Ermir Hoxha: Në studion e Arben Bajos për rreth 12 vjet
ERMIR HOXHA – ARBEN BAJO, Vepra e plotë
Artisti & Skulptura
Kam ndenjur në studion e Benit për rreth 12 vjet.
Që kur u njohëm, deri në largimin e tij të parakohshëm.
Shpesh isha aty çdo ditë dhe ndonjëherë edhe më tepër.
Ai ishte aty, mes skulpturash, me duart me baltë, mëngët e përveshura dhe tingujt e muzikës në sfond. Të priste gjithnjë ashtu i përfshirë, por i qeshur, me sytë e çelur dhe zërin grykor. Aty e kuptoje që ishe në vendin e duhur.
Për këdo që kaloi aty, kjo ndjesi ishte e njëjtë, si për ata që ndenjën pak minuta dhe ata që kaluan një copëz të jetës. Të gjithë provuam të njëjtën magji, ndoshta sepse thjesht Beni ishte magjik.
Për të nuk mund të shkruaj si studiues, ftohtë e racional, pasi mua, ashtu si shumë të tjerë, qenia e tij na kish pushtuar. Na kish pushtuar si mik, si vëlla, si artist dhe intelektual i një dimensioni të jashtëzakonshëm. E ashtu të gjithë së bashku, ishim me të në kafe, në shkollë, në studio, në dreka mes bisedave dhe avujve të alkoolit dhe për peshk tek Kepi i Rodonit. Dhe për çudi kur ishe me të, s’kishe nevojë për asnjë, dhe po për çudi kur ishe larg tij, të gjithë të pyesnin: “Çfarë bën Beni”? Për të gjitha këto, çdo përpjekje për një përqasje estetike mbi artistin dhe skulptorin vishet pashmangshmërisht me një tis melankolie.
Kështu, për të evituar një ligjëratë të gjatë solemne po thërras në ndihmë të vetes një tekst të shkruar për të para gjashtë vitesh. I ndërtuar si një analizë kuptimore mbi krijimtarinë e tij, ai shoqëroi fillimisht ekspozitën personale (2015) në Galerinë FAB, e më pas u botua dhe në katalogun e realizuar për ekspozitën personale në Hagë. Ishte një sprovë e shkurtër për të shpjeguar artistin, kontekstin kohor, veprën, subjektet dhe prekjen plastike, e që sot po rimarr me shpresë për të kuptuar dhe një herë më gjerë krijimtarinë e tij. Kështu le të fillojë…