Luan Rama, hulumtues i shquar i lidhjeve historike dhe kulturore franko-shqiptare
Feride Papleka

Johann Georg von Hahn: “Shqipëria gjithsesi është, nga shumë pikëpamje, vendi më interesant i kontinentit tonë dhe, për këtë arsye, çdo informacion që ka të bëjë me të duhet t’i interesojë shkencës në shkallën më të lartë”
—-
Me veprimtarinë e tij të shumanshme Luan Rama është bërë një nga personalitetet e rëndësishme në fushën e kulturologjisë. Vepra e tij përfshin shumë lloje dhe zhanre, por aspekti që e bën të jetë një rast i veçantë në kuadër të albanologjisë, janë arritjet e tij kërkimore për të ndriçuar takimet dhe marrëdhëniet e shumëfishta franko-shqiptare gjatë shekujve. Si i tillë ai ka ndihmuar për njohjen dhe integrimin e vlerave të kulturës sonë në hapësirat franceze, por edhe europiane duke e afruar kështu gjithnjë e më shumë Shqipërinë me Europën, me kontinentin ku bëjmë pjesë gjeografikisht, historikisht dhe shpirtërisht.
Botimet e tij në fushën e albanologjisë janë me vlera të mëdha informative, të cilat relativisht kanë munguar në këtë formë qysh prej kohës kur Faik Konica me revistën Albania e më vonë Mit’hat Frashëri me revistën Diturija, u përpoqën të hidhnin dritë mbi historinë e këtij populli të vogël, nga më të vjetrit e Europës, i cili ka njohur shumë padrejtësi.
Dëshmitë e nxjerra nga libra të studiuesve apo historianëve për Mesjetën dhe më vonë, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, zbulojnë gjerësinë e punës së tij: “Që me ardhjen time në Francë në fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, një pyetje e përhershme ngacmonte kureshtjen time : cilat ishin pikëtakimet franko-shqiptare gjatë historisë sonë të përbashkët? …”. (Kalorësit e stuhisë, Globus R, 2010, f. 9).
Të përmbledhësh në një shkrim retrospektiv librat që ka konsultuar autori, është një mision thuajse i pamundur. Ai përzgjedh episode ku flitet për Ilirët, stërgjyshërit e shqiptarëve dhe i komenton duke përkthyer shembuj të drejtpërdrejtë nga origjinali, si: Gesti Roberti Wiscardi, Guillame de Puille; Bohemond d’Antioche, Jean Flori; Les empires normands d’Orient, René Grousset; Histoire de Grégoire VIII, M. Villemaine; Chanson de Roland; Alexiada, Ana Komnena; Byzance et le monde orthodoxe, Alain Ducellier; L’Albanie entre Byzance et Venise, Alain Ducellier; Stradioti albanesi in Italia, P. Petta; Histoire de l’Adriatique, Pierre Cabanes; Chroniques étrangères relatives aux expéditions françaises pendant le XIIIe siècle, J.-A.-C. Buchon, Paul Daffis; Histoire et description de la Haute Albanie ou Guégarie, Hyacinthe Hecquard; L’Albanie, Antonio Baldaci; Pinjolli i fundit i familjes së Aranitasve (Das ende der Arianiten), Franz Babinger… Kuptohet ka edhe shumë tituj duke përfshirë edhe tekste të historianëve shqiptarë si Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi e ndonjë tjetër, të cilëve iu referohet.
Këtë gjë e ka bërë duke u nisur nga misioni i tij si njeri i kulturës, me kredon krijuese, por edhe me ndjenjën e fortë humaniste që qarkullon në të gjithë librat e tij për të nxjerrë në pah mundësisht çdo vlerë shqiptare. Veprimtaria e tij hulumtuese dhe krijuese luan një rol të veçantë, tashmë në shekullin XXI, në epokën e njohjes më të thelluar të lidhjeve kulturore e historike të popujve në botë.
Duke zbuluar pikëtakimet franko-shqiptare, autori ka arritur të krijojë një histori brenda historisë së madhe kombëtare, e cila e pasuron perceptimin e lexuesit për botën. Libra të tillë si : Nën hijen e eklipsit, 2000, në të cilin pasqyrohet gjithë veprimtaria e tij për çështjen e Luftës Çrimtare të Kosovës si Ambasador i Shqipërisë në Francë, por edhe si Shqiptar për çështjen e kombit dhe ndihmesa e madhe franceze; Shqipëria frankofone, mbi traditat frankofone në Shqipëri, Onufri, 2001; Krushq të largët, 2002, përkthyer edhe frëngjisht (Le pont de deux Rives, Société des écrivains, 2005); Kalorësit e stuhisë, 2012, për dyndjet e para normande para gati njëmijë e ca vjetësh; Shqipëria në luftën bizantino-normande, 2013; Tek Frankët, mbi emigracionin shqiptar në Francë, 2012; Shqipëria e konsullit Auguste Dozon, i cili mblodhi folklor shqiptar, por shkroi edhe një libër të vogël Manuel de la langue chkipe ou albanaise (Gramatikë ose libër dore për gjuhën shqipe), 2014, botuar edhe frëngjisht : Dozon et l’Albanie – le consul qui aimait les contes, 2018; Durazzo-t, dozhët e purpurt, mbi familjen Durazzo, emigruar më 1389, e cila i dha Republikës së Gjenovës 9 dozhë, 2016; Me Arvanitët udhëve të Greqisë, 2016, përkthyer edhe frëngjisht (En Grèce, avec les Arvanites, 2018); Stratiotët shqiptarë nën flamurin e mbretërve të Francës, 2020; Shtigjeve të hershme të historisë, 2020; Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e piktorëve francezë të shekullit XIX (L’Albanie et les Albanais chez les peintres français du XIXe siècle), Tiranë, 2017; Konsullatat franceze në Shqipëri gjatë shekujve XVII-XIX, 2019 (përkthyer frëngjisht: Les consulats français en Albanie du XVIe au XIXe siècle, 2022) për të cilin në fjalën e mbajtur gjatë përurimit në Akademinë e Shkencave në Tiranë, studiuesi poliedrik Aurel Plasari, midis të tjerash tha: “Me një libër si ky në dorë lexuesit janë me fat, sepse ky libër ofron më shumë se një regjistër leximi”. Libri në fjalë tregon punën e diplomatëve francezë që ishin edhe studiues, qoftë edhe thjesht të apasionuar pas risive etnologjike.
Pjesë e opusit të tij studimor janë edhe shumë libra të tjerë si jetëshkrimi “Jean Moreas, poeti i Moresë”, 2012; simbolisti me origjinë arvanitase, i ardhur në Francë nga Peloponezi në moshën e rinisë, që mori pjesë në lëvizjen e madhe letrare të fillimit të shekullit XIX, shkroi edhe manifestin e simbolizmit, dhe vdiq në Francë duke mos e mohuar asnjëherë origjinën shqiptare; libri për Leon Rey-n, arkeologun e qytetit antik të Apollonisë, librat për piktorin Omer Kaleshi (se ka disa të tillë) që erdhi në Paris nga Turqia, por nuk e mohoi asnjëherë prejardhjen e tij shqiptare, libri për piktorin tjetër shqiptar Abedin Dino; libri i përkthyer Bubulina, jetëshkrim për heroinën arvanitase të Revolucionit grek, shkruar nga Michel de Grèce, 2005; libri voluminoz “Bujtës të largët”, për mbresat e udhëtarëve francezë gjatë shekullit XIX në Shqipëri, Tiranë, 2012 dhe ribotuar më 2023… Luan Rama ka botuar edhe përmbledhje me poezi, ese dhe fiksione në prozë që nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Shqiptarët dhe Frankët në rrjedhat e historisë
Një diasporë shqiptare në Francë është krijuar qysh në Mesjetë. Arsyet mund të kenë qenë të ndryshme: ekonomike, shoqërore-politike, fetare… “Në Orlean të Francës, në një rrugë të qytetit edhe sot mund të lexosh Passage des Albanais (Udha e Shqiptarëve). Cilët shqiptarë kanë qenë vendosur këtu? Në ç’kohë, në ç’shekull? (Krushq të largët, Gjurmë, f.5). Prania shqiptare në Francë është e fortë deri edhe në objekte të pabesueshme: “Në Bressiure […] emblema e qytetit është pikërisht shqiponja e zezë dykrenare në një sfond të kuq dhe nën kuadrin e një mburoje, identike me atë të Shqiptarëve” (Po aty, f. 5). Autori interesohet për burimin e kësaj embleme dhe merr një përgjigje hipotetike se mbase për këtë ka ndikuar afëria me krahinën e Anzhusë – mbreti Robert d’Anzhu në shekullin XIII ishte “mbret i Napolit” dhe i “Albaniae”. Në kështjellën Beauregard, në qendër të Francës, me një sallon pikturash trishekullore «gjendet edhe një portret i Skënderbeut”. Në Haute Savoie (Savua e Sipërme), një krahinë e tërë quhet “L’Albanais” (Shqiptari). “Historiani i njohur Beaumont shkruan se : ‘kjo krahinë ka qenë e populluar nga një koloni e ardhur nga Pelponezi me emrin d’Albani’” (po aty, f . 6).
Shqipëria ka qenë një vend i njohur edhe për Francën moderne. Autori ka shfletuar mjaft dokumente, midis tyre njëri mban datën 20 prill 1920, kur mbahet në Paris një konferencë në një sallë të madhe të “Société de Géographie” me temë “L’Albanie et la Paix de l’Europe”. Senatori de Constant, i cili kishte qenë sekretar i Komisionit për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë më 1879 si diplomat i ri, kishte qëndruar katër muaj nëpër malet e Shqipërisë së veriut duke dëgjuar banorët dhe historinë e të parëve të tyre. Pas një viti ai kishte shkuar prapë, por këtë herë kishte shëtitur thuajse gjithë Shqipërinë dhe kishte parë “padrejtësitë dhe tmerret që përjetonin fshatarët shqiptarë”. Në bllokun e shënimeve senatori kishte shkruar: “E pabesueshme … për më tepër ky është një popull që ne mund ta duam […] E drobitur por e pasur dhe pjellore Shqipëria ishte objekt lakmie e xhelozie e fqinjëve të saj […] Shqipëria do të jetë një komb i respektuar e i ndritur po aq sa Zvicra. Por sot duhet që Organizata e Kombeve të Bashkuara të mendojë për fatin e Shqipërisë” (po aty, f.150).
Gërmimet franceze në Apoloni në çerekun e parë të shekullit XX, dhe shënimet për të nga Leon Rey janë një lëndë e pasur për autorin: “Kur Ciceroni kishte zbritur për herë të parë në Apoloni […] ai ishte mahnitur me madhështinë e atij qyteti që shtrihej brigjeve të Ilirisë, prandaj dhe e kishte quajtur ‘Magnus urbs et gravis” (po aty, f. 196). Aty kishte ardhur edhe një i dërguar i Napoleonit për të studiuar strategjinë e luftës midis Jul Qezarit dhe Pompeut. Por Leon Rey, arkeolog specialist bëri vërtet zbulime, të cilat i përshkroi në revistën arkeologjike “Albania”. Për pesëmbëdhjetë vjet rresht ai shëtiti edhe nëpër Shqipëri dhe ndihmoi të krijohet një “Comité France-Albanie, në bashkëpunim me senatorin Godard dhe të shkruante librin “Guide de l’Albanie”, i pari i këtij lloji në Francë. Shqipëria demokratike e ka vlerësuar veprimtarinë e tij arkeologjike duke ia përjetësuar emrin: muzeu i Fierit mban emrin Leon Rey, Shtëpia e arkeologut në Pojan mban emrin e tij, etj…
Midis figurave që përshkruan autori, herë duke u bërë portretin e herë duke folur gjatë për jetën e tyre në libra, është edhe piktori Omer Kaleshi. “Omeri, të cilin në Turqi e thërrasin Omer “arnauti”, ka disa vjet që ka nisur një cikël tablosh me temë nga Ballkani. “Drama ballkanike” e quan ai, duke më treguar disa nga tablotë e përfunduara’ (po aty, f. 350).
Luani flet edhe për ata shqiptarë që u është mohuar atdheu në rrethana të ndryshme, madje të pabesueshme. Ka edhe nga ata shqiptarë që e zbuluan atdheun e tyre pas rënies së Murit të Berlinit: “Më 1993, kur zbarkoi për herë të parë në tokën e të parëve, në Tiranë, ai u shtang një çast dhe pastaj u ul në gjunjë, duke puthur tokën. ‘Kthehesha pas pesë shekujsh’- tha, me sytë që iu përlotën, duke më krijuar imazhin e një kalorësi të vjetër që vinte nga thellësia e kohërave” (po aty, f. 254).
Pikëtamimet franko-shqiptare janë të shumta dhe autori i bën të njohura ato me rrëfimet që u kushton, si: Regnum Albaniae ; George Castriot, dit Scaderbeg ; Ami Boué; Bujtës në hanet e veriut; Kostumi i Pierre Loti-t ; Faik Konica ; Shqiptari (Apollinaire); Gërsheti i prerë i Isadora Duncan ; Yourcenar dhe legjenda e Rozafës ; Në kërkim të ‘Magna Urbs et Gravis’ ; Republika Franceze e Korçës; Profesori i frëngjishtes (i cili i shton emrit të djalit të vet edhe « Skander », për nder të Skënderbeut) ; Omer ‘arnauti’ ; Në gjurmët e Reit ; Faleminderit Klod (Claude Durant, botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare në Francë) ; Me Kadarenë ; France terre d’azil; Tek Kristiana …
Teksti është si një afresk me personazhe dhe ngjarje që simbolizojnë lidhjet franko-shqiptare dhe dëshmon përkushtimin e një kulturologu albanist, siç e përdor edhe vetë autori, duke e qëmtuar këtë fjalë nga Dozon-i, për gjithë ata që janë marrë dhe merren me gjuhën, kulturën dhe folklorin shqiptar, ose për ata që kanë pasur lidhje të rastësishme dhe pastaj nuk janë ndarë dot prej saj.
Franca dhe Kosova
Një ngjarje e madhe pas një kalvari të gjatë vuajtjesh të popullit të Kosovës për të ruajtur identitetin e kërcënuar, Lufta për çlirimin e Kosovës e shndërroi Amabasadorin e Shqipërisë në një personalitet që do ta ndihmonte shumë çështjen e Lirisë. Kronikan, organizator takimesh e mbledhjesh, ligjërues, veprimtaria e tij e tejkalon detyrën zyrtare. Në barrikadën e tij paqësore kundër luftës së padrejtë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, ai shkruan: “24 mars 1999. Europa hyri në luftë. Atë ditë organizoja një pritje në ambasadë për prezantimin e tri librave të rinj : Fjalori i ri shqip-frëngjisht, i mikut të shtrenjtë Vedat Kokona (Dictionnaire albanais-français), «Enigma» e historianit dhe lingustit Robert d’Angely dhe «Nesër pa mua», një libër poetik i Alain Bosquet, të cilin e kisha përkthyer […] (Nën hijen e eklipsit, Paris – Prishtinë – Tiranë, f .7, Toena, 1999).
Lufta për çlirimin e Kosovës i ka rrënjët thellë në histori, por më 1999 genocidi serb u shfaq hapur me përndjekjen e shqiptarëve nga tokat e tyre. Ndërhyrja e Nato-s, që bombardonte objektet ushtarake, i krijoi U.Ç.K.-së mbështetjen e Europës dhe Amerikës. Edhe Luan Rama mund të quhet një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që rrinte sy zgjuar në prapavijë duke bërë një punë të jashtëzakonshme me politikanët dhe shoqatat humanitare në Francë në ndihmë të Kosovës. Ai e shndërroi çështjen e Kosovës në “çështje shqiptare”, ashtu si e quajti Rexhep Qosja më 1990 në një libër studimor për çështjen shqiptare të pazgjidhur duke e vendosur atë në një perspektivë historike.
Imazhi që shfaqet duke lexuar librin Nën hijen e eklipsit është një imazh i shumëfishtë dashurie për Kosovën: “Dje në darkë; më 3 prill, kryeministri Jospin, zhvilloi një mbledhje urgjente, rreth krizës në Kosovë, ku merrnin pjesë ministri Vedrin, Josselin, sekretari i shtetit për Shëndetësinë, Bernard Kouchner, si dhe grupi ‘Cellule d’Urgence’ i qeverisë franceze” (po aty, f. 44);
“I ftuar nga drejtori i revistës ¨Politique Etrangère […] pata rastin të bisedoja rreth nevojës urgjente të zgjidhjes së krizës në Kosovë” (Po aty, f. 95);
“Mbrëmë prita në aeroportin Charles De Gaulle, kryeredaktorin e gazetës Koha ditore, Baton Haxhiu”, e nis ai kronikën me titull “Njeriu që përjetoi vdekjen e tij” (po aty, f. 95). Pasi i bën një portret Baton Haxhiut si luftëtar i mëhershëm i çështjes së Kosovës dhe regjistron gjithë mynxyrat që kanë kaluar gazetarët e Koha ditore, duke ndërruar vend herë pas here, derisa paramilitarët serbë hedhin në erë lokalet e gazetës, Luani organizon konferencat e shtypit që do të japë Haxhiu për të rritur ndjeshmërinë franceze ndaj çështjes së Kosovës, me idenë se gazeta duhet të vazhdojë në një vend tjetër. Ai e di sa rëndësi ka informimi i saktë nga shtypi në raste të tilla.
“Në gazetën Shekulli botoi një shënim që kam dërguar për intelektualët francezë të titulluar: Faleminderit, o mbrojtës të popullit martir të Kosovës. Nën titull është vendosur dhe fraza: Në avanguardë të solidaritetit të jashtëzakonshëm të popullit francez për Kosovën, janë intelektualët për të cilët Kosova nuk është vetëm vend martir, por edhe vend i betejës së demokracisë kundër barbarisë, piketë pa të cilën nuk mund të mendohet ndërtimi i një Evrope të re dhe humane” (po aty, f. 103).
“Në gazetën La Republica krahas fotografive të vilës së shkatërruar të Milosheviçit, është botuar edhe një shkrim i Vaclav Havelit nën titullin “Edhe unë ndjehem shqiptar” (po aty, f. 118). Ambasadori ynë bisedon me eurodeputeten Hermange, e cila ka qenë në Shqipëri për të parë gjendjen e spitaleve dhe për të organizuar ndihmën mjekësore. Tani në Tiranë dhe kudo në Shqipëri janë vendosur edhe një milion shqiptarë të përndjekur me dhunë nga Kosova, gra, pleq dhe fëmijë të rraskapitur dhe nevoja është më e madhe. Hermange po interesohet që të nisen sa më shpejt ekipet e dializës me të gjitha materialet mjekësore. “Edhe asaj i shpreha dëshirën tonë për krijimin e një Spitali Francez, i cili do të mbetej një qendër e përhershme bashkëpunimi dhe formacioni për mjekët e rinj shqiptarë” (po aty f. 119).
Martirizimi i popullit të Kosovës e rriti ndjeshmërinë qytetare në botë për të ndihmuar luftën çlirimtare. Krahas shqiptarëve të Amerikës, të Gjermanisë, të Zvicrës dhe të ndonjë vendi tjetër, në Tiranë erdhën edhe mjaft vullnetarë francezë për të shkuar prej andej në Kosovë në radhët e UÇK-së. Prej tyre ka të vrarë e të plagosur, por çështja e lirisë është një çështje e madhe që bashkon zemrat njerëzore.
Pjesë e kësaj tragjedie kolektive është edhe fati i një vajze nga Peja e Kosovës: “Kur hymë në spital e gjetëm pranë një kabine telefonike, duke u përpjekur të lidhej me prindërit që ishin vendosur në Tiranë. U ngjitëm lart dhe me celularin tim munda ta lidhja me të atin […] Më pas ajo na tregoi historinë e saj kur një ditë dasme në Pejë serbët kishin hyrë në oborr dhe kishin qëlluar mbi dasmorët. Disa ishin vrarë. Ajo kishte marrë mjaft plumba në bark dhe dergjej në tokë” (po aty, f. 273). Pastaj, disa ushtarë të UÇK-së e kishin nxjerrë në kufirin shqiptar. Nga andej e kishin transportuar në spital në Tiranë. E kishin operuar dhe e kishin e kishin nisur për në Francë.
Luan Rama arrin t’i moblizojë shoqatat franceze për ndihma, duke mos harruar që të jetë i pranishëm në të gjitha veprimtaritë politike për çështjen e Kosovës. Ai nuk harron të shkruajë për artistët që jetojnë në Francë dhe japin koncerte ndihme si: Inva Mula, Tedi Papavrami, Angjelin Prejlocaj, Ehat Musa, Rexhep Mitrovica (i Riu) e të tjerë. Kronikat e tij, me kalimin e kohës, lexohen si tregime.
Aleksiada, burim informacioni për luftën midis Normandëve dhe Bizantit
Në punën e tij hulumtuese autori përkthen pjesët që hedhin dritë mbi emrin Iliri dhe Ilir nga libri me kronika Aleksiada, i kronistes bizantine Ana Komnena. Komentari për figurën e saj si kronikane e pajisur me kulturën e kohës dhe njohëse e veprave të Homerit, të Platonit dhe Aristotelit, vijon me historinë e shkrimit të kronikave që morën formën e disa librave për periudhën e mbretërimit të Aleksit I Komnena. Sigurisht, autori mbështetet edhe në kronistë të tjerë që flasin për luftërat midis bizantinëve dhe normandëve në tokat e Ilirisë, si bie fjala kronikat e Georges Ostrogorsky: “Më 12 shtator 1185, – shkruan Ostrogorsky – i fundmi i perandorëve Komnena përjetoi një vdekje të tmerrshme, ai që ishte përshëndetur vite më parë si shpëtimtari i peranorisë, u bë copë-copë në mënyrën më barbare […] (Shqipëria në luftën Bizantine-Normande, Aleksiada, f.81). Në këtë kohë luftërash të humbura të Bizantit, më 1190 u krijua principata e Arbrit, me mbret Progonin.
Përkthimi, i pjesëve të kronikës nga varianti frëngjisht i bizantologut francez Bernard Leib, shoqërohet me një komentar, në mënyrë që lexuesi të hyjë në tekstin e shkruar para nëntë shekujsh : « Krahas Durrësit dhe krahinave përreth, ku u zhvilluan luftimet më të mëdha, në kronikë njihemi dhe me betejat e ashpra të zhvilluara në Gllavinica (në zonën rreth Ballshit të sotëm, Gllabinitza), në grykat e Shkumbinit apo Vjosës, deri lart në Devoll e po kështu në Petrelë apo Petrula, siç e shkruan Ana Komnena […] (po aty, f. 23).
Durrësi është një qytet që shfaqet nëpër librat e autorëve mesjetarë dhe modernë qysh nga analet ekleziaste 1468 e deri te L’Histoire de l’Adriatique (botim nën drejtimin e Pierre Cabanes më 2001. Pierre Cabanes për emrin Jon, i referohet një historiani antik Appieu, i cili flet për një gojëdhënë sipas së cilës, Joni ishte fisnik ilir: « Herakliu e vrau gabimisht Jonin, djalin e Durrhakhios. Pasi i bëri një ceremoni funebre, trupin e tij e hodhi në det, që ai të mbante emrin e tij, Jon” (po aty, f. 14, 15).
Ana Komnena jep edhe portretin fizik të luftëtarëve, si: « Roberti, ky Normand me një prejardhje të errët, bashkonte brenda tij ambicien e madhe me një finesë të tejskajshme. Forca e muskujve të tij ishte e jashtëzakonshme. Gjithë dëshira e tij ishte të shtonte pasurinë dhe të arrinte në lartësinë e njerëzve të fuqishëm (po aty, f. 93). Aleksiada, shkruan autori, nis me përshkrimin e revoltës së Frankut Roussel de Bailleul dhe Ana si kroniste shënon fitoret apo humbjet nga cilido krah që të jenë, pavarësisht qëndrimeve të saj emocionale të ftohta për figurat kundërshtare. Gjithmonë ajo thotë « sipas mendimit tim », duke i lejuar lexuesit që të imagjinojë. Ja si e vazhdon ajo përshkrimin fizik të Robert Guiskardit në përkthimin e Luan Ramës: « Shtati i tij i lartë e kalonte atë të luftëtarëve të mëdhenj. Fytyrën e kishte në një ngjyrë të errët të theksuar, flokët e verdhë, shpatullat e gjëra dhe sytë e tij dukeshin sikur lëshonin rrufe (po aty, f. 93).
Në kronikën e saj jepet edhe vdekja e Aleksit I Komnena. Në përshkrimin e vdekjes, lexuesi e kupton se dhimbja për vdekjen e njeriut të shtrenjtë nuk ka ndryshuar: « Dorën e autokratit e lashë të binte nga dora ime […] Nëna më bënte shenjë që t’i tregoja për pulsin e tij. Kur e preka sërish me dorë, pikasa se gjithçka jetësore e tij po shuhej pak nga pak dhe qarkullimi i gjakut në arterie ndaloi. […] Bazileusa e kuptoi dhe tepër e dëshpëruar lëshoi një klithmë dhimbjeje që jehoi deri larg. Si mund ta përshkruaj efektin e asaj katastrofe që mbështolli gjithë tokën dhe si t’i tregoj dhimbjet e mia. Ajo hoqi nga koka shallin e saj perandorak dhe me një thikë të vogël preu flokët gjer afër lëkurës. Pastaj hoqi nga këmbët këpucët e purpurta dhe kërkoi sandale të zeza të zakonshme … hoqi rroben e saj të purpurt dhe u vesh me një rrobe të zezë. Ndërkohë autokratori i jepte shpirtin Zotit dhe dielli im u zhduk … » (po aty, f. 251).
Me Arvanitët udhëve të Greqisë
Ka një lloj malli të pashuar përshkrimi i vendeve dhe njerëzve të atjeshëm, sepse në mes është Çamëria shqiptare, e ndaluar për banorët e saj që u dëbuan dikur me dhunë nga vendlindja e tyre. Kujtimi i nënës së Luanit që nuk mundi të shkonte në Filatin e saj të fëmijërisë as pas vitit ’90 është një plagë e madhe shpirtërore; ishte një ligj i paligjshëm që i ndalonte të shkonin në Greqi, ata shqiptarë që kishin lindur në Çamëri. Ajo dashuri e dhimbje është trasmetuar edhe te Luani, ndaj ai qëmton nëpër kujtimet e udhëtarëve anglezë, francezë apo gjermanë çfarë thuhet edhe për Filatin e i përkthen. Louis Dupré, piktor francez shkruan kështu në kujtimet e tij : « Freskia e atij vendi dhe qetësia që e rrethonte, bukuria e pamjeve që kishim para syve dhe ideja e gjithë atyre vendeve që duhej të përshkonim, gjithçka më fuste në një gjendje të ëmbël e ëndërronjëse, ku shpirti ndjehet i lumtur. Duke dalë nga ai pyll i bukur, ne kaluam para një shapele rustike, sipër së cilës Virgjëresha e shenjtë e pikturuar në një afresk … » (Me Arvanitët udhëve të Greqisë, f. 9).
Një ditë Luani i kërkoi nënës së vet t’i fliste pak për Filatin e fëmijërisë së saj, sepse do të shkonte ta shihte edhe për të. Dhe, kur mbërrin në atë vend, ai përballet vërtet me pyllin e vogël të rrëfimeve të nënës, për të cilin kishte shkruar edhe piktori Louis Dupré. Pylli i fëmijërisë së nënës së tij papritur kthehet në personazh.
Librat e autorëve që kishin bërë botime që herët për folklorin shqiptar, ai i gjeti në Institutin e gjuhëve orientale ku dha disa kohë ligjërata. Midis tyre është edhe August Dozon-i që kishte mbledhur folklor edhe në Epir. Ato ishin njëlloj me përrallat që i tregonte gjyshja në fëmijëri me fjalët e moçme të dialektit të bukur çam, si për shembull : klumësht (për qumësht), gluhë (për gjuhë), glisht (për gisht) etj., me atë ëmbëlsi që sjellin fjalët me tingullin « l ». Ai njihet me karrierën e diplomatit dhe gjuhëtarit Dozon (konsull i Francës në Janinë) përmes kujtimeve të bashkëkohësve të tij dhe korrespondencës, përmes librave dhe shkruan një libër për të që e titullon Shqipëria e Auguste Dozon-it (2016). Dozon-i ka mbledhur folklor në disa vende të Ballkanit, si në Serbi, Mal të Zi, në Bosnjë-Herzegovinë, në Albani, në Dalmaci etj. Përrallat shqiptare i botoi me titullin Contes albanais. Dozon-i është njohur me shkrimet e Dora d’Istrias, botuar te Revue des deux mondes, në Paris, njëri për kombësinë shqiptare përmes këngëve popullore dhe tjetri për kombësinë serbe përmes këngëve popullore. Shkrimet e saj qenë një burim i pasur për studimet e tij, sepse edhe referencat e studimeve të saj ishin të pasura, që nga Dhimitër Kamarda, Hahn, Petta, Hecquard, Crispi, Dorsa e gjer te De Rada.
Më këtë libër Luan Rama i ka ngritur një monument letrar August Dozon-it që krahas gjuhëtarëve e diplomatëve si Hahn, Reynold, Meyer, Pedërsen, kanë ndihmuar të njihen në botë gjuha, doket dhe një pjesë e folklorit shqiptar.
Sigurisht është e vështirë të ruash një vijë lineare kur flitet për librat e tij, sepse ata janë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Në rrëfimet e Pouqueville-it e të disa udhëtarëve të tjerë të huaj për Çamërinë dhe për vise të tjera shqiptare, ai ka vënë re se asnjëri prej tyre « nuk e lidhte historinë e Çamërisë me Greqinë, por fliste për Epirin e Shqipërisë ». E, megjithatë, në ato që shkruan ai për këtë subjekt nuk ka urrejtje. Ai tregon me shembuj për të njëjtin fat që i priti edhe Grekët që ndodheshin në Shqipëri për arsye martesash apo arsye të tjera; edhe ata nuk e panë Greqinë e tyre, deri sa ra Muri i Berlinit.
Në këtë libër autori na njeh me historinë arvanite, me udhëtimet e tij nëpër Athinë, me përshkrimet për Akropolin, pastaj për Hidrën, për takimin me një nga pinjollët e Boçarëve, për Suljotët, për hotelin ku fjeti Bajroni, me portretet e panumërta dhe mes tyre : Aristidh Kola, Bubulina, Eleni Bukura, Ali Dino, Melina Mërkuri (të cilën e pati takuar në Paris qysh kur punonte në studion e filmit si kineast)…
Në epilog ai shkruan: “Sot jetojmë në shekullin XXI, në shekullin e integrimeve të mëdha dhe historia jonë e përbashkët, e gëzuar apo e dhembshme, heroike apo e përgjakur nga masakrat si në Çamëri nuk duhet të na hedhë në barrikada armike, por duhet të na bashkojë“, (po aty, f. 238).
Francezët dhe etnografia shqiptare
Periudha si diplomat dhe pastaj ajo si Ambasador i Shqipërisë në Francë, i ka dha Luan Ramës një lloj frymëzimi konceptual. Kur punonte fillimisht si diplomat, ai mban mend se kishte ardhur në ambasadë një zarf me dorëshkrimin e një etnografeje franceze Jacqueline (Zhaklinë) Benezech që kishte qenë me të shoqin Rëné Benezech në veri të Shqipërisë më 1938, e dërguar nga Musée de l’Homme (Muzeu i Njeriut) në Paris.
Në fondet e atij Muzeu kushtuar Ballkanit, përveç koleksionit të pasur etnografik të çiftit Benezech dhe kasetave të emisioneve në Radio-Francë pas kthimit të tyre nga Shqipëria, janë edhe disa objekte me vlerë etnografike që ka dorëzuar para se të vdiste Justin Godart, senator, mik i Shqipërisë.
Luani u njoh me regjistrimet e bisedave të dy etnografëve që shprehnin simpati të madhe për Shqiptarët dhe e pati parasysh dorëshkrimin aq interesant të shtypur me një makinë shkrimi që ruhej në ambasadë. Dhe një ditë kur pati filluar punën si ambasador i hyri përkthimit për t’ua sjellë shqiptarëve dhe specialistëve të etnografisë në gjuhën shqipe atë material të gjallë. Jacqueline dhe Rëné Benezech kanë dhënë një ndihmesë profesionale për njohjen e Shqipërisë së vogël. Në emisionet e Radio-Francës ata kanë folur për përvojën e tyre shqiptare me zakonet dhe jetën tradicionale, « për pasurinë e kostumeve popullore, për punimin e qelesheve, për zbukurimin e armëve, për historitë me Kanunin » etj.
“Kjo studiuese kishte qenë një mike e vjetër e ambasadës, meqë jo vetëm ky vend, por edhe një histori e veçantë e atij udhëtimi disa dekada më parë e kishte mbajtur të lidhur me Shqipërinë. Pikërisht në malet e Vermoshit, ajo ishte bërë nune e një foshnjeje shqiptare […] të cilën pas atij udhëtimi nuk do ta shihte më”. (Udhëtim në Shqipërinë e Veriut, Voyage dans le nord d’Albanie, f. 9). Ashtu i kishte ndodhur edhe konsullit Degrand, pesëdhjetë vjet para tyre.
René ishte edhe fotograf dhe krahas peizazhit dhe objekteve të tjera ka fotografuar edhe disa kostume popullore. Ja si shkruan ai për kostumet e malsorëve :
“Sigurisht, vështirë të imagjinoja kostum më hijerëndë dhe njëkohësisht më të jashtëzakonshëm nga bukuria dhe me një prerje aq mjeshtërore, çka e bën xhubletën një përjashtim midis kostumeve më të habitshme […] Prerja e kostumeve popullore shqiptare çka është një nga konstatimet që më ka bërë më shumë përshtypje, është gjithnjë mjeshtëria e rrallë e punimit të tyre. Kjo të çon gjithnjë drejt krijimeve me një origjinalitet të madh, me silueta që nuk e kemi zakon t’i gjejmë diku tjetër. Dhe nuk dyshoj se artistët tanë të modës pariziane do të gjenin aty një burim të madh frymëzimi” (po aty, f. 11).
Mes të tjerash Jacqueline shkruan: “Arritëm në një rrafshnaltë nga ku e humbëm nga sytë luginën e Vermoshit. Tashmë ishte si të thuash Zvicra. Hapësira të mëdha bari, të një lugine me një kurorë drurësh të zinj, me lopë e dele. Kishe një përshtypje të madhe vetmie. Tutje, sa një figurë njeriu, dukej një shtëpi mjaft e vogël, e cila ishte e ulët për t’i shpëtuar erës. Një shtëpi e bërë me trungje drurësh […]. Trokitëm në portën e saj. Njerëzit e shtëpisë dukej se ishin plandosur për t’iu nënshtruar dimrit. Zot i shtëpisë ishte Kolë Petrushi. […] Zjarri ishte ndezur mes asaj dhome të vetme. […] Ajo çka dalluam përmes atij tymi ishte se nëpër dërrasa, midis trungjeve ishin të varura objekte etnografike. […] Sigurisht, kur bëhej fjalë për armë, asnjëherë nuk flitej për armë gjuetie” (po aty, f. 60).
Përshkrimet e vendeve, njerëzve dhe objekteve në tekst janë vërtet fantastike dhe çdokush i lexon ato edhe si një roman ku pavarësisht nga jeta që përgjithësisht është e rëndë deri në mjerim, etnografët përballen me një dëshirë të madhe për ta ndihmuar dhe pritur me zemër bujtësin. « Dashuria dhe respekti për kulturën franceze kanë mbetur të gjalla në zemrën e secilit, i ri apo i vjetër, i shkolluar apo fshatar […] (po aty, f. 228).
Autori i njeh përgjithësisht ato vende për të cilat flitet në librin e etnografes franceze, sepse pati shkuar dikur si kineast kur xhironin në Vermosh, në Bjeshkët e Namuna, në Kukës, në Nikaj-Mërtur, Ragam, Dragobi apo gjetkë.
Franca vend mikpritës i intelektualëve shqiptarë dhe i disidencës shqiptare
Luani zbulon një Francë tjetër me të cilën shqiptarët kanë krijuar që herët lidhje të forta pavarësisht nga pushtetet. Këtë ide e paraqet ai në librat e tij duke u bërë një interpretues i denjë i këtyre marrëdhënieve: Pashko Vasa botoi një roman frëngjisht; Faik Konica qëndroi disa kohë në Paris; po ashtu Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) qëndroi disa kohë në Francë pasi u kthye nga Bashkimi Sovjetik…; madje në disa qytete ish-minatore të jugut të Francës, ka bashkësi shqiptare; shumë studentë të liceut artistik të Korçës bënë studime në Francë, por edhe disa studentë në kohën e Enver Hoxhës (edhe ai vetë kishte qenë disa vjet në Francë); Ismail Kadare, kërkoi azil politik në Francë si dhe shumë shqiptarë të tjerë në vitet ’90 …
Miqësi dhe lidhje konkrete, gatishmëri për të ndihmuar dhe zgjidhur probleme në rrafshin zyrtar dhe njerëzor e shumë fakte e ndodhi të tjera, e pasurojnë figurën e Luan Ramës me karakteristika të tjera: Solange d’Angely i botoi librat e të atit në shqip në sajë të ndihmës së tij dhe do ta ruajë miqësinë deri në çastet e fundit të saj; kur u nda nga jeta Jusuf Vrioni, gruaja e tij Luanin lajmëroi; Omer Kaleshi zgjodhi Francën për të jetuar e për të zhvilluar talentin e tij si piktor (Rama shkroi dhe botoi shumë për të dhe e bëri të njohur edhe në Shqipëri). Në prill të vitit 2022, nën titullin “Omer Kaleshi dhe macja e zezë », ai shkruan në Facebook:“Mbase ishte udhëtimi i tij i fundit i bërë me kënaqësi. Qemë nisur për në Honfleur të takonim dy miqtë tanë piktorë: Artur Muharremin dhe Valdet Hamidin. Ishte një kohë e bukur dhe gjithçka ishte dehëse në sytë dhe shpirtin e tij. Të nesërmen në mbrëmje ishim në tryezën bujare të Valdetit, kur papritur macja e zezë e shtëpisë kërceu pranë Omerit dhe qëndroi në tryezë krah tij. Omeri qeshi. Ky imazh më pëlqeu dhe e fotografova.
Dy javë më vonë ndodhi tragjedia: Omerin e gjeta shtrirë mbi parketin e atelierit të tij në Paris. I kishte rënë hemoragji cerebrale. Askush nuk e dinte se ç’kishte ndodhur dhe ku ndodhej. Menjëherë e dërgova në një klinikë spitalore. Nuk fliste, nuk lëvizte. I shkoja çdo ditë. E ushqeja si fëmijë ; pasi s’donte të hante. Veç kësaj, i ra edhe kovidi. Shkoi gjer në prag të vdekjes, por dëshira për të pikturuar ishte e gjallë te ai.
Prej kohësh Omeri më kishte kërkuar të mbaroja librin “Omer Kaleshi nga A në Z”, në të cilin do të përmblidhej jeta e tij, origjina, familja, udhëtimet nëpër botë, mendimet e tij, miqtë që e shoqëruan në këtë jetë, vendet e tij mitike, shkrimet dhe librat e autorëve të shumtë mbi të, fotografitë… Dhe unë doja ta mbaja premtimin. E botova dhe ia çova bashkë me miken e tij, poeten Laure Cambau. Një libër i botuar me aq shumë dashuri nga botuesja dhe poetja e njohur Rita Petro. Pikturat e tij ishin tashmë në shtëpinë e saj. Omeri nuk u besonte syve kur e pa librin të botuar. Më së fundi!… E mori dhe e pështolli me duart që i dridheshin. E mbajti mbi gjoks. Ishte i lumturuar. Sigurisht e fotografova ashtu në shtrat. Ajo foto mbeti kujtimi i fundit.
Kur u përmirësua disi, e shoqërova për në Stamboll, pranë familjarëve të vet… Sa shumë lumturi kishte në sytë e tij! Ishte udhëtimi i tij i mbramë. Mes njerëzve të dashur ishte i qetë. Një javë më vonë u shua dhe u varros pranë varreve të prindërve. La pas atelierin e tij të heshtur dhe mbi kavalet tablonë e fundit të pambaruar. Thoshte se duhej edhe një seancë, të cilën nuk e realizoi dot. E shoh foton e tij me macen e zezë, dhe e kujtoj si qeshte. Çfarë rastësie! Ka njerëz që janë supersticiozë, dhe e shpjegojnë shfaqjen e maces së zezë me një fatkeqësi të madhe, por unë jo… e po kështu edhe Omeri”!
Por Franca është njëkohësisht mikpritëse e disidencës botërore dhe e artistëve krijues në të gjitha kohërat. I njohur është fakti që Leonardo DaVinçi erdhi në Francë në vjeshtë të vitit 1516 nën mbrojtjen e mbretit François Ier, që ishte edhe dashamirës i artit. Shumë artistë janë bërë të njohur në Francë. Kjo mikpritje mori përmasa homerike në shekullin XX. Luani ka shkruar një libër edhe për këtë dukuri. “Në atë kohë që “quhej “La Belle Epoque”, jetuan dhe patën aventurat e tyre në Paris si Heminguei, Fitzgerald, Miller, Anais Nin, Man Ray, e shumë të tjerë […] kam qenë në të gjitha shtëpitë e tyre ku kanë jetuar dikur, kam fotografuar rrugët dhe përshkuar itineraret e tyre, çka është mjaft pasionante për një njeri që e do artin dhe letërsinë”! ( Parisi letrar, 2015).
Intermexo
Luan Rama ndërton të vërtetën historike, ura të lidhjes së njerëzve e kulturave jo vetëm si studiues dhe shkrimtar, por edhe si humanist. Historia në duart e tij thuret ngadalë, me mendje të kthjellët, të pasuruar nga leximet për njohjen e historisë së të parëve tanë, larg qëndrimeve të njëanshme. Po ashtu vepron ai duke treguar pa bërë komente për dhunën revolucionare të pasçlirimit. Si shembull, mes të tjerash, mund të shërbejë edhe historia e Leones, francezes së re që erdhi në Shqipëri me shqiptarin që donte, i cili bëri atje studime për drejtësi, e që një ditë u pushkatua nga shteti i diktaturës së proletariatit; ajo u detyrua të kthehej në Francë me vajzën Denisa, dhe ta kalonte jetën me kujtimin e dashurisë së ndërprerë në mënyrën më të egër. Ai i ka hedhur dritë mbi ata që e pësuan nga lufta e klasave dhe u ka krijuar një vend nderi në kujtesën kolektive që nuk duhet të lejojë më shkejlen e të drejtave të njeriut.
Fabrika e librave
Në të ndarën e vogël të shtëpisë, ku ruan librat e botuar, Luani duhet të bëjë një zgjedhje, se ata janë të shumtë, po të kemi parasysh edhe librat fiksionalë si shkrimtar dhe disa përkthime të autorëve bashkëkohorë shqiptarë. Me modestinë e tij karakteristike, ai e kalon në heshtje punën e tij, e cila mund të quhet ndryshe Fabrika e librave. Parisi është një hapësirë e madhe lidhjesh kulturore dhe njerëzore që janë endur prej kohësh midis Shqipërisë dhe Francës. Ai është gjithnjë në kërkim të lidhjeve ende të pazbuluara. Në një intervistë të kohëve të fundit, pyetjes se “çfarë po shkruani”, ai i përgjigjet: “ Ndërkohë paralelisht po shkruaj dhe një tregim për francezin Pierre Batiffol i cili në vitin 1885 u nis nga Parisi për të shkuar në Berat për të gjetur gjurmët e kodikut të famshëm Purpureus të Beratit të shekullit VI. Eshtë diçka letrare por mjaft besnike me kohën kur shkoi dhe studimin e tij rreth këtij kodiku”.
Përfundime
Tekstet e Luan Ramës përcjellin idenë se populli ynë, pavarësisht se mbeti i robëruar për shekuj me radhë, ruajti në vete, në pjesën më të mirë të tij, një identitet të pamposhtur. Kjo cilësi e karakterit të tij gjë i ka tërhequr edhe studiuesit e huaj.
Veç kësaj, tekstet janë të lidhur në një formë rrethore me efekt pasqyrash që shumëfishojnë objektin, sepse teksti ka sjellë tekstin. Në një farë mënyre Luan Rama ka ecur në gjurmët e Faik Konicës që ishte shkrimtar, kritik e diplomat. Të shkruarit është bërë njëlloj si frymëmarrja për të, qofshin këta libra me karakter historik, qofshin ato me karakter letrar. Midis realizmit dhe fiksionit janë edhe librat e fillimit këtu në Francë si Fransua Miterand – romantizmi i pushtetit, 1996 (ribotuar më 2014) dhe Gjenerali De Gol, një legjendë e gjallë, për Charles de Gaulle, 2004, ribotuar me plotësime më 2020 etj.
Pothuajse të gjitha botimet e tij të kësaj natyre janë të pajisur me epilog, me një album fotosh apo pikturash, me burimin e informacionit, me shpjegime termash etj.
Dy fjalë për jetën
Fillimet krjuese të Luan Ramës janë si kineast, një përvojë themeltare për punën e tij të mëvonshme. Ardhja e tij në Francë si punonjës diplomatik dhe pastaj në detyrën e lartë të Ambasadorit, e ndryshoi karrierën e tij duke i dhënë përmasa të paparashikuara. Në një intervistë ai thotë se do të donte që « dita dhe nata të ishin dyzetë e tetë orë ».
Punonjës diplomatik që kryen disa funksione : Ambasador i Shqipërisë në Francë pastaj punonjës në Unesko, profesor në Institutin e Gjuhëve orientale, gazetar në Courrier International e të tjerë, janë detyra për të cilat ai ka marrë disa çmime dhe tituj. Krahas punës së si hulumtues i marrëdhënieve të hershme historike dhe kulturore Francë-Shqipëri, ai ka çuar më tej edhe punën e tij krijuese si shkrimtar.
Megjithëse ka përballuar një ngarkesë të madhe si diplomat dhe si krijues, ai ka qenë një familjar i përkushtuar. Ai është i martuar me një inxhiniere ndërtimi (e cila në Francë ka punuar në Cegedim, shoqëri statistikash), është baba i dy vajzave që kanë bërë studime të shkëlqyera, njëra në Ecole Luis Lumière për fotografi artistike (e cila ka botuar një libër për fotografinë në kohën e censurës) ; vajza tjetër ka mbaruar Grande Ecole Université Dauphine dhe drejton departamentin e Financës në një shoqëri të madhe franceze. Të dyja janë të martuara dhe kanë fëmijë./exlibris.al