Prof. Ymer Çiraku: “Zgjimi” i zërave të letërsisë arbëreshe në shkrimet e Ernest Koliqit

Prof. Ymer Çiraku
Ernest Koliqi mbetet në botën shqiptare një nga personalitetet më të shquara në fushë të letërsisë, të përkthimeve e kritikës letrare. Në çdo aktivitet të tij letrar, kulturor e intelekual, ai përcolli jo vetëm frymë dhe shije perëndimore, por i realizoi ato edhe me një nivel të lartë, pra, krijoi nga ato shkrime “të shkruara me laps ari”, sikundër e kishte shprehur në një rast vlerësimi për një poet freng, por që me sa duket, e mbante dhe si devizë të tij. Dhe prandaj ato shkrime shenjohen e mbeten pa mëdyshje, traditë e fortë referuese.
Në opusin e kontributit të tij të gjerë në kritikën letrare, vend të rëndësishëm zënë edhe shkrimet mbi letërsinë arbëreshe. Ato kanë një shtrirje vertikale, nga aspekti i shqyrtimit të autorëve nëpër rrjedha historike, duke arritur që ta sjellë zhvillimin e kësaj letërsie, si një univers krijues koheziv, brenda rrethanave kushtëzuese etnokulturore, nëpër të cilat ajo realizohej. E krijuar brenda gjuhës shqipe, sigurisht, që ajo projektohet dhe ngjizet si pjesë e sistemit letrar shqiptar, por që në kushtet e krijimit në një mjedis me ndikime shtesë/suplementare dhe specifike kulturore e letrare, doemos, që ajo përvijohet në trajta unikale, nga apekti konceptual dhe i regjistrave ligjërimorë të shfaqur. E kjo, nuk krijon për të kurrsesi tjetërsim, apo largim “fatal” nga sistemi origjinar, veçse derdhet si vlerë e shtuar pasuruese, brenda këtij sistemi pritës.
Brenda kontributit mjaft profesional e të pandalur rreth letërsisë shqipe, interesimi i gjerë i gjerë i Koliqit për letërsinë arbëreshe, u nxit edhe nga një rrethanë e jetës së tij. Qysh nga viti 1943, kur merr drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe (prej vitit 1957 e emërtuar si Instituti i Studimeve Shqiptare) në Universitetin “La Sapienza”, e deri sa ndahet nga jeta (1975), ai jeton e punon në Romë. Këtu do të ketë rastin, që këtyre viteve, të jetë në kontakt me studentë arbëreshë, me krijues dhe studiues të kësaj letërsie e kulture, e cila, nuk rezultonte të ishte vetëm pjesë e traditave të dikurshme të konservuara, por që vazhdonte të mbijetonte, duke përcjellë vlera të reja.
Sidomos përmes revistës së themeluar e drejtuar prej tij, “Shêjzat” (1957-1974), që kishte për devizë të saj të bëhej “nji hyllsí vërtytesh arbnore”, e përcaktuar dhe e vlerësuar tashmë si një nga periodikët më jetëgjatë e më të dalluar të kulturës shqiptare, E. Koliqi botoi këtu një varg shkrimesh mbi autorë e dukuri të letërsisë arbëreshe. Duhet theksuar se revista, e drejtuar qysh nga numri i parë e deri në fund nga Koliqi, kishte një këshill botues, ku bënin pjesë personalitete të klasit të parë, shqiptarë e të huaj si: Karl Gurakuqi, Claus Haebler, Alois Schmaus, Zef Valentini, Francesko Solano, Namik Ressuli, Arshi Pipa, Lluka Perrone, Giusepe Gradilone, Georg Stadtmuller, Rosolino Petrotta, Mirçea Popesku, Franz Babinger, Gerhard Grimm etj.
Falë talentit dhe formimit të gjerë teorik, Koliqi mbetet padyshim, dekani i studimeve të thella/mprehta letrare në faqet e kësaj reviste. Shqyrtimi i historisë së letërsisë shqipe, dhe, posaçërisht konceptimi i saj si një histori letërsie kombëtare, mbetet një lloj obsesioni në mjaft trajtesa të tij. Ka bindjen se periodizimi i kësaj letërsie, nuk mund të bëhet kurrsesi mbi regjione të ndonjë natyre tjetër, veçse atyre letrare, estetike. Për të, historiani i letërsisë shqipe, e ka për detyrë që “ujdhesat letrare” (në kuptimin e shkollave apo drejtimeve letrare), t`i shqyrtojë në raportet e referencave stilistike, të cilat, dëshmojnë realisht prirjen e kohezionit kombëtar të kësaj letërsie, brenda regjistrit të saj polifonik. Mbas mendes s`eme, shkruante Koliqi, kriteri themeltar për të rrjeshtue vlerat letrare t`ona në nji vepër, ku çdo kontribut i dhanun të gjejë vendin e peshën e njimendët, jo pajambajtas, por me paansi, duhet të përpilohet me nji kriter kronologjik, pa marrë parasysh gjymtyrën e fisit shqiptar, ku lulzuen auktorët, qi na e dhuruen… (Koliqi, Vepra 5, fq.15) Me këtë vizion estetik, i ngritur pra, përtej vështrimeve dritëshkurtëra të toposit të mëhallës, ai vrente se, për nga ngjasimet dhe prirjet përfaqësuese stilistike psh Mjedja është më afër Zef Skiroit (junior) se Fishtës dhe të tjerëve shkrimtarë të qarkut letrar të Shkodrës; vet Koliqi ndjehet më afër L. Poradecit se V. Prenushit e Bernardin Palajt; Shantoja në prozë është më afër Konicës se Anton Harapit etj. (po aty).
Këtë rrugë dhe model interpretimi të historisë së letërsisë shqipe, ai e shikonte të realizuar nga një studiues i formatit dhe vizionit të atillë, i cili, do të ishte i përgatitur mirë në njohjen e historisë së letërsisë kombëtare e asaj botërore, pra, “i ndritun nga parime të përpikta estetike, i pajisun me shije të natyrshme, hollue nëpër lexime të zgjedhuna…” (“Shêjzat”, nr. 1-2, 1971).
Dhe ato parime, që i shtronte para të tjerëve, Koliqi si studiues, duket se i zbatonte korrektësisht edhe në studimet e veta. Këtë e dëshmonte edhe me rrugën që vet kishte ndjekur në përgatitjen e botimit në italisht të librit “Antologjia e lirikës shqipe” (Milano, 1963), në blejtë e së cilës, rrinin natyrshëm pranë e pranë krijues toskë, gegë, arbëreshë, kosovarë, si pjesëtarë të së njëjtës përpjekje letrare, pa dallime visi e rrethi. (E. Koliqi, vepra V, f.15).
Një studim model për nga metodika e që çel horizont në punën e historianëve të letërsisë, është ai me titull “Evolucioni historik i lirikës shqiptare”, botuar në nr 1-2/1962 tek “Shêjzat”, përfshirë si parathënie e antologjisë së sipërcituar, përkthyer e përgatitur nga vet Koliqi. Në mënyrë sintetizuese, këtu shënjohen origjina, arritjet dhe tendencat e këtij zhanri letrar. Sipas tij, lirika shqipe pagëzimin (fillimin) e vet si zhanër, vështrohet që ta ketë marrë nga bota arbëreshe e konkretisht, përmes veprës-poemë “Gjella e Shën Mërisë së Virgjërë” e Jul Varibobës, nga katundi i Mbuzatit (San Giorgio Albanese) të Kozencës.
E shkruar në shekullin e 18-të, ajo vepër përbën një gur themeli në letërsinë shqipe dhe Koliqi e vlerëson për gjuhën e gjallë, të lëmuar, me kolorit të dukshëm jetësor. I nxitur doemos nga një ndjenjë e fortë fetare, J. Variboba arriti ndërkaq, që këtu, të poetizonte në mënyrë spontane mjedisin real rural arbëresh, me gjithëshka jetësore, që gjallonte atje, në një komunitet katundesh të shumta, që endej si barka në tallaz mes vendit të bukës dhe vendit të ëndrrës (atdheut të largët të të parëve). Kjo në fakt, ishte udha e kërkimit real e shpirtëror të identitetit të atij komuniteti, ku Variboba, luajti një rol prej misionari – për t`i çelur udhën pastaj “treshes” së madhe të poetëve pasardhës: Jeronim De Radës, Naim Frashërit e Gjergj Fishtës.
“Këta tre poetë – shkruan Koliqi, ndonëse shumë të ndryshëm mes tyre, janë tri shprehje të së njejtës frymë shpirtërore përflakëse, tri degëzime të së njëjtës rrënjë që zhytet në thellësitë misterioze të humusit etnik trako-ilir dhe që ushqehet me lëngun e tij jetësor më të pastër. Ata janë një sintezë e mahintshme e shpirtit të një kombi, në të cilin Islami, Ortodoksia dhe Katolicizmi, harmonizohen në tingëllimin e gjuhës së lashtë të përbashkët dhe në fërgëllimat e gjakut të fortë të përbashkët.” (Ese të letërsisë shqipe, T. f. 92).
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një tezë, që na rezulton të hidhet për herë të parë deri atë kohë, pikërisht ajo e njohjes dhe e vlerësimit në struktura gjegjëse të hallkave lidhëse në letërsinë shqipe. Pra, të vështruarit e kësaj letërsie, brenda një sistemi të atillë vlerash letrare, të cilat, përcillen nëpër lëvizje vijuese dhe që rafinohen në një proces rritës nga koha në kohë. Sigurisht, që për përcaktimet e rrjedhave kronologjike dhe stilistike, për përfaqësuesit dhe kualitetet e këtij procesi letrar, janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, sipas koncepteve të hartuesve të historive përkatëse të letësisë shqipe, të botuara në vite të ndryshme nga grupe autorësh apo dhe autorë të veçantë. Por gjithsesi, për E. Koliqin mbetet parakusht detyra e të vështruarit dhe të interpretuarit të letërsisë shqipe si një sistem unitar. Pra, çdo periudhë, çdo autor dhe çdo prirje e marrë në shqyrtim, ndonëse të trajtuara veçmas metodikisht, duhet të gjykohet dhe të dëshmohet si hallkë e letërsisë kombëtare shqipe. Dhe kësisoj, kjo krijon mundësinë për ta rrokur si tërësi gjithë këtë letërsi, të cilën, brenda larmisë stilistike dhe dukurive sado “centrifugale” apo të “paparashikuara” nga aspekti i risive, e bashkon me një mijë fije gjuha dhe shumë elemente të tjerë antropologjikë kulturorë.
Psh kur është rasti për historinë e lirikës shqipe në rrjedhë të shekujve, Koliqi e koncepton me të drejtë atë si njësi unitare e brenda saj, autorët dhe veprat e ndryshme të tyre, nuk janë veçse pjesë e tërë kësaj njësie, ashtu si gurët e një mozaiku, që janë shenja më vete – por dhe pjesë përbërëse e atyrë linjave, që krijojnë së toku figurën tërësore të mozaikut. Për të, poetët e epokave dhe prirjeve të ndryshme lirike, nga aspekti stilistik, janë pjesë e përveçme (origjinale), të cilët, modelojnë si kontribues të përbashkët portretin specifik të gjithë lirikës shqipe, e cila, ka tiparet e veta të papërsëritshme – në raport me lirikën e shprehjeve të tjera gjuhësore.
Pikërisht me këtë strategji studimi, përmes revistës që drejtonte, me shkrimet që botonte dhe ligjëratat në konferenca të ndryshme shkencore, në mjaft raste ai afirmonte dhe nxirrte në pah nga ata autorë dhe nga ato vepra, që ishin të ndaluar dhe anatemuar për arsye jashtëletrare, në të dy anët e kufijve të Shqipërisë. Ky angazhim, vinte si obligim moral i një krijuesi të njohur/afirmuar për të mos u pajtuar kurrsesi me mohimin e padrejtë të krijimtarisë së si vëllezërve të tij, të provuar prej shumë vitesh edhe mbi vet atë. Por para së gjithash, vinte edhe sepse ai ishte ndjekës dhe respektues i kriterit shkencor të interpretimit tërësor dhe jo izolacionist të rrjedhave të letërsisë. Sikundër vrehet tek parathënia e librit “Ese të letërsisë shqipe” nga studiuesja Dhurata Shehri (që është dhe përkthyese e tij), Koliqi – ndonëse ishte një i përjashtuar nga mediumet e vendit amë, vet nuk ishte kurrsesi përjashtues në shkrimet e tij kritike ndaj të tjerëve, “madje edhe ndaj detraktorëve të tij”.
Brenda sistemit letrar, Koliqi njeh kuotat e larta, por njeh po ashtu edhe diferencat mes epokave letrare dhe mes krijuesve, të cilat, krijojnë së toku relievin estetik të kësaj letërsie. Por letërsinë arbëreshe, ai nuk e sheh si një oaz të izoluar dhe prej këtej, të trajtuar si një rrjedhë letrare endemike. Këtë vështrim të tij nga pozita unitariste të letërsisë, e provojnë krahas të tjerave, edhe interpretimet krahasuese (në jo pak raste), apo pranëvendosjet krahasimtare mes autorëve përkatës, vështruar këto nga aspekti tematik, i fondit të mesazheve të përcjella, si dhe i afërive e dallimeve të natyrës stilistike.
Psh tek vepra e De Radës, ai vren të sintetizuar metaforikisht “kujtesën e gjakut” të të parëve (si premisë e romantizmit nacional). Por që poeti arbëresh, duke qënë se krijoi edhe në epokën, por edhe në frymën romantike europiane, iu shmang retorikës së saj, duke preferuar zhytjen në puset e thella të ndjenjave më intime njerëzore. Dhe me veprën që vlerësohet edhe si kryevepra e tij, “Këngë të Milosaos”, De Rada përuroi erën e letërsisë së kultivuar shqipe.
Kurse Naimi, me shpirtin e përndezur prej ndjesive mistike, por sidomos prej zjarreve të ideologjisë nacionale të fazës së dytë të krijimtarisë së tij, krijon një poezi, që rigon si një shi drite çlirimtare në jetën e vështirë e të ashpër shqiptare. Koliqi thekson se tek ky poet rilindas, bota shqiptare pikturohet e larë/pastruar poetikisht nga tonet e errëta të regresit e prapambetjes ekonomike të kohës. Pra, kjo botë shqiptare, projektohet brenda synimit dhe idealit rilindas, ashtu siç duhej të ishte e jo sikundër ishte në të vërtetë ai realitet. Dhe siç shkruan tek “Shêjzat” (1-2/1962): “Krejt ndryshe, realiteti shqiptar pasqyrohet në mënyrë t`admirueshme në veprën e Gjergj Fishtës, i cili, me synin e tij, depërton ndër skutat ma t`thella dhe hulumton qoshet ma misterioze të shpirtit kolektiv për me zbulues forcat e origjinës dhe t`esencës veçanërisht etnike. Genin e racës e gjen ndër banorët e maleve, që e kanë ruejtë të pacënuem humanizmin e tyre fillimor, prej të cilit, lulëzojnë përvojat mijëvjeçare të popullit shqiptar…”.
Sipas Koliqit, këta tre poetë (De Rada, Naimi, Fishta), ndonëse shumë të ndryshëm mes tyre, janë shprehje të së njëjtës frymë shpirtërore përflakëse. “Ata janë një sintezë e mahnitshme e shpirtit të një kombi, në të cilin Islami, Ortodoksia dhe Katolicizmi, harmonizohen në tingëllimin e gjuhës së lashtë të përbashkët dhe në fërgëllimat e gjakut të fortë të përbashkët. Ortodoksi De Rada, muhamedani Naim dhe katoliku Fishta, bashkojnë valët e poezisë së tyre në të njëjtin lumë…”.
Në shkrimet e tij për letërsinë arbëreshe nuk përfshihen vetëm shqyrtimet mbi autorë të traditës. Nuk mungojnë edhe mjaft autorë që ishin dhe bashkëkohorë me si: Dushko Vetmo (Francesko Solano), Lluka Perrone, Voreo Ujko etj. çka konfirmonte dhe vijimësinë reale të këtij areali letrar. Në një nga shkrimet e tij mbi librin me poezi të V. Ujkos, “Zgjimet e gjakut” (1971), Koliqi e çmon qëndresën e kësaj letërsie edhe në kohët moderne. Vargjet e poetit, fare mirë mund të përcilleshin edhe në italisht, madje në trajta të lëmuara e të rafinuara, por ai “donte t`ia këndonte mâ parë vetvetes kângët e fjetuna në mshefsít e shpirtit e mandej tjervet. Ai lakmonte m`u përkundë në to për të shue nji nevojë urdhnore”. Pra, kjo letërsi vinte si një kërkesë e brendshme, gati mistike, pra, “urdhnore”, siç e cilëson ai figurativisht kredon e qëndresës udentitare.
E kjo situatë optimiste e bën Koliqin, tek shkruan për autorët bashkëkohorë arbëreshë, të besojë tek “Zgjimi i zânavet [zërave] arbneshe…”.
Dhe besimet nuk i kishin munguar dhe nuk e kishin zhgënjyer, qyshse më parë Koliqin. Edhe kur shkroi dramën me mesazh metaforik “Rranjët lëvizin”. Që do thoshte se ato nuk mund të thahen, por rezistojnë dhe rizgjohen.
E pjesë e çmuar e këtyre “rrënjëve” kulturorë dhe identitarë, është edhe letërsia arbëreshe, që tek E. Koliqi, gjeti një studiues race dhe fort të përkushtuar.
***
Shënim: Ky shkrim është parathënie e librit “Shkrime të Ernest Koliqit për letërsinë arbëreshe”, botim i QSPA (Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët).