Albspirit

Media/News/Publishing

Visar Zhiti: E ZEZA ESTRADË!

– Për mjeshtrin Xhevat Lishi në burg-

Më së fundi, Estrada e burgut do të jepte shfaqjen e vet të re në sallën e mensës, që sakaqherë u mbush me të burgosur. Ndonëse një pjesë e mirë nuk pranonin të vinin. (S’ishte me detyrim, si leximi i veprave të Enver Hoxhës.) Ndienin jo vetëm talljen, një cinizëm tejet të poshtër, që ia bënim vetvetes, natyrisht me dhunë, por dhe neveri, gati fizike. Si s’kanë turp ata që kërkojnë nga ne humor, dhe këta që pranojnë ta bëjnë?…

​I dëgjoja që bënin prova, s’di se ku, në ç’depo, kapja ndonjë tingull a copëz kënge a britmë, por s’arrija ta besoja. Pale, edhe mua më kishin thirrur, vetë përgjegjësi i riedukimit, i burgosur si unë, për të marrë pjesë. Shkollë të lartë ke, bir aktori je dhe sikur ke dashur të studioje për teatër. Të pëlqente skena. Nga puna e rëndë nën tokë shkëputesh, kur ka prova. Jo, thashë. E pamundur. Më dukej sikur më hapnin një plagë të hershme, ma lëviznin thikën duke u shqyer gazit. Ajo ëndërr, më e bukura e jetës, në mënyrë të përçudnuar, kërkonte të realizohej së prapthi tani, në burg, në kundërjetë. Jo, jo! Poshtërim… nuk doja ta gjykoja atë që pranonte. Përveç detyrimit, mund të bëhej dhe nga mërzia ose nga një dëshirë mbeturinë. Ja ashtu siç mbajnë kurorën e brirëve nga dreri i vrarë.

​Kreu i mensës do të shërbente si skenë, prandaj qenë zhvendosur që aty stolat e drunjtë dhe nja dy tryeza qenë ngritur lart, vertikalisht, si kuinta. Sporteli i ushqimit në mur qe hapur, skenografí? Kuzhinieri kishte dalë përgjysmë përkëndej, kishte rol a për të ndjekur shfaqjen, s’kuptohej. Në çdo qoshe të sallës rrinin në këmbë kapterë shërbimi. Në radhën e parë qenë ulur ushtarakët e lartë, vetë komandanti, komisari, operativi, oficeri i rojës dhe…

​U ndien duartrokitje, sikur shqepeshin dërrasa. Pra, shfaqja filloi. Doli në atë farë skene i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist. A thua prandaj e kishin burgosur, u duhej për estradën? Ai, me uniformë burgu, por të larë, dhe me këpucë të mëdha ushtari të lyera, i trishtuar dhe i emocionuar ndryshe… duartrokitje prapë… të sinqerta… e donin atë njeri… talent i shkëlqyer, tani punonte me lopatë nën tokë.

​- Bashkëvuajtës të dashur, – tha me zërin e mësuar skenave, por tejet të huaj, si një dëborë prej letre karamelesh të helmuara, – zotërinj të Komandës! Reparti 303 i Riedukimit Spaç jep sot për ju… – Zëri m’u duk sikur sapo kishte qarë… dikur…

​Në skenë doli kori. 5-6 të burgosur, tmerrësisht seriozë. Të dobët, s’rrinin dot drejt dhe ngjanin me një rresht të shtrembër shkurresh. Në anë të tyre njëri me fizarmonikë. Po, po, fizarmonikë, prej vërteti. Gishtat e trashë, njëri i lidhur me fashë, endeshin mbi tastierën e bardhë dhe të zezë sikur të qenë renditur gishta të tjerë të prerë. Kitarë! Kitara e Vaçes? Ajo të jetë? E nxorën? Kush po i bie? Këngë partizane. Po e këndonin robërit e tyre. Marsh. Refreni. Vaçen e kritikonin pse këndonte më mirë këngët spanjolle se këto. Më i moshuari i korit e kishte kënduar këtë këngë malit, gjatë luftës, si partizan. Tani si i burgosur… Po u shihja gojët. Mungesë dhëmbësh o dhëmbë të nxirë si me tym beteje…

​Leja qe dhënë, të burgosurit edhe mund të qeshnin. U përtallën dhe gjumashët: pse kanë ardhur në burg, për të fjetur, ë? Hotel është këtu? Qeshi rreshti i parë i spektatorëve. U kritikuan ata që i marrin gazetat jo për t’i lexuar, por për të pasur letër… e ata i duan për t’i djegur, kur bëjnë kafe ose ziejnë makarona. Një poezi e gjysmë duhet për një filxhan kafe. Makaronat duan një roman që vijon një gjysmë viti, nga njëri numër gazete në tjetrin. E po burgu i gjatë është. E pse të mërzitemi? Qeshi prapë rreshti i parë. Ata që interpretuan, ishin spiunë të shpallur. Kurse për 100 cigare të dredhura a mjafton apo nuk mjafton faqja e problematikës shoqërore të gazetave? Kjo është çështje. Ky skeç ka mbetur nga Frederik Rreshpja, ai e shkroi. S’ka asnjë lajm pas lirimit të tij. E kanë futur prapë thonë…

​E zeza estradë! – se kush pëshpëriti. Nuk e ktheva kokën… Doli në skenë mjeshtri i cirkut Telat Agolli. Trupmadh sa një ciklop. Është “Artist i Popullit” dëgjova zëra, titullin ia kanë hequr. Po ç’do të bëjë, pse është aq i hutuar më shumë se ariu i tij dikur në cirk? Shih, shih, po bën numra shpejtësie. Qenka prestigjator. Kur ditka të bëjë sihir, ja, e zhduku një shami me gjithë vezë, pse s’i huton policët, t’ua marrë revolet e t’ia mbathë?! Është Artist i Popullit, s’i lejohet.

​Pastaj u thirr në skenë ai, i famshmi për rënien e defit, që kishte lënë nam në Turqi, kishte zënë vendin e parë në një konkurs ballkanik e kudo ku kishte shkuar Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve, mburreshin me të, Xhevat Lishiiii. Salla heshti e kreshpëruar. Sepse mjeshtri kryeulur shihte defin, thellë, pa lëvizur, sikur të kishte ndër duar një gropë, brengë a hall, me lëkurë të rrjepur, të tendosur. Të burgosurit duartrokitën sërish për t’i dhënë kurajë artistit të tyre, qetësi… tani shikoni… edhe ju… të rreshtit të parë…

​Krimi juaj këtu është dyfish krim. Është dënuar njeriu dhe talenti i tij. Shikoni mrekullinë!… Mjeshtri i defit hodhi sytë nga salla. Urimin mynxyrshëm e kishte marrë. Çfarë priste, leje nga komanda? Jo, frymëzimin, i duhej gjendja… s’e ka kollaj këtu… Bam-bam-bam! – shungulloi defi dhe heshti. Siç duket lajmëroi praninë e vetvetes, të gjëmimit. Pastaj një drithërimë, që kaloi nga  lëkura e defit në lëkurët tona. Gishti i madh e përshkoi dy herë atë elips brenge e hareje, si një tabaka e ardhur nga orienti… Pastaj artisti me majat e gishtave të të dy duarve po derdhte trokëllima, trak-trak-trak, hap zonjash, taka vallesh, u bënë më të forta, vrape dhish në një pllajë, troke kuajsh. Ja, përmbysja e një hëne të drunjtë, lemeri ujqish në dëborë. Të burgosurit po duartrokisnin duke mbajtur ritmin bashkë me defin. Pastaj qetësi, defi dridhte zilet e yjeve të veta.

​Duke qenë në anë, u ngrita në këmbë për të parë më mirë, i mbështetur pas murit. Mjeshtri kishte përhumbur i çmendur nën ritet e veta pagane. Pashë se edhe salla qe hipnotizuar. Mahnitëse. Kurrë s’kisha parë një gjindje kështu: sy të çakërdisur, të zbutur më tej, të qeshur, të ngrirë, të mëdhenj, sy prej shiu, prej dheu, prej vdekjeje. Një galaktikë robërie po shkëputej nga mallkimi i vet. Gojë të hapura, gjysmë të hapura, pa dhëmbë, të kyçura, rrudha që vijonin nga njëri ballë në tjetrin, të pjerrët si rreziku. Fytyra e një populli të burgosur, e shtangur nga buçima… e një defi. Jo, ishte më shumë. Loja e fatit. Defi u hodh përpjetë, ra mbi kokën e gjeniut, kumbuan së bashku, prapë u hodh, e prisnin duart si një dhuratë nga Zoti, rrëshqiste defi nëpër krahë, kalonte poshtë këmbëve, i binte mjeshtri me këmbë, u shtri, i ra defi nga lart, meteorit, femër, lumturi dhe gjëmë. Defi – duf njerëzor. Pusho të dëgjojmë. Dhembje, qetësi…. Tak-tak! Trokitje në derë. Fort. Hape… jemi policia…. ushtonte defi, protestë, akuzë, betejë, rrapëllimë, plagomë, trokëllimë prangash, shpërthime portash. Ra e madhja, burgu u hap. Ja, turma të burgosurish po dilnin, ngadalë, me druajtje. Breshërima e mitralozit dhe duartrokitje të stuhishme, stuhi mbi pemë, pemë s’kishte, kufoma… Def pas pushkatimit, regëtima e fundit e zemrave… Po si mbahet ky njeri në burg? Bravo! Të lumtë! U dëgjuan zëra dhe ofshama. Një plak doli nga salla i përlotur. Pas tronditjes ra një nemitje e përgjithshme, e mjegullt. Ndërsa iknin të gjithë, unë e dija, të burgosurit mezi do t’i zinte gjumi, do të përpëliteshin shumë. Të gjithë do të kenë maraz të tregojnë një histori dashurie e s’do të ketë asnjë sherr.

​Gjeniu i defit, Lishi, rrinte si fajtor i kënaqur. Na prit lart, te dyert e birucave, i tha komisari. Pse? Ç’bëri ai, defit i ra, me leje…

(Pjesë nga burgologjia “Rrugët e ferrit”, botimet “Omsca-1” Tiranë 2012).

———————

Post scriptum

Faksimile origjinale/Dikur të vriste për Partinë Demokratike, tani zvarranik i kryeministrit aktual, që fiton thellë edhe pas mandatit të katërt me skandale pa fund. Kush ishte vemja që ndikoi në dënimin e instrumentistit shkodran, në Burrel, Xhevat Lishi?

Lindi më 1933, në Shkodër. Më 24 nëntor 1978, me vendim nr. 65, Gjykata e Matit e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 6 vjet burg.

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2016, D. 67, FL. 116-17

—————————

Proces – Verbal i pyetjes së dëshmitarit

Sot më datën 15.7.1978 në qytetin Burrel, unë hetuesi Jani Kolezi i D.P. Brendshme Mat mar në pyetje si dëshmitar Ilir Yzeiri.

1. Emëri, emëri i babës, mbiemri Ilir Asllan Yzeiri

2. Viti dhe muaji i lindjes 1957

3. Arsimi 12 klasë (të mesmen)

4. Vënd banimi në lagjen “Pjetër Budi” Burrel

5. Detyra kamarier N.T.SH. Burrel

6. Antarësia në parti anëtar B.R.P.SH.

7. A është i dënuar jo i dënuar

8. Nr. letër njoftimit nuk kam me vehte

9. Marrëdhëniet me të pandehurin shoqëri

Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësin penale në bazë të nenit 220 të K.P. për dëshmi të rreme.

Firma e dëshmitarit

Ylir Yzeiri

Në lidhje me çështjen mund të them sa më poshtë:

Unë punoj si kamarier në restorant “Tirana” Burrel. Në vitin 1976 kam mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme dhe kam filluar stazhin në punë. Në kohën kur jam aktivizuar për herë të parë në grupin e valleve në pallatin e kulturs në Burrel në vitin 1975 jam njohur për herë të parë me të quajturin Xhevat Lishi me punë në këtë pallat si instrumentist. Në përgjithësi me këtë person kam patur shumë pak shoqëri dhe në përgjithësi me të kam zhvilluar biseda shoqërore, rast pas rastit për probleme pune. Kur kam kërkuar të vazhdoj…

Fleta e parë

…por dua të them se gjatë kohës që njihemi me Xhevatin, atë e kam njohur si njeri i çrregullt, llafazan, gjaknxehtë, i padisiplinuar dhe grindavec. Proces-Verbali pas u shkrua, mu lexua, janë thëniet e mia të shkruar drejtë dhe i firmos. Dëshmitari: Ilir Yzeiri Hetuesi: Jani Kolezi

Fleta e dytë

Ballafaqimi para hetuesit të Xhevat Lishit me Ilir Yzeirin.

Please follow and like us: