Mbi vëllimin poetik “Kërkoj të zbuloj një shkëlqim” të Rifat Ismaili
Mimoza Agastra
Mall, jetë dhe dashuri, ky vëllim poetik i mikut dhe poetit shumëdimensional Rifat Ismaili, i cili shprehet:
“Ka ardhur koha, ndoshta
Të kthehem në shtëpinë e vjetër
Mes librave prapë të fshihem
T’u marr erë kujtimeve të hershme…”.
“Ndjenja të befta”, poezia e cila të befason në pak vargje me nostalgjinë e poetit “për aromën e shtëpisë”, i cili mbytet nga kujtimet, ëndrrat, ndjenjat e një jete në mërgim. Përsiatja e tij mban emrin kujtesë, por dhe meditim.
“Nganjëherë më duket se jetoj
në ishullin e Robinsonit
Pa gruan, pa librat, pa pije
Për grua, kam gjinjtë e dallgëve
Për libra, kam fletët e pemëve”.
Vetmia e tij, siç mban edhe titullin poezia sa më lart, është e shenjtë, nuk është “idhnake”, siç rëndom është kjo ndjesi që vret, gënjen dhe plagos shpirtrat e lënë në arratisje. Vetmia e tij është “uri” për t’u kompensuar e për t’u bërë njësh me natyrën. Lexon dhe memoria skalit elementë të veçantë e shumë prezent në të.
Deti, psh, është një element trazues shpirtëror i poetit, i cili shpesh herë në krijimtarinë e tij zbukuron vargjet si për të na treguar e besuar se ai vjen pikërisht prej tij.
Vjen në ditët tona si një Poseidon, i cili me karrocën e tij të artë, udhëton mbi dallgë e stuhi e gjithmonë lë pas pasuri të rralla, si ato që vijnë nga thellësia e oqeaneve: të rralla e të kristalta, si vetë perlat.
Që në nisje të vëllimit poetik deti e vesh me pushtet penën e poetit, i jep nga e vetja përjetësi, grindë, thellësi e freski. Mjaft të kujtojmë këtu disa tituj: “Rrethuar nga deti”, “Humbje”, “Udhëtim në Venecia”, “Deti në dimër”, “Pranë luftës”, janë poezitë që stolisin kurorën e Poseidonit tonë, i cili pasi del nga “ deti” i tij shkon drejt folesë së ndjenjave, aty ku përqafohet e mira me të keqen, aty ku shkëndijat bëhen zjarr, aty ku dashuria merr mijëra forma, aty ku urrejtja s’ ka vend, aty ku gëzimi ngazëllen , aty ku e vërteta qëndron krenare, pikërisht në zemrën e rrethuar të poetit ku hera- herës, nuk ndihet i sigurtë për asgjë dhe rend e rend pas gjetjes së gëzimit që një i dashuruar me jetën me poezinë, me librat, me natyrën, rropatet deri në idealizim, deri në gëzim:
“E gjej gëzimin
Në këngët e vjetra
Në diellin që e kam mik
Dhe në qiellin e natës…”.
Një eremit që qiellin e ajrin e bën muzë të shpirtit, si për t’u binjakëzuar me lartësinë e dlirësinë e tij, për të rrokur mendimet në” ëndrrat kafshuar”e për tu prehur heshtazi në “ pafajsinë e tij” të qielltë siç thotë edhe poezia e tij:
“dhe si fëmijë
kërkojmë pafajsinë
te gjithçka
kemi bërë”.
Rend e kërkon poeti ynë, si një maratonomak drejt të vërtetës.
“Secili do të vërtetën e tij” për të përndritur jetën, thotë poeti, në poezinë e tij me të njëjtin titull, ku dashuria i shkrihet në sytë e njerëzve- shprehet vetë ai.
Po çfarë kërkon vazhdimisht poeti ynë kur kohës i ngre kurthet e tij? Dhe ai përgjigjet me vargjet:
“E huaja
E panjohura
E fshehura
Janë kërkimi im”.
Duke qenë i tillë, ai vërteton edhe njëherë filozofinë e mendimit të tij, i cili buron dije të ndërthurur me art në poezi.
“Të rrëmbesh poezinë skutave të jetës”, është njëri prej kapitujve të këtij vëllimi poetik që mirëfilli unë do ta përngjasoja me psalmet e Biblës. Në këtë kapitull flet me shpirtin e shtrydhur nga mendimi që kërkon poezia:
“Ndonjëherë vargjet
I thërret e s’vijnë
Ndonjëherë vargjet
Burojnë vetë
Ndonjëherë vargjet janë si të paralizuar
Ndonjëherë vargjet gugasin si pëllumbat”.
Sa e dlirë muza e tij që buron poezi dhe e drejton atë atje ku ajo vallëzon me shkronjat:
“Trupi mu mbulua me re e shkronja
Dhe muza më puthi me afsh
Një shi i beftë më lagu kujtimet
U ktheva në letër të bardhë”…
Në një letër ku ka vend për të gjithë fantazitë e tij ku më e mistershmja dhe më e hyjnorja është emri grua:
“Të thuash grua
Thua sa ç’thonë gjithë ujërat…
Të thuash grua
Me një fjalë të vetme vret
Tërë xhelatët e heshtjes….
Të thuash grua
Nuk mjaftojnë të gjitha gjuhët e botës
Të thuash grua
Thua fjalën jetë…”.
Ky është poeti “Yll mëngjesi”.
Andrra e rizgjimit.
Poeti është vesa që e përkëdhel…
Poeti është fjalë, tingull.
Poeti Rifat Ismaili është shpirti që vlon dhe punon kohë pa kohë, siç është titulli tjetër i një prej kapitujve të këtij vëllimi ku ai na shprehet:
“Nuk kam kohë të merrem me veten
Nuk kam kohë as të ngjyros me penela qiellin
Nuk kam kohë të pastroj ndërgjegjen…”.
E madje ai shqetësohet se çdo të ndodhë kur ai të mos jetë më.
Vallë bota do të jetë njësoj
E megjithatë shpresa vdes e fundit në krahë resh
Dhe unë rroj përherë me gëzim e shpresë
Shpresa ime ka zërin e dhimbur të nënës
Dhe të gruas që në mëngjes më bën kafenë…”.
Optimizmi i tij e vesh me dehje e me dashuri të tillë, sa të bën të mendosh që ky vëllim poetik ka një panoramë të jetës, të dukurive, të personazheve, të emocioneve, të prindërimit, të dhimbjes, të gëzimit.
Teksa e shfleton të duket sikur jeta jote të kalon para syve, e ajo të jetohet ndër rrjeshtat e tij. Sheh dëshirat e shprehura e të pashprehura, sheh jetën në shumë dimensione, sheh dedikimet ndaj fëmijëve, falenderimet për sakrificat ndaj familjes, sheh dhe lexon ajsbergun e nëndërgjegjes së tij.
Sa shumë ka ende për të thënë poeti ynë!
E ndjej gjithnjë e më shumë, teksa pa frymë e përthith vargun e tij. Pulson zemra ndryshe si vetë tematikat e përzgjedhura me aq elokuencë e vërtetësi si për të na thënë: “Kjo është pasuria ime”, testamenti im. Dëshiron dhe dashuron marrëzisht si një eksplorator vendesh, risish, i etur t’ u marrë atyre kajmakun, të dehet e të jetojë qiellit skaj më skaj. (Poezia ‘Kam dëshirë’), si dhe të shijojë ndjesinë më të bukur që një baba përjeton gjatë artit të tij të prindërimit.
Poezia “Ti bijë”, dedikuar Melisës, të përhumb me metaforat e përdorura, ndoshta është magjia e vetndjesisë si baba për herë të parë, i cili e personifikon shënjtërisht të bijën si një libër që e shfleton për çdo ditë. Dukshëm në të, shpreh dy dashuritë e tij ngushtësisht të lidhura, që e bëjnë atë të frymojë çdo ditë.
“Më mbulove me shira gëzimesh”, varg ky që shpreh jo vetëm dëshirën, por duket sikur e ledhaton edhe sakrificën prindërore gjatë rritjes duke e thirrur atë si gëzim, për të përsosur kështu veten siç ai edhe shprehet:
“Ndreqa dhe përsosa vetveten…
Baba u ndjeva”!
Prindërimi, duket se i ka veshur petkun e ëngjëllit mbrojtës dhe të figurës së Gurusë, i cili i hap sytë e ndriçon të bijën me këshillat e tij, mençurinë e tij:
“Bija ime
Mbaje jetën gjithnjë në sy
Dhe kurrë mos e kthe shpinën
Luaj me jetën lojë të ndershme
Përballo intriga e duele…”.
