Behar Metohu: Of… ne
Tregim
– E more vesh?
– Çfarë, – tha tjetri, i cili më shumë shikonte celularin, se atë që kishte përballë.
– Të gjithë ata qelbësirat vazhdojnë të mbrojnë një qelbësirë.
– Dhe?! …
– Ata, të pamoralshmit duan të bëjnë moral dhe të mësojnë se çfarë duhet të bëj drejtësia.
– Ou dhe ti akoma me këto? