Alfons Zeneli: Toka ime!
Toka ime!
Tokë e çuditshme,
tokë prej lëkure.
Lëkure të lënë nga zvarritjet tona.
Tokë e mirë, zbukuruar me mort,
tokë e trishtë si kuqëlim qershish
kur vonon dashuria.
Tokë ters, pemë e zhveshur
që numëron erërat e mallkimit tonë.
Tokë beze, kostum, tanga,
tokë atletike firmato
që puth këmbët e territ.
Kur vjen fundi-
fundi yt tokë e yndyrshme,
govatë, legen, kazan.
Vlon teshat e palarat të kusarëve
zhyer me gjakun tënd.
Tokë hotel kambistësh, kanabistësh,
kanibalësh, ardhacakësh,
tufash të babëzitura, të trashura me mëkat
që kafshojnë lumenjtë, që pështyjnë krojet.
Tokë e qullur nga etja,
e etur për të vërteta.
Toka ime
e bërë dhé, ajër, fir
në agoni për shikim prej syri,
për një këngëz bime,
për një fjalë are.
*
Toka ime plakë,
o plakë e çmendur, flokëshprishur, e lënë…
eja e na spërkat me kujë mbi varre.