Albspirit

Media/News/Publishing

Mal Berisha: Më frymëzoi dëshira për të ndriçuar historinë dhe identitetin shqiptar

“Të nderuar lexues të revistës ‘Votra’,

 Kam kënaqësinë dhe nderin që, me kërkesën e përfaqësueses së revistës “Votra”, t’u përgjigjem një serie pyetjesh që ajo m’i adresoi. Ato kishin lidhje me kontributin tim modest dhe të thjeshtë, të cilin kam përçuar te lexuesit, shikuesit apo dëgjuesit shqiptarë, jo vetëm në atdhe, por edhe në vendet e tjera ku jemi vendosur ne shqiptarët. E falënderoj për konsideratën!

Duke mos qenë një shkrimtar apo historian katedrash apo akademish, por një njeri që i është kushtuar penës si një “angazhim” i dytë, ndjehem i nderuar të kem mundësinë të paraqitem te VOTRA. Duke besuar se përgjigjet e mia kanë përmbushur pritshmëritë i uroj revistës mbarësi dhe suksese në përmbushjen e misionit të vet për lartësimin e emrit tonë të ndritur shqiptar”!

Votra: Çfarë ju frymëzoi të filloni të shkruani?

Mal Berisha: Më frymëzoi dëshira për të ndriçuar historinë dhe identitetin shqiptar. Si dëshmitar i ngjarjeve historike dhe takimeve me njerëz të zakonshëm, por edhe të jashtëzakonshëm, ndjeva nevojën për të dokumentuar të vërtetat e harruara. Në mënyrë të veçantë, mundësia për të eksploruar dokumente, libra, histori të panjohura nga ne shqiptarët më dha shansin të prekja me dorë materiale shumë të vyera. Më vijnë që në fillim në mendje bibliotekat e universiteteve Harvard, Yale, YIVO Institute for Jewish Research, Arkivat e Departamentit të Shtetit, British Library, Oxford University, e sa e sa të tjera. Përvoja ime diplomatike dhe studimet në histori e antropologji më ndihmojnë të paraqes faktet me saktësi dhe pasion për lexuesit.

Votra: A keni një rutinë ose orar të caktuar për të shkruar?

Mal Berisha: Angazhimi im në shkrime, deri në kohën e pensionimit, ka qenë gjithmonë një veprimtari dytësore, krahas detyrave të përditshme. Kudo që kam punuar, kam gjetur kohë për të hedhur në letër ato që sot janë botuar në formë fizike ose në faqen time personale të internetit.

Nuk ndjek një rutinë fikse për të shkruar; procesi im lidhet me frymëzimin, kërkimin dhe reflektimin. Shkruaj natën vonë ose herët në mëngjes, kur ndjehem më i qetë. Puna ime kërkon hulumtim dhe verifikim faktesh, pasi çdo material duhet të jetë i saktë, i qartë dhe i përkryer.

Votra: Ku gjeni idetë tuaja për historitë?

Mal Berisha: Idetë i marr nga kërkimet, hulumtimet dhe dokumentet e autorëve të huaj, veprat e të cilëve kanë mbetur të pluhurosura në raftet e arkivave apo bibliotekave. Më frymëzon jeta e figurave të harruara që kanë kontribuar për kombin tonë, por nuk njihen nga brezat e sotëm. Gjithashtu, më frymëzojnë takimet me njerëz të shquar si diplomatë e studiues. Dëshiroj të sjell faktet në vëmendjen e publikut me analiza të kujdesshme, nga ato që nuk dihen nga lexuesi ynë.

Votra: A keni rituale ose zakone që ju ndihmojnë të hyjnë në mendësinë e shkrimit?

Mal Berisha: Nuk kam një ritual të pandryshueshëm, por kam zakone që më ndihmojnë të përqendrohem. Më duhet një mjedis i qetë, ku mos të mungojë muzika klasike. Lexoj materiale përkatëse para shkrimit, rishikoj vazhdimisht dhe meditoj për të organizuar mendimet para se të shkruaj.

Votra: Sa i rëndësishëm është kërkimi në procesin tuaj të shkrimit?

Mal Berisha: Kërkimi është shtylla kryesore e shkrimeve të mia. Nuk shkruaj pa fakte të sakta dhe burime të besueshme. Studimi i dokumenteve, librave dhe intervistat me ekspertë janë thelbësore. Pa kërkim, shkrimi do të ishte i cekët. Për mua, është një përgjegjësi intelektuale e domosdoshme.

Votra: Cila është pjesa juaj e preferuar e procesit të shkrimit?

Mal Berisha: Pjesa ime e preferuar e shkrimit është kur, pas kërkimit dhe reflektimit, gjej mënyrën më të saktë për të shprehur një ide. Më pëlqen zbulimi i fakteve të reja dhe rishikimi i tekstit deri në përsosmëri. Për mua, shkrimi është një art që kërkon përqendrim dhe durim. Gëzimi më i madh është kur i kthehem përsëri për të disatën herë dhe shoh që e kam arritur atë që dua, të paktën sipas standardit tim. Kjo nuk do të thotë se edhe lexuesi ndan të njëjtën pikëpamje me mua. Por unë… bëra maksimumin tim!

Votra: A shkruani me një audiencë specifike në mendje?

Mal Berisha: Po, gjithmonë shkruaj me një audiencë specifike në mendje. Historianët, studiuesit dhe studentët janë lexuesit kryesorë, por synoj edhe brezin e ri, duke përdorur një stil të qartë dhe tërheqës. Për audiencat e huaja, përshtas strukturën për të prezantuar historinë shqiptare në një kontekst ndërkombëtar. Për mua, është e rëndësishme që historia jonë të njihet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë e Kosovës; prandaj, ndonjëherë shkruaj me një qasje ndërkombëtare, duke e vendosur rrëfimin në një kontekst më të gjerë historik dhe kulturor. Natyrisht, kjo bëhet në gjuhën angleze, siç janë studimet për marrëdhëniet shqiptaro-britanike, ato shqiptaro-amerikane, apo jetët e ndryshme të njerëzve të shquar si Herman Bernstein, Scarlett Epstein, etj.

Votra: Si i përfshini temat në shkrimin tuaj, dhe cilat janë ato?

Mal Berisha: Në shkrimet e mia trajtoj historinë, trashëgiminë kulturore shqiptare, antropologjinë, diplomacinë, figurat e shquara dhe letërsinë, duke i përfshirë ato përmes kërkimeve të thelluara dhe dokumenteve arkivore. Synimi im është të ndriçoj historinë shqiptare ashtu siç na kanë parë autorët anglo-saksonë të shquar ndër shekuj. Por “personazhet” e mi janë edhe jetësorë, që veprojnë në të njëjtën kohë me mua. Dëshmia më e qartë e kësaj është promovimi i emrave të artit tonë që e kanë nderuar atdheun nëpër botë, përmbledhur në atë që njihet tashmë si “Notes on Albania”.

Votra: Si e zbuloni konceptin e identitetit në historitë tuaja?

Mal Berisha: Në shkrimet e mia, konceptin e identitetit shqiptar e zbuloj duke u përqendruar në historinë, kulturën dhe trashëgiminë tonë. Përmes hulumtimeve të thelluara dhe analizave të detajuara, synoj të ndriçoj aspekte të veçanta të identitetit kombëtar, duke nxjerrë në pah vlerat dhe traditat që na dallojnë si popull. Këto aspekte janë vërejtur dhe dokumentuar në mënyrë të veçantë nga autorë anglo-saksonë, të cilët janë objekt i studimeve dhe përkthimeve të mia.

Studimi i prejardhjes së shqiptarëve, lidhjet me ilirët dhe dardanët.

Roli i vlerave tradicionale në formësimin e karakterit shqiptar.

Analiza e ndikimeve të huaja dhe rezistencës kulturore ndaj asimilimit.

Si ka ndikuar urbanizimi dhe globalizimi në ndryshimin e identitetit shqiptar.

Lufta për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe gjatë pushtimeve osmane dhe sllave.

Rezistenca kundër diktaturave dhe ruajtja e një ndjenje të fortë të përkatësisë kombëtare.

Ndikimi i fesë në identitetin shqiptar, pa e zbehur përkatësinë kombëtare.

Dua të sjell një kuptim më të thellë të asaj që do të thotë të jesh shqiptar, duke treguar se identiteti ynë është i mbështetur në sakrifica, histori dhe një ndjenjë të fortë të përkatësisë. Përmes shkrimeve të mia, përpiqem të dokumentoj dhe të analizoj këto elemente, duke u dhënë lexuesve një pasqyrë më të qartë dhe më të pasur mbi rrugëtimin historik dhe shpirtëror të kombit tonë.

Votra: Cilin zhanër preferoni për t’u shprehur, apo për të hedhur në letër mendimet tuaja, dhe përse?

Mal Berisha: Zhanri im i preferuar për të shkruar është historia dhe letërsia dokumentare, me fokus në historinë shqiptare, antropologjinë dhe diplomacinë. Kjo zgjedhje buron nga dëshira për të ruajtur dhe ndriçuar të vërtetat historike të kombit tonë, shpesh të lëna në hije ose të shtrembëruara. Ky zhanër më lejon të përfshihem në kërkime të thella arkivore dhe analiza të bazuara në fakte, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj dhe në ndërgjegjësimin kombëtar. Përvoja ime diplomatike më pasuron perspektivën, duke më mundësuar të analizoj marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikimin e politikës globale në çështjet shqiptare. Mendoj se kulminacionin e punës sime në këtë fushë e kam arritur me realizimin e serialit dokumentar “Mirënjohja është parametri i fisnikërisë njerëzore”, kushtuar historianit dhe filozofit anglez Sir Noel Malcolm, i botuar në librin “ALBANIANADA/SHQIPTARIADA”.

Votra: Si është një ditë tipike për ju si shkrimtar?

Mal Berisha: Pas pensionimit, jam kthyer në një freelancer që punon me pasion. Prandaj, dita ime është ajo e një njeriu të lirë që bën gjithçka që i pëlqen dhe që e konsideron të vlefshme në çdo orë të ditës dhe të natës. Mjafton që koha të mos shpenzohet kot – kjo është deviza!

Votra: Si i përjetoni  momentet e rëndësishme të sukseseve në rrugën tuaj të shkrimit, dhe gëzimin që ndjeni për ato momente?

Mal Berisha: Gëzimin për botimin e librave e ndaj me miqtë, bashkëpunëtorët dhe lexuesit, qofshin ata që më njohin apo ata që më zbulojnë përmes veprave të mia. Për mua, çdo arritje është një kontribut në ruajtjen e historisë shqiptare, ndaj festimi lidhet me vlerësimin e ndikimit të punës sime dhe angazhimin për projekte të reja.

Promovimet e librave të mi përfshijnë:

Charles Telford Erickson në Ambasadën Shqiptare në Londër dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë;

Lisat mbi Truallin Ilir në Piramidën e Tiranës;

Herman Bernstein në Fondacionin Mirash & Martin Ivanaj në Tiranë dhe në selinë e Federatës Pan Shqiptare “Vatra” në New York;

Besa Shqiptare në Universitetin Harvard në Boston;

Versioni anglisht i Herman Bernstein në Ambasadën Amerikane në Londër;

Naltësimi i Iskanderit në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë;

Realitete Shqiptaro-Britanike në Ambasadën Britanike në Tiranë;

Malet e Gjigantëve në Tiranë dhe në New Jersey;

Ambasador i Pushtetit të Butë në Universitetin “Fan Noli” në Korçë dhe Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, për të përmendur vetëm disa prej tyre.

Shkrimet për artistët e mëdhenj shqiptarë, si sopranot Ermonela Jaho, Inva Mula, Arlinda Morava, aktori Mirush Kabashi dhe piktori Bashkim Ahmeti në Europe House në Londër, si dhe shumë të tjerë, zënë një vend të rëndësishëm në promovimet e këtyre librave.

Votra: Si ndikojnë marrëdhëniet familjare në dinamikën e ndërveprimeve të personazheve tuaj në histori?

Mal Berisha: Marrëdhëniet familjare janë thelbësore në shkrimet e mia, duke ndikuar në formësimin e karaktereve dhe vendimet e tyre. Familja shqiptare, si bërthamë e shoqërisë, pasqyron traditat dhe kodet e nderit, shpesh duke krijuar kontraste mes brezave dhe konflikte që pasurojnë narrativën historike. Për të qenë sa më i besueshëm në punimet e mia, dëshiroj të jap shembullin tim personal, që është familja ime e fortë, e ndershme, e bazuar në parime tradicionale, por pa shkelur mbi asnjë të drejtë që një familje e emancipuar ruan në raportet bashkëshortore, pastaj raportet prind-fëmijë me brezin e vjetër, prind-fëmijë me brezin e ri, nipat dhe mbesat si e ardhmja jonë e bukur.

Votra: Cili është mesazhi juaj për krijuesit e rinj, hulumtuesit, kritikët, shkruesit?

Mal Berisha: Në shkrimet e mia, historia dhe trashëgimia kulturore nuk janë thjesht një pasqyrë e së kaluarës, por një udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen. Mënyra se si e ruajmë, e studiojmë dhe e promovojmë këtë trashëgimi përcakton jo vetëm identitetin tonë kombëtar, por edhe pozicionin tonë në botë si një komb me histori të pasur dhe të denjë për t’u njohur dhe vlerësuar. Përmes hulumtimeve, shkrimeve dhe angazhimit tim publik, përpiqem të ndikoj në ruajtjen e kujtesës historike dhe në promovimin e kulturës shqiptare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Rruga e të shkruarit kërkon përkushtim, kurajë dhe, nganjëherë, edhe mundim fizik.

Kërkoni gjithmonë të vërtetën me integritet dhe mos kini frikë të sfidoni narrativat e gabuara dhe dashakeqe ndaj kombit tonë. Lexoni sa më shumë dhe studioni pa fund!

Respektoni gjuhën dhe artin e të shkruarit, duke synuar qartësi dhe elegancë në çdo fjalë dhe fjali. Mos bëni kompromise me cilësinë; shkruani për të lënë një trashëgimi të vlefshme.

Ruani dinjitetin tuaj, duke qëndruar të ndershëm me faktet dhe të hapur ndaj kritikave, por mos shkruani për interesa financiare të askujt! Kjo do t’ju kthejë në grafomanë pa dinjitet.

Mos ndaloni kurrë së krijuari dhe kontribuoni për brezat e ardhshëm. Në një botë ku gjithçka lëviz shpejt, puna juaj do të jetë ajo që i jep kuptim kohës dhe i jep zë të vërtetës.

Mos harroni shprehjen latine: E shkruara mbetet!

Mos u dekurajoni nëse sot shkrimet tuaja nuk lexohen në masë. Një ditë, dikush, diku, në një arkiv apo bibliotekë, do të gjejë copëzat e historisë që ju i keni lënë trashëgim brezave!

Votra: Faleminderit zoti Berisha për intervistën tuaj! Na dhatë momente emocioni dhe krenarie!

Mal Berisha: Faleminderit ju! Respekt dhe mirënjohje për revistën “Votra”! Suksese në punën tuaj  të vyer dhe fisnike!

Please follow and like us: