Irena Dragoti: Endet nata si pëlhura e Penelopës
Nata bie, si një paqe që nuk më duhet,
veç gjumi im i pafat rend agimesh.
Dëgjohet ende kënga e gjinkallës,
tek-tuk ndonjë qen lëshon angullima,
e vetmja qenie që më bind për kujtesën.
*
Sa shpesh vizatoj një varkë peshkatarësh,
që kthehet në mol, me rrjeta bosh lumturie.
Nata tymos buzësh, perëndimin,
si një far që sheh nga pritja!
*
Kufijtë e saj m’i tregojnë pishat,
koordinatat e ditës, yjet që fiken.
Rrezet vishen si qelq prej avulli,
pa dëshirën për t’u prekur.
*
Endet nata si pëlhura e Penelopës,
por unë thur e shthur lirinë.
Odiseu u kthye në Itakë,
kur nuk e njihte më askush,
veç qenit!