Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Ceca: “Të vegjlit e mi” – një rrëfim që të rrit shpirtin

(Ese për librin e Ylli Pangos)

Ka libra që lexohen dhe libra që përjetohen. “Të vegjlit e mi” i Ylli Pangos është një nga ata libra që nuk i mbaron dot pa u ndalur herë pas here për të marrë frymë thellë, për të buzëqeshur ëmbëlsisht, ose për të fshirë një pikë loti të befasishëm. Ai nuk është thjesht një libër për fëmijët apo për prindërit, është një dokument jetësor që të fton të reflektosh për thelbësoren: për mrekullinë e dashurisë, për durimin e shpresës, dhe për dritën që sjell një jetë e re – në çdo moshë.

Kur lexon këtë libër, nuk ndjek thjesht një histori. Ecën krahas Yllit nëpër stinët e ndërrimit të jetës së tij, nga një njeri që gjen dashurinë në sytë e një vajze nga Odesa, te prindi që më në fund mban në krahë birin e tij të shumëpritur, Danielin, i cili është zemra që rreh në çdo faqe të këtij libri. Është fëmija që nuk lindi thjesht në moshën 68-vjeçare të autorit, por ai që rindezi një jetë të tërë.

Ylli Pango e ka shkruar këtë libër si një ditar, por ai është shumë më tepër: është një himn për familjen, një elegji për sakrificën e heshtur dhe një lutje e përhershme për të tashmen e të ardhmen. Në faqet e tij lexuesi ndjek rrugëtimin e një burri që, në moshën kur shumica ndalen e kthejnë kokën pas, niset për udhën më të bukur dhe më sfiduese të jetës – atë të atësisë.

Në qendër të librit janë tre personazhe realë e magjepsës: vetë autori, Marina – vajza ukrainase e butë, e fortë, fëmijërore dhe e pjekur, me një ndriçim të brendshëm që rrallë përshkruhet dhe Danieli ose me përkëdheli Danja – një fëmijë i lindur në zemër të pandemisë, në Ditën e Shën Valentinit, si një simbol dashurie që mbin në terrin e një kohe të errët, si një sfidant kundër çdo të keqeje dhe sjellës lumturie.

Danja nuk është vetëm një fëmijë – ai është edhe ëndërr, edhe bekim, edhe sfidë, edhe rilindje për prindërit e tij.

Libri është plot me fragmente që të mbeten në mendje si shënime intime të një simfonie të butë. Herë-herë lexuesi ndjen se po sheh një film të brendshëm, ku çdo ditë e vogël bëhet kapitull i rëndësishëm në historinë e madhe të dashurisë njerëzore. E veçanta e këtij rrëfimi është sinqeriteti, guximi për të treguar dobësitë, pritjet, frikërat dhe ato ndjenja të vogla që zakonisht nuk shkruhen, por vetëm ndihen.

Autori nuk fsheh asnjë moment të vështirë – nga përballjet me mjekë indiferentë, te dyshimet për të ardhmen, nga lodhja e natës te drita që sjell një buzëqeshje e parë apo një fjalë e re e Danjës. E megjithatë, mbi gjithçka sundon një ndjenjë mirënjohjeje.

Marina është portreti i një dashurie që nuk kërkon lavdi, por përkushtohet me heshtje dhe dritë, kurse Danja është edhe autor i librit: ai e shkruan jetën e të dy prindërve të tij me çdo hap që bën.

Në rrëfimin e tij, Pango nuk përdor figura të mëdha për të treguar madhështinë – përkundrazi, e ngre jetën mbi detaje të vogla, intime, njerëzore. Mënyra si përshkruan gjumin e Danjës mbi trupin e Marinës, ngrohtësinë e buzëve që preken dhe ëndrrat që shihen në çift, nuk janë thjesht kujtime. Janë copëza dashurie që nuk shuhen kurrë, dëshmi se e bukura fshihet në çaste të heshtura, të përditshme, të përjetshme.

Libri shpaloset në kapituj të shkurtër, si kartolina emocionale. Një rrugëtim i përditshëm, herë me dritë të ngrohtë, herë me hije të shqetësimit.

Përshkrimet e autorit për kureshtjen e papërfillshme të djalit, pyetjet e tij të pafund dhe mënyra se si ai e shndërron çdo ditë në një aventurë, janë më shumë se vëzhgime prindërore, ato janë një këngë ndaj gjallërisë së fëmijërisë.

Në këtë libër shtëpia nuk është më një hapësirë fizike, por një galaktikë emocionale. Krevati i fëmijës bëhet qendra e një sistemi diellor ku planetët janë ëndrrat dhe pushteti i fjalëve matet me intensitetin e ndikimit në shpirtin e një fëmije.

Pango shkruan me një stil të pasur, por të ndershëm; me ndjenja të papërpunuara dhe plot dritë. Ai e ngre fëmijën e tij jo vetëm si birin që ka ëndërruar, por si bashkëudhëtar në një projekt dashurie ku asgjë nuk është marrë si e mirëqenë dhe gjithçka është fituar me durim dhe përkushtim.

Është përshkruar shumë bukur figura e Marinës – gruas, nënës, bashkëshortes, që s’është thjesht një prani dashurie, por forca që mban familjen në një unitet të rrallë. Ajo është jo vetëm frymëzim, por edhe bashkautore e heshtur e kësaj mrekullie njerëzore. Marina, Danja dhe Ylli formojnë një trekëndësh të shenjtë dashurie, ku secili është qendra dhe skaji i të tjerëve. Sepse në këtë udhëtim të jetës, ai nuk është vetëm. Marina – gruaja që hyri në jetën e tij në një çast të errët, kur çdo dritë dukej e shuar – bëhet rrezja që ndriçoi errësirën. Ajo u fut në jetën e tij “ngadalë, pa u ndjerë”, siç thotë ai vetë, por me një forcë dashurie që rilind. Marina, me fytyrën e saj fëminore, me heshtjen e saj të dhembshur dhe shpirtin të kalitur në mbijetesë, e ka ditur gjithmonë çfarë gjuhe flet dhimbja – dhe ndoshta prandaj di në mënyrë instiktive dhe të natyrshme edhe gjuhën e dashurisë së vërtetë.

Ai së bashku me dashurinë nuk e fsheh as rrahjen e zemrës së shqetësuar. E gjejmë shpesh në lutjen e përsëritur si një refren të brendshëm: “Zot, m’i ruaj!”. E thotë me sytë tek dashuritë e tij që flenë, me veshët zgjuar për t’u ndjerë frymëmarrjen. Kjo lutje është besim, ankth, dashuri dhe përulje përballë mrekullisë që i është falur. Netët vishen me lutjen e ëmbël të frikës që e ndjen çdo njeri që dashuron fort dhe mëngjeset me falënderimin që ata janë aty, të vegjlit e tij, të paprekur nga asnjë e keqe.

Ajo që e bën këtë libër unik, është fakti që nuk është thjesht një histori personale. Është një manifest për jetën: për besimin që asgjë nuk është e vonë, se shpresa mund të lindë edhe në çastet më të papritura, dhe se mrekullitë më të mëdha ndodhin në detajet e përditshme: në një përrallë të përgjumur, në një qeshje foshnjore, ose në heshtjen e një nëne që e mban botën në krahë.

Është gjithashtu një manifest i guximit për të dashur, edhe kur rruga është e gjatë, i aftësisë për të parë mrekullinë në gjërat më të thjeshta. Në një epokë ku familjet shpesh shihen si struktura të luhatshme, “Të vegjlit e mi” ngre një përmendore dashurie, përkushtimi dhe shprese.

Ky libër më kujtoi se prindërimi nuk është vetëm akt biologjik – është një zgjedhje shpirtërore për të rritur dikë, për të rritur veten përmes një fëmije, për të forcuar durimin, thjeshtësinë, vullnetin dhe, mbi të gjitha, për të dashur pa kushte.

“Të vegjlit e mi” është një dëshmi që dashuria nuk pyet për moshë, për kombësi, për kohë të përshtatshme apo jo. Ajo ndodh, lulëzon dhe lind jetë – siç ndodhi mes Yllit dhe Marinës. Siç ndodhi me Danjën. Dhe me ne, lexuesit, që e mbyllim librin me ndjesinë se kemi fituar diçka të çmuar: një copë nga e vërteta e bukur e jetës. Ky libër gjithashtu është një dëshmi se dashuria mund të çojë në mrekulli, se mosha është thjesht një numër dhe se, pavarësisht nga rrethanat, njeriu ka fuqinë të rishkruajë historinë e vet. Në një kohë kur shumë njerëz humbasin besimin, Ylli Pango na kujton se jeta mund të fillojë sërish, me një frymë, me një ëndërr, ose me një fëmijë që thjesht pyet: “Pse?”

Ky rrëfim na mbush me mirënjohje për jetën dhe njerëzit. Nuk është një libër që jep mësime me zë të lartë, por një libër që të mëson nëpërmjet përulësisë. Të mëson të duash më thellë, të kesh më shumë durim, të shpresosh kur duket se nuk ka shpresë. Është një libër që duhet lexuar me zemër, sepse vetëm zemra mund ta kuptojë thellësinë e tij.

Në radhët e fundit, autori pyet: “Ç’do të bëhet me të? Ku ta dish?” – një pyetje që e bëjnë të gjithë prindërit me dashuri të thellë, por edhe një mënyrë për të pranuar se prindërimi nuk është projekt me fund, por një akt i vazhdueshëm ndërtimi. Në rritjen e Danjës, ai vetë rritet si njeri, si shpirt, si autor.

Në fund të çdo kapitulli, lexuesi mbetet me një lloj mallëngjimi të brendshëm për dashurinë njerëzore, për prindërimin, për gratë si Marina, për fëmijët që janë gjithmonë më të mëdhenjtë në zemrat tona, sado të vegjël të duken në sy. Dhe bashkë me autorin, edhe ne përsërisim: “Zot, mbroji!”

Leximi i këtij libri është një përvojë që të pasuron. Të mëson të mos dorëzohesh, të shpresosh edhe atëherë kur gjithçka duket e pamundur. Të mëson se dashuria, në çdo moshë, është krijuese. Dhe se fëmijët nuk janë vetëm trashëgimi e prindërve, por edhe rilindja e tyre më e plotë.

Please follow and like us: