humbës, pasi ka ende rrugë për të bërë, por diskutimi nis që këtej: koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane dështoi dhe me gjasë ai rrezikon të mos arrijë dot as katër vitet e mandatit të plotë.

Një zhvillim me shumë rëndësi për këtë koniunkturë ku operohet është deklarimi i kreut të PD-së për mundësinë e përsëritjes së një koalicioni me LSI-në. Ndonëse nuk e ka thënë hapur, Lulzim Basha ka zyrtarizuar opsionin e një bashkëpunimi me partinë e Ilir Metës. Kjo ftesë e riciklon skenarin optimal për këtë të fundit si lojtar përcaktues dhe me një shkallë më shumë lirie se PS-ja që ka arkëtuar peshën më të madhe të përgjegjësisë së qeverisjes.

Por edhe për Lulzim Bashën momenti i ftesës, pas një bashkëpunimi për reformën në drejtësi, ka rëndësi, pasi ai ka zhbërë rezistencën e supozuar brenda partisë për një përsëritje të koalicionit të vitit 2009. Pas zgjedhjeve të vitit 2013, PD-ja dhe vetë Basha vlerësuan se qeverisja me LSI-në dëmtoi shumë, duke shpallur se përsëritja e një skenari të tillë nuk kishte gjasa të ndodhte. Fakt është se sot po ndodh e kundërta, ndërkohë që edhe kryeministri nuk ka dashur të lëshojë partnerin e vet kur ka përmendur kontratën katërvjeçare për të qeverisur.

Në fund do të jenë votuesit që do të vendosin, por këto kapërcime ylberike duhen mbajtur parasysh, edhe për të kuptuar sesa e pabesë tregohet politika në raport me moralin e një pjese qytetarësh dhe sesi ata që sot përfliten si ikona të ekuilibrit politik nuk e kanë për gjë të bëhen dekor i linjës zyrtare. Ishte PS-ja dhe Edi Rama që në vitin 2013 e ricikloi Ilir Metën dhe LSI-në me një pakt bashkëpunimi që pështjelloi shumëkënd. Sot, Servet Pëllumbi po i thotë bazës se “PS-ja fiton pa LSI-në”, gjithnjë me aludimin se pranë PS-së, kontrasti është i dukshëm e se e keqja e qeverisjes nuk është partia ku dikur bënte pjesë ai vetë.  Po kështu, disa herë është ftuar Rexhep Meidani për të zbutur pakënaqësitë, ndërkohë që sot përflitet si analist. Të gjitha akuza e lëvizje që kanë nxitur hapjen e derës nga PD, pra riciklimin në lojë të LSI-së.

Në fakt është e dukshme se përveçse ndryshimit të qeverisë në lojë është edhe një përpjekje për rotacion në PS, pasi ekipi drejtues jo vetëm që ka krijuar probleme, është i paaftë në mënyrë të parprecedentë, por e ka perspektivën e një politike krijuese dhe korrigjuese: ZERO. Këtë na provuan për 3 vite në krye të vendit. Dhe kësaj radhe vështirë se Statuti shërben si strehë, njësoj sikundër edhe zgjedhjet e preferuara, të kandidatëve që katapultohen nuk e kanë rrugën të shtruar.

 

Please follow and like us: