Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Astrit Lulushi vjen me librin e ri enciklopedik “Udhë pa udhë”

Astrit Lulushi, një emër që e ndesha për herë të parë në portalin Alb- Spirit që drejtohet nga shkrimtari Çerçiz Loloci. Gjithnjë e më shpesh nisa të lexoja shkrimet e tij, që i gjeja ndryshe nga shkrimet e shumë autorëve te tjerë. I drejtëpërdrejtë, kërkues dhe hulumtues, përzgjedhës, i shkrirë nëpër filozofinë e jetës dhe historinë e popujve dhe individëve që kanë lënë gjurmë.

Dhe në fakt, libri i tij më i fundit, me titull “Udhë pa udhe” na flet për kulturën e tij të thellë, që si një kirurg i paepur bën ‘autopsinë’ letrare të kohëve të shkuara por merr në shqyrtim të drejtëpërdrejtë edhe shoqërinë e sotme duke e ndjekur atë ashtu sikurse thotë edhe titulli “Udhë pa udhë”, e hap pas hapi.

 Pena e tij e mprehtë gjykon dhe sjell mendimin e tij të përpunuar për t’ia bërë më të thjeshtë lexuesit hamendësimet, dyshimet dhe mëdyshjet. Nëpër penën e tij kalojnë udhëtarë të mëdhenj e poetë, shkencëtarë e filozofë, të tillë si Ajnshtajni, Aristoteli, Aleksandri i madh, Lenini, etj.

Astrit Lulushi është autor i shumë librave, por shquhet veçanërisht në gjininë e esesë. Disa prej librave të tij kanë qenë pretendentë për çmime apo kanë fituar çmime. Shumë e lëvruar prej autorit është edhe eseja politike, ku ai gjatë jetës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke punuar edhe si publicist ka dhënë kontributin më të mirë për të nxjerrë në pah mjaft probleme shoqërore të kohës duke e lidhur këtë edhe me Shqipërinë.

Ja se si shkruan ai duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj përdorimit të gjuhës që në esenë e parë e të shkurtër që hap librin:

“Pauza – gjuha bëhet alfabet i shthurur – kur hiqet mes fjalëve  dhe fjalive. Pauza është si distanca mes bimëvë të mbjella. Po të hiqet hapësira, çdo gjë i ngjan shkurres. Në kohë shpejtësie, në të folur, pauza hiqet për të dhënë sa më shumë në kohë sa më të shkurtër. Pauza është ajo që e bën dëgjimin dhe mendjen të  thithë. Në kronikat në radio vihet re mungesa e pauzës – pikës, presjes – që disa e quajnë ‘risi’. Nuk është. Gazetarët vihen në garë se kush të lexojë më shpejt.  Dixhitalizimi ka hyrë në metodat e regjistrimit, por njerëzit  janë të kursyer me pauzën që duhet. E heqin. Ata heqin pauzën mes fjalëve dhe fjalive, deri në pikën sa që bëhen  llomotitës. Si foshnjet. Lexojnë shpejt, por jo rrjedhshëm. Mjeti, për ta, justifikon qëllimin”.

Sot, me shtrirjen e gjerë në internet të njerëzve, duke u marrë me letërsi, ndjehet nxitimi për të shkruar e për t’u dukur dhe ai thotë se nuk e njohin pauzën. Pauza shpjegon gjithnjë Astrit Lulushi, është distanca nga njëra bimë e mbjellë tek tjetra. Nga momenti që kjo pauzë përcaktuese, kjo distancë zhduket, nuk kemi më bimë të kultivuara me kujdes por shkurre. E njëjta gjë ndodh dhe me gjuhën dhe përdorimin e saj.

Në shkrimet e tij te shumta, që i referohen botës antike, mbretërve, njerëzve të ndryshëm, përpiqet të sjellë pikpamjet e tij individuale të tërë këtyre proceseve që kanë ndodhur. Diku midis rreshtave të një shkrimi ai aludon edhe mbi ‘Big bangun’, duke e konsideruar se ai nuk ishte shtrirja e parë e kozmosit, se kozmosi ekzistonte edhe më parë, në forma të tjera. Thjesht ‘Bing bang’, ishte një shpërthim lëndësh të nxehta që me kalimin e kohes u ftohen dhe u krijua harta yjore dhe universet e sotme.

“Fjalët, shkruan autori në njërën prej eseve titulluar ‘Fuqia e fjalës’ janë të afta edhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë.  Ato mund të fitojnë luftëra ose t’i parandalojnë ato; mund  të japin ngushëllim përballë vështirësive dhe të frymëzojnë  të tjerët për bëma dhe zbulime të mëdha; mund t’i lirojnë  njerëzit, ose të paktën t’i vendosin në rrugën drejt lirisë”.

Mjaftojnë vetëm këto pak rreshta për të hapur një dritare të pafundme në shpjegimin e fuqisë së fjalës. Që autori me të drejtë i jep një vlerësim maksimal.

Ne njërën prej shkrimeve të shumta të tij, një studiues i zellshëm dhe i mirëplotësuar me informacion dhe dituri ai pyet “Kush e shkroi Biblën”, librin më të shitur e më të lexuar në botë?

Astrit Lulushi eshtë si një Zhyl Vern modern në kërkim të përgjigjeve të enigmave.

Për komunistët shprehet se ata kishin mendësi lufte edhe në kohë paqeje dhe nuk gabon. Ne fakt edhe tek ne gjatë gjithë kohës së komunizmit u jetua sikur te ishim në luftë.

Eseja “Nga erdhëm”, është gjithashtu një përsiatje e guximshme mbi evoluimin dhe jetën.

“Cila erdhi e para, pula apo veza?- shkruan autori. Nëse mendoni se ky është një problem filozofik, arsimimi juaj ka dështuar, por mos u ndjeni keq”.

Po koncepti i lumturisë, si duhet te interpretohet? A është gjithnjë i drejtë dhe a i përgjigjet ndërgjegjësimit dhe diturisë sonë?

“Ne kemi anketa statistikore – shkruan Astrit Lulushi, që tregojnë njërin ose tjetrin përfundim; se si britanikët modernë mund të dinë më shumë për ndonjë këngëtar, futbollist, ose mbretëror, sesa për Shekspirin. Edhe e kundërta mund të jetë e vërtetë. Nëse ndonjë thotë se mund të kuptojë Aristotelin dhe Platonin, mund të ketë të tjerë që thonë jo. Kjo nuk duhet të çudisë. Më kujtohet një fshatar që jetonte në thellësi të vendit, i cili. nuk e dinte se kush ishte Skënderbeu, jo më udhëqësit moderne. Jeta e tij ishte përqëndruar në dhi e dele dhe askënd tjetër. Dhe jetonte me lumturinë e tij”.

Autori ynë lexon me kujdes gjithçka dhe mban shënime. Me interesin më të madh. I pasionuar dhe i tërhequr mbas zinxhirit të koklavitur jetësor. Dyshues. Hamendësues. Dikush që ka sigurisht dēshirë të thotë fjalën e vet. Të jetë pjesë e integruar e universit.

Në këtë libër të bukur dhe të veçantë, kënaqësia e të gjithë atyre që pëmbajtja dhe dituria e eseve i josh, autori e ka ndërtuar librin e tij në bazë të rendit analfabetit. Fillon me esetë që titujt nisin me gërmën A, gjer tek germa P, si përshembull, “Pse jemi?”,” Pse u vra Cezari”?, etj.

Si përfundim, vepra e këtij shkrimtari është e gjithanshme dhe kozmopolite! Shtrirja e saj në kohe, ngjarje e personazhe, është e pafundme. Kjo e bën Astrit Lulushin një shkrimtar interesant dhe të respektuar.

Savona, maj 2024.

Please follow and like us: