Albspirit

Media/News/Publishing

Niko Mihali: Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Nënë

Dita e sotme data 21 shkurt në shkallë botërore është shpallur Dita Ndërkombëtare e GJUHËS NËNË dhe ka si qëllim kryesor promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor mes kombeve, shteteve dhe moshave të ndryshme. Sot më shumë se kurrë popujt e botës kujtojnë e sjellin ndër mend luftën dhe përpjekjet e brezave të ndryshëm në vite e shekuj për krijimin e alfabeteve të gjuhës së tyre kombëtare. Ata njerëz të ditur e kurajozë që hodhën themelet e gjuhëve kombëtare, hartuan alfabetet e para dhe i sollën botës së qytetëruar librat e parë të cilët nga ditë e më shumë mbushin raftet e bibliotekave, çantat e shkollarëve e studentëve dhe popujve të ndryshëm që kanë besuar e besojnë se gjuha me fonemat e saj, sjell qytetërim, zhvillon kulturën botërore, shkencën dhe i afron popujt mes tyre.

Organizata botërore e CIOFF dhe bashkë me të edhe seksionet kombetare të CIOFF qe punojnë në partneritet me UNESCO-n, sot më shumë se kurrë këshillojne e udhëzojnë anëtarët e tyre që të mbrojnë e pasurojnë më tej këtë dukuri shoqërore që është pjesë e trashëgimisë kulturore shpirtërore të njerëzimit dhe kërkojnë që të ketë sa më shumë veprimtari për këtë event të shënuar ndërkombëtar që ne si CIOFF e promovojmë këtë diversitet nëpërmjet festivaleve ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës, kur flasim e këndojmë me gjuhën tonë.

Ne më shumë se kurrë sot kujtojmë e vlerësojmë kontributin e humanistëve e rilindasve tanë qe nga Buzuku, Budi e Bogdani e gjer tek Naimi Fishta, Mjeda etj, që sfiduan vështirësitë, u ndeshën me perandoritë e botës që kërkonin të zhduknin cdo fillesë e shkrim e libër të shkruar me shkronjat e gjuhës sonë. Për vite e shekuj mesazhet dhe informacionet e ndryshme të kësaj gjuhe të shënjtë përcilleshin me shkronja latine, greke, cirilike, arabe e turke dhe shfarrosej çdo përpjekje për alfabetin tonë të shënjtë , i cili pa dritë në mesin e shekulliut të 19-të dhe në mënyrë përfundimtare në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 që pasoi me botime librash , hapjen e shkollave shqipe gjer tek Normalja e Elbasanit ku u përgatitën mësuesit e parë për shkollat shqipe.

Ajo ishte një kohë e vështirë e kish mundime tepër, por ata rilindasit tanë mendjendritur na e sollën atë gjuhën e nënës, të bukur si gjuhë Perëndije dhe na thanë mbroheni e pasuroheni se do ju duhet fëmijëve tuaj për nesër e për ditët që do të vijnë. Por pa mohuar punën që bëhet sot nga institucionet arsimore, media, shteti etj vihet re një çoroditje e madhe dhe po shtohet në mënyrë te dukshme numri i analfabetëve, numri i atyre njerezve të paditur e të shkolluar që po shkatërrojnë e po e denatyrojnë gjuhën tonë, që është si gjuhë Perëndije. Mjafton të shfletosh faqet e mediave, të shikosh faqet e Facebook dhe do shikosh një padituri ekstreme, njerëz që nuk dinë të shkruajnë shqip, nuk njohin asnjë rregull drejtshkrimor, shkruajnë si ata surealistët pa pika e pa presje, me gjysma fjale e plot e plot gabime gramatikore edhe pse këtë lëndë e kanë zhvilluar gati në të gjitha ciklet e shkollimit, që nga klasa e parë e gjer në klasën e 12 –të. Këto dukuri aq negative janë e kërkojnë një alarm kombëtar për ta ruajtur e mbajtur të pastër gjuhën tonë, shkronjat tona, librat tona, ligjëratat tona, se vetëm nëpërmjet gjuhës kombëtare do zhvillohet kombi, ekonomia, shoqëria, presporiteti etj, etj.

Për ta kuptuar e përgjithësuar më mirë këto sugjerime, po ju sjell disa fragmente poetike të shkruara në hapësirën e dy shekujve të fundit për Gjuhën tonë Kombëtare, për Gjuhën Shqipe, që Naimi e quan gojëplotë Gjuhë Perëndije.

Naim Frashëri: Gjuha shqipe është ‘Gjuha e Perëndive’

Vëllezër shqipëtarë!

Qasuni më dëgjoni,

Sa të mundeni më parë

Gjuhën tuaj mësoni.

….Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmblë, sa e gjerë!

Sa e lehtë, sa e lirë!

Sa e bukur, sa e vlerë!

….Se njerës të gjithë vdesin,

Po jeta s’mbetet e shkretë,

Gjuha, mëmëdheu mbesin

Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar

Dhe me gjithë shpirt uroni!

Zotërinjt’ e zotëruar,

Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria

Dhe kombi e gjuha jonë!

Lulëzoftë dituria,

Edhe ndihmës paçim zonë.

Gjergj Fishta: Gjuha shqipe

Gjergj Fishta këndon bukurinë, fuqinë e saj, tue shquem sidomos ndër të rij dashtninë për të.

Porsi kanga e zogut t’ verës,

Qi vallzon n’ blerim të Prillit;

Porsi i ambli flladi i erës,

Qi lmon gjit’ e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’ detit,

Porsi gjama e rrfés zgjetare,

Porsi ushtima e njij termetit,

Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.

Ndre Mjeda: Gjuha shqipe

Përmbi za qi lshon bylbyli

Gjuha shqype m’ shungllon

Përmbi erë qi jep zymbyli

pa da zemrën m’ngushllon

ndër kombe tjerë, ndër dhena tjera

ku shkoj jetën tash sa mot

veç per ty m’rreh zemra mjera

E prej mallit derdhi lot….

Ismail Kadare: Gjuha shqipe

Kur panë se gjuhës

S’ i hodhën dot prangat,

Lëshuan drejt saj

Gjithfarë merimangash.

Parashtesa e pjesëza

E lidhëza së prapthi

Të bukurën gjuhë

Ta bënin lesh arapi.

Në përçartje ta kthenin,

Në delir në jerm.

Shin vite të rënda,

Ishin shekuj plot helm.

Të të bënin ty, donin,

Shqipëri memece,

Por ja, erdhi Naimi,

Si yll mbi ty ecte.

TA MBROJMË E PASUROJMË GJUHËN TONË TË BUKUR SHQIPE, TRASHËGIMINË TONË KULTURORE SHPIRTËRORE.

21 SHKURT 2025.

Please follow and like us: