Robert Aliaj: Histeri turmash në një postim të rastësishëm të Parashqevi Simakut
Pse një postim i rastësishëm për Parashqevi Simakun provokoi histeri turrmash, rrjedhje adhurimi spontan dhe pseudogazetari?
Sepse në Shqipëri arti dhe kultura nuk ushqehen, janë të braktisura, sepse artistët u abandonuan në tekat e harresës dhe padijes, si pemë të thara në shkretëtirë.
Sepse shteti, politika, elitat, madje edhe shoqëria në përgjithësi, të gjithë ndajnë fajin në këtë kolaps të ngadaltë, pasi neglizhenca e tyre perverse ndaj artistëve dhe kontribuesve e ka bërë peizazhin kulturor shterpë dhe absurd.
Sepse vdekja e artit dhe kulturës në Shqipëri nuk është rastësi, por një tragjedi e ndërgjegjshme në mëshirën e fatit
Sepse, çfarë mund të thuash për një komb që kujtohet rastësisht për egzistencën e një vlere shpirtërore të braktisur, dhe reagon me zjarrin e një sulmi ataku të panikut sporadik, kaotik dhe të pakuptimtë?
Sepse shteti shqiptar e trajton kulturën më shumë si një relike dekorative sesa si themelin e shpirtit të kombit. Sepse financimi për iniciativat kulturore ose është inekzistent ose shpërdorohet në spektakle vulgare tallavaje që shkelin me këmbë artin autentik, janë armiq të identitetit kulturor të kombit shqiptar.
Sepse politikanët fshihen pas retorikave patriotike të verbëra ndaj gjendjes aktualish të vështirë të artit e kulturës.
Kur ishte hera e fundit që një personalitet politik apo i biznesit ka mbrojtur kauzën e letërsisë shqiptare, artit pamor apo muzikës klasike me diçka më shumë se sa një rëndomësi boshe?
Në vend të kësaj, arti është margjinalizuar duke u konsideruar si zbavitje dhe jo një investim.
Ndërkohë, institucionet kulturore të Shqipërisë shkërmoqen nën influencën korrupsionit dhe kulturës së ryshfeteve sa figurativisht, aq dhe me gjithë kuptimin e fjalës.
Sepse brezit të ri i mbetet vetëm një zgjedhje:
të përshtatet me mediokritetin ose të emigrojë në tokat e huaja ku talenti vlerësohet në të vërtetë.
Elitat: Gardianët e hiçit.
Elita shqiptare, gjoja kujdestare e dijes, shijes dhe sqimës, nuk kontribuon në asgjë tjetër përveç histerisë së rrjeteve sociale. Maksimumi ata organizojnë ndonjë mbledhje boshe burokratike që u shërben si mundësi për fotografi dhe selfie, duke injoruar kulturën dhe artin e vërtetë, motorin e ushqimit shpirtëror të vendit.
Sepse indiferenca e elitës ndaj ruajtjes së kulturës përputhet me obsesionin shqiptar të adhurimit pë të huajën dhe ekzotiken. Të jesh artist në Shqipëri do të thotë të jesh margjinal.
Të gjithë ne jemi bashkëfajtore.
Sepse turrmat kalojnë në histeri kolektive sa herë që ju përshtatet, me ndonjë fitore sportive të rralle, ku pseudo patriotizmi një-përdorimsh ju shpërthen si djersa në ballë, ndërkohë që “O sa mirë me qenë shqiptar” i bën të lumtur për aq sekonda sa kanë harruar që janë të palumtur.
Sepse është po e njëjta shoqëri kjo e sotmja, me atë që qan për artisten e harruar që ju kujtohet rastësisht nga një postim, është po ajo që pastaj kthehet dhe lavdëron nje vrasës, abuzues apo mizogjin histerik.
Sepse është po ajo shoqëri që fyen me shprehjet më çnjerëzore, që kërcënon jetën e kujtdo shqiptari në mbrojtje të idhujve të tyre huliganë të rrjeteve sociale apo rripave të telerealiteteve imorale televizive shqiptare.
Ndoshta akuza më e mallkuar e degradimit kulturor është amplifikimi i “muzikës b/anale” dhe glorifikimi i “tallava-kulturës” përmes festivaleve apo spektakleve pa asnjë përmbajtje origjinaliteti identitar shqiptar, pa asnjë lidhje me trashëgiminë tonë kulturore që sponsorizohen fuqishëm, edhe nga shteti bile.
Idolizimi i të huajve një tjetër mallkim. Statusi “i huaj” për ne shqiptarët vazhdon të jetë i mjaftueshëm për të eklipsuar vlerat dhe kontributin e talenteve vendase.
Një lutje për ringjallje.
Arti dhe Kultura janë dy arsye të mrekullueshme për të ruajtur dhe forcuar ndjenjën e përkatësisë të një populli.
Nëse Shqipëria do të ketë ndonjë shpresë për të shpëtuar identitetin e saj kulturor, ajo duhet së pari të pranojë dështimet e saj sistematike. Shteti duhet të investojë në infrastrukturën kulturore, jo vetëm si një mendim i mëvonshëm politik, por si një prioritet patriotik kombëtar.