Albspirit

Media/News/Publishing

Meditime rreth librit “Dita e Verës shqiptare” të doktor Lutfi Alia

Prof. Vaso Qano

Dita e Verës! Këto dy fjalë janë shumë të dashura për breza të tërë shqiptarësh, duke filluar nga thellësia e shekujve, madje vazhdojnë të jenë po aq të dashura dhe në ditët e sotme. Ardhja e pranverës pritet me shumë gëzim nga të gjithë dhe kështu ka ndodhur ndërmote. Pranvera shpreh ripërtritje në kuptimin më të gjërë të fjalës, andaj populli, me të drejtë, e ka veçuar momentin e ndarjes nga dimri dhe ardhjes së pranverës dhe për kremtuar këtë ndryshim, ka krijuar një festë me të vërtetë të bukur mbarëshqiptare.

Populli ynë, me gjenialitetin kulturor, ndër shekuj ka ngritur shumë monumente, prej guri, prej druri, vepra arti dhe të thurura me fjalë, por një monument i veçantë kulture është pikërisht festa Dita e Verës. Ajo nuk është vetëm një datë e rëndësishme kalendari, por ka vlerat e një monumenti kulture, kur mendojmë madhështinë e festimeve dhe mesazhet e kësaj feste të bukur. Këto janë arsyet dhe faktet, që kjo vepër e artit popullor i ka rezistuar kohëve dhe bëhet festa më e vyera dhe më e bukur mbarëshqiptare.

Kur miku im i kahershëm dhe i shtrenjtë Lutfi Alia më nderoi duke më kërkuar të shkruaj parathënien për studimin e tij të çmuar, përveç përgjegjësisë dhe vlerësimit, natyrshëm u ngjallën shumë kujtime të fëminisë e të rinisë tonë, kujtime që rrinin fshehur, por të përfshira në kujtesë dhe që u ripërtrinë me gjithë bukurinë e tyre. Ritet e bukura të kësaj dite, para, gjatë dhe pas kësaj feste, kanë mbetur në mendjet tona si ditët ndër më të bukurat të jetëve tona të thjeshta. Bukuria, korrektesa dhe serjoziteti me të cilat ndiqeshin të gjitha fazat e festës, tregojnë për një traditë të lashtë dhe të konsoliduar në jetën e popullit tonë.

Në Elbasan, Rrapi i Mansit është vendi i peligrinazhit popullor, është lëndina e piknikut ku shkojnë të gjithë për të festuar së bashku Ditën e Verës. Vizitat herët në mëngjes e fëmijëve dhe e familjeve që “bëjnë Kamë”, ishte riti i parë i 14 marsit, ditës festive të verës. Gatimet tradicionale dhe ballokumet – ëmbëlsira tipike, lulet e pranverës, menekshet dhe karakaftet, lojrat me zare e me arra, vizitat dhe pikniku madhështor, e kanë bërë këtë ditë të veçantë dhe të paharruar për të vegjëlit, për rininë dhe të rriturit. Është një vlerë e mrekullueshme, që kjo traditë shekullor vazhdon dhe është po aq madhështore, madje vazhdon të studiohet dhe të hulumtohet dhe në ditët e sotme.

Studimi i Lutfi Alia, që i paraqitet lexuesve me këtë vepër, i drejtohet një rrethi të gjërë dhe është vërtetë një studim serjoz, dinjitoz dhe i trajtuar mbi baza shkencore të mirëfillta. Ky libër është në vazhdën e punimeve dhe studimeve të tjera po aq dinjitoze të Lutfi Alia, i cili nuk kufizohet në studimet dhe me botimet vetëm në shkencat mjekësore, por si studiues erudit, kërkues dhe këmbëngulës, ka dhënë ndihmesë të madhe në shumë lëmi të tjera si të historisë, estetikës, etnografisë, publicistikës dhe të besimeve fetare. Të gjitha këto punime dhe kontribute, lidhen me një aspekt të përbashkët, me dashurinë e flakët për atdheun dhe kombin tonë të lashtë, i cili ka dhënë ndihmesën e vet të shquar në shekuj, në zhvillimin e historisë dhe të kulturës së përbashkët europiane.

I uroj librit të ri rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm, të arrijë në duart e çdo shqiptari dhe jo vetëm, por të pasohet me studime, punime dhe me vepra të tjera, që di t’i bëjë mirë vetëm Ai, autori i këtij libri dhe miku ynë i mirë, Lutfi Alia.

Please follow and like us: