MONIKA STAFA: I ARRATISURI – TAIP SULKO, FATE NJERËZORE NË NJË SAGË SHQIPTARE
-I arratisuri; Taip Sulko- është romani në të cilin përshkruhet historia e Ermirit, një djali ende të parritur, që vendos të arratiset. Rrethanat e jetës, por edhe një thirrje e brendshme, nxisin tek ai kureshtjen dhe dëshirën e përhershme që të ikë, të kërkojë lirinë, të pabesueshmen apo dhe aventurën.
Një nga idetë themelore të këtij romani është se njeriu vërtet vendos një ditë që të ikë, por vjen ndërkohë dita kur më në fund ti kthehesh. Identiteti yt është vetvetja, është ajo kështjella ku ti rikthehesh pas çdo arratisje.
Romani “I arratisuri” është libri i jetës së autorit, kështu e cilëson ai, jo vetëm se merr shkas nga koha e djalërisë së tij të hershme por edhe pse ky libër ka jetuar shumë gjatë brenda tij, derisa së fundmi njohu dritën e magjisë së shkronjave.
Rrëfimi në këtë roman duket si një vrapim, një kalërim i shpejtë, apo kalim nga një aventurë tek tjetra. Ngjarjet zhvillohen në një mot të ndërrueshëm ndodhish, me kapërcime, të papritura, herë me zymtësi e frikë dhe herë me përndezje marrëzie, here me breshërime ndjellëse të së bukurës, apo edhe me nota dashurie.
I arratosuri vlerësohet si një roman dramatik, i ngjeshur, si vetë sistemi i dikurshëm, si brezi që po ikën me kohën.