Një “Guru Baba”, që e mëson të bijën ta shohë e ta përballë jetën me forcë, optimizëm e racionalitet, e mandej i tregon që bota që ajo duhet të krijojë duhet të jetë kudo:
“Fluturo si shqiponjë nga njëri qiell në tjetrin”.
Pra, ai porosit dhe e përgatit të bijën për jetën globale, jetën që i përket ndryshimeve të mëdha social- ekonomike.
Dukshëm lexohet në të dyja poezitë dedikuar të bijave, pjekuria emocionale prindërore.
“Bijes sime Luana” , tashmë i drejtohet jo më si një Guru, por si një baba i maturuar, i cili do t’i marrë ledhet dhe ëmbëlsinë, pas sigurisë që fitoi si baba. Tashmë ai e di që prindërimi si një formë arti, është një disiplinë që të rrit bashkë me fëmijën, të zhduk pasiguritë, të bën të jetosh, mes ëmbëlsisë që vetëm fëmija e sjell me vete si eliksir jete.
“Të të shikoj nuk kam të ngopur
Tani që gjallë unë ende jam
Si magjistar i heshtur, i palodhur
Dua të ta mbush jetën me gjithçka”.
Garoj me emocionet me një galop që rrallë në vëllimet me poezi më ndodh. Zakonisht e shfletoj, ndalem diku, e metabolizoj, e pastaj e mbyll për ta shfletuar në një tjetër moment, por ky vëllim më përpiu, sa nga përmbajtja, stili, metaforat, pasuria gjuhësore aq edhe nga struktura.
“Zërat e gëzimit dhe të dhimbjes” është një tjetër kapitull ku poeti lëvdon jetën në të gjitha dimensionet e njohura e të panjohura, i thur himn jetës, virtytit, moralit.
“Ti falesh si shenjt, mbrëmjes në perëndim
Që ditën e jetove si njeri dhe me nder
Edhe çastit të vogël të jetës
ti bësh himn
për askënd të mos fryhesh me zili dhe vrer…”.
Dhe dialogu me zërin e brendshëm s’mund të mungojë te poeti. Ai është gjithmonë aty, e zgjon, e përkund në ëndërrime, e qorton, e frymëzon, e më pas e kuriozon për të prekur të padukshmen nga të tjerët.
“Ç’të jetë ky zë që rrugës më përhumb?
Pasqyrën e shpirtit thërrmon në mijëra reflektime
Më ysht, dylufton me mua dhe më mund
Më lehtë e më shpejt se drita e një vetëtime…” .
Për t’u dehur me jetën siç titullohet edhe poezia e tij “Dehem me jetën”:
“Luaj symbyllur me mjergullën
Dehem me jetën…
Në maja pemësh, si gjethe
Le dëshirat dhe veten”.
Si një poet që artit i ka bërë vend, shpalos për ato që ia njohin botën e tij dhe pikturën si element në poezi. Shpesh herë, përtej modestisë karakterizuese të tij, një lexues i vëmendshëm, apo i familjarizuar me poetin tonë arrin të gjejë ndër rrjeshta dhe pasionet e tij që vargëzohen.
Piktura dhe poeti Rifat Ismaili, kanë një lidhje shumë të fshehtë bashkë. Ndonjëherë ai bën poezi duke pikturuar, ose anasjelltas. Dashuria për artin pamor atij i qëndron heshtazi në lëkurë e kjo duket edhe në videopoezitë e tij, në gjetjet figurative e në përqasjet e teksit me figurën duke prodhuar një pikturë ndjenjash në sy e në zemër
Ai komunikon përmes imazhit me ne siç ndodh dhe me poezinë: “Piktori”
Dhe vijmë në poezinë e fundit të përzgjedhur modestisht në përmbyllje të veprës, por edhe strategjikisht prej tij të titulluar “Të duash veten dhe të tjerët”.
Altruizmi i tij spikatës edhe në letërsi, duke u bërë iniciator e propagandues i poetëve të tjerë kolegë në formën e përfshirjes përmes antologjive apo revistave si edhe edukimi e trajnimi i më të rinjve në letërsi duke ushqyer te ata vetbesimin, si edhe duke mos lënë mënjanë përpjekjet e tij të shumanshme te gjithë zhanret e letërsisë e kthen atë në një personazh kult, ndonëse ai gjithmonë kërkon nga vetja:
“Ç’të jem unë vallë?- pyeta veten
Ëndërr e shkruar, njeriu, e ardhmja që thërret?
Pasqyra e shpirtit, të vërtetën ma fshehu
Befas, një zë qiellor më thërret
Ti je arsyeja, pse unë prapë jam
Pa ty asgjë s’do kishte kuptim
Në mendjen tënde rikrijohet gjithësia
Ushqehet me zjarr, intelekti im”.
Një tjetër mësim i vyer prej tij si një urë lidhëse mes vetes dhe botës që na rrethon, vjen kjo strofë ku i jep fund krizës së pavetëdijes “Kush jam unë”?
Sa më i formuar të jesh, aq më shumë skeptik je, dhe si i tillë edhe poeti ynë na jep mesazhin:
“Të duash veten nuk është mëkat
Të tjerët t’i duash është Mirësi
T’i thurësh lavd dashurisë
Jetën e zgjat
Nëpër qiell shpirti yt do
Rend “I lirë”…”.
Një mbyllje kjo që përligj bindshëm tiparin e tij si poet shpirtëror, shkundës i ndërgjegjes njerëzore, poet shpalosës i vlerave, që do të përballojnë kohërat.
“Metafizika”, si karakteristikë e morisë së poezive të poetit Rifat Ismaili, aktualizon penën e tij për ta individualizuar e për të pohuar bindshëm që profili i tij poetik tashmë ka identitetin, që e bën të konkurojë denjësisht në letërsinë botërore, siç edhe e kemi parë të jetë mes tyre.
Poezia, si një ndër arsenalet e tij, shpalos një gjuhë të pasur në figuracion e emocion. Larmishmëria e tematikave, dhe e figuracioneve letrare me të cilën trasmetohen vargjet e tij më bën të kujtoj një shprehje të Pushkinit:
“Fjalët ekzistojnë për të gjithë në fjalor, por vetëm kombinimi i tyre është poezi”.
Pra, optika poetike e Rifat Ismailit është mbështetja në kriteret estetike të pasqyrimit të virtyteve dhe jo në një përshfaqje fotografike të realitetit.
Spikat me gjuhën e tij të pasur, por edhe të depertueshme te lexuesi. Ridimensionimi i fjalës me të cilën ai “luan”, janë pesha dhe vlera e penës së tij.
Një tjetër tipar që unë si lexues ndesha në këtë vëllim është kontrasti , gjë e cila e bën më bindëse dhe më origjinale poezinë e tij.
Natyraliteti i vargut që ai përdor, të bën të kuptosh që mbi lapsin e tij që vërtitet mendueshëm mes gishtërinjve, në pritje të gdhendjes së fjalës, janë rrokëllisur mijëra vargje që herë janë lënë të paprekura e herë janë shprishur për të qenë sa më organikë.
Dhe është kjo eksperiencë që i dhuron atij edhe komoditetin për t’i shpëtuar ndonjë tendence që mund të çojë në patetizëm, sepse frymarrja e tij është e sigurtë dhe e bën poezinë të gëzojë një planet të merituar ku qëndron poezia elitare, idilike, romantike, apo çfarëdo poezie që arrin të perceptohet dhe krijohet nga liria e mendimit filozofik të poetit Rifat Ismaili.
Ky vëllim poetik mbetet një vepër që spikat për përjetimin universal të ndjenjave, mesazhet e fuqishme dhe rrjedhshmërinë e tematikave të trajtuara, ndaj bindshëm do ta sugjeroja për ta shfletuar, interpretuar dhe pasuruar shpirtin me gjuhën e bukur shqipe, e cila është trajtuar me shumë kujdes nga poeti me qëllim ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Të mos harrojmë që poeti duke qenë emigrant, identitetin kombëtar e ka shumë të rëndësishëm, ndaj ndihmon me armën e tij më të fuqishme, që është pena për ta forcuar dhe promovuar atë.
Kushdo që dëshiron të përjetojë emocione të vërteta dhe të gjejë veten në të, duhet ta lexoje këtë vepër për një udhëtim shpirtëror të paharruar.
4 shkurt 2025.