EMISIONE DHE PROGRAME TELEVIZIVE QË PRODHOJNË DEPRESION NË JETËN NJERËZORE
Zana Tako
Dikur morali njihej si vlerë, ndërsa sot antimorali bëhet vlerë e dëshiruar nga ata që kërkojnë të mbijetojnë brenda kaosit që shkakton vetë antivlera, antiligji, antimorali në shoqëri.
Degradimi ka marrë udhë, duke u shfaqur si ndihmë e nevojshme për të shpëtuar jetesën e atyre që ndryshe nga vlera e moralit, degradimin e shohin si rrugë shpëtimi dhe të lehtë për të arritur atë që kërkojnë dhe dëshirojnë.
Mungesa e dijes është tepër e lartë, mungesa e vlerës për jetën është e frikshme, mungesa mbi ekzistencën se Zotit që shpëton shpirtin është e pafalshme, e të gjitha këto ndërthurin atë që e kemi të shenjtë, besimin tek dashuria që shpëton jetë, besimin tek vlera njerëzore që e zbukuron jetën, besimin tek urtia dhe paqja e shpirtit që e fisnikëron shpirtin, besimin tek ligji i krijuesit që furnizon qenien njerëzore me gjithçka që i duhet për të marrë forcë dhe dinjitet në rrugën e jetës dhe në bashkëjetesë.
Jeta njerëzore humbet kur nuk di ta jetosh atë. Njeriu mendon se fiton duke u shthurrur. Shthurrja e vlerës prish kontrollin, zbraz karakterin e njeriut, ngadalëson arsyetimin e shëndoshë, shfaq anë depresive të dukshme me anë të sjelljeve të pakontrolluara nga shëndeti mendor, krahasim i dukshëm dhe i qartë kur sheh brenda kulturës pasqyrimin e kësaj shthurrjeje, e cila e zhvesh dhe e le njeriun cullak në sy të vëmendjes njerëzore.
Të luash spektakël me dinjitetin njerëzor, me karakterin njerëzor, me vlerën njerëzore, duke abuzuar në emër të mbijetesës njerëzore, do të thotë, se njeriu është vënë me shpatulla pas murit për t’i marrë inteligjencën, mençurinë, paqen, durimin, forcën, të cilat i përvetëson antimorali, antivlera, e cila të ka gënjyer me gjuhë të mbrapshtë në emër të gjoja “rezistencës dhe fitimit të karakterit të fortë dhe të qëndrueshëm.” Por ndaj kujt? Ndaj vlerës dhe moralit njerëzor!
Të shthurresh duke argëtuar, të manipulohesh duke argëtuar, të ulërish për të argëtuar, të vesh në lojë ndjenjat njerëzore për të argëtuar, nuk është gjë tjetër, veçse hipokrizia më e shëmtuar ku luajnë lojë të dyfishtë antivlera me antimoralin brenda gjirit të shoqërisë, duke përhapur aromë depresive që ushqejnë mendje të sëmura me kotësinë që nuk prodhon asgjë të shëndetshme.
E kundërta e antivlerës dhe e antimoralit është vlera njerëzore brenda ligjit dhe moralit njerëzor, brenda ligjeve ku njeriu mëson dhe pushon në paqe, ku shpirti ushqehet me mirësinë dhe e rrezaton atë kudo në jetën e përditshme.
Morali askurrë nuk prodhon depresion dhe sëmundje mendore, përkundrazi, ruan dhe ushqen mendje të shëndoshë për të përballuar shëndetshëm sfidat e jetës.
Nëse bota po shkon drejt kaosit dhe shpërbërjes së intelektit njerëzor, është kjo mënyrë jetese, e cila katapulton rregullat e saj brenda jetës njerëzore për të asgjësuar ndjenjën që ushqen shpirtin e njeriut.
Ndjenja e njeriut është sa e brishtë aq edhe delikate. Ndjenja furnizon në mënyrë të shëndetshme shpirtin brenda moralit. Por e kundërta ndodh me antimoralin. Një ndjenjë që vritet nga antivlera është e destinuar të vrasë edhe shpirtin e njeriut. Kjo mënyrë jetese dhe kjo mënyrë edukimi është vrastare për jetën njerëzore. Kush ka sy le të shikojë e kush ka veshë le të dëgjojë!
Rritni fëmijë të shëndetshëm, larg tundimit për të ndjekur antivlerën! Mbani dhe ushqeni pastër mendjen, trupin dhe shpirtin! Të marrët do të thonë: “Po ky, përse nuk është i marrë si ne?” Por Zoti kujdeset për çdo dele të tufës së tij. Mos harroni, se ujqërit nuk e kursejnë prenë e tyre në kohë urie. E kjo kohë e urisë së antizotit, gllabëron gjithkënd që nuk e sheh gropën ku do të bjerë!
Kërkojeni dritën dhe ajo nuk do ta kursejë shkëlqimin e saj mbi gjithkënd që e kërkon atë brenda errësirës ku ndodhet!
20 Janar 2025.