Ylli Pango: SOKRATI E LYM ALLA
(autoironia e injoranca)
…në të vërtetë, nuk jemi ne, këndej nga anët tona, që e qesëndisim injorancën… është ajo që na qesëndis ne… nëpër ekrane e mexhlise e rrjeta merimangash sociale… së paku kështu e ndjen veten, qesëndisëse, superiore… me të vetën natyrisht…
…duhet të ishte ironike me veten….por është karshi të mençurve…
…të ishte qoftë edhe pakëz me mend do të vetironizohej qoftë edhe paksa… ndonjëherë… bah…
…e pamundur (prandaj është injorancë) se do ishte goxha vlerë për të… do lartësohej shumë…
…se vetëironia, vetëqesëndisja, janë tipar i të mënçurit, të diturit…që e di se sa “pak” di, e se sa relative është të mënçurojë, në raport me dijen e mënçurinë njerëzore pa fund…
…të mençurit e të diturit, e ata që i kanë të dyja këto, e kanë të tyren autoironinë…
…Ata zënë fill që nga Sokrati me thënien e tij të njohur: “dituria e vërtetë është të dish… që s’di asgjë”.
…e vinë deri te ai traineri ynë i viteve të diktaturës, që arriti suksese si rrallëkush në futboll e me ekipin e tij kampion Tironën… e spikati me atë skuadër deri në Europë me ekipe nga më të fortat si Ajaksi.
…Kur dikush po i bënte leksion për europianët e po i thoshte që “edhe ata kanë difekte, por e dinë ku ju pikon çatia…”, traineri, (e kush të ishte tjetër veçse Lym Alla hokatar (RIP), u kthye e i tha:
“…mirë mor çun mirë i ke analizu europionët me vrimat e çatisë… po ne nuk kina as çati fare…”.
…ishin kohra kur futbolli në botë, si sot e mot, ishte investim i madh e kërkonte para pa fund… e çunat e Tironës, vazhdonin luanin ende për “ideal”, sakrificë e deri për një udhëtim jashtë vendi për të blerë një bluzë me tre komça…
….
autoironi e rrezikshme e Lymit, në fakt adresuar me “finte”, për një qeverisje të tërë… që mund ti kushtonte dhe shtrenjtë… ndoshta po aq sa Sokratit… që humbi jetën për të vërtetën… ndoshta shpëtoi se krerëve të “ditur” të asaj kohe, nuk u a priste mendja, se një trainer futbolli, mund të ishte më filozof e më pranë Sokratit, se një aradhe e tërë “filozofësh” a pedagogësh, prerë e qepur sipas dogmës e mësimeve të partisë së injorancës e kërbaçit..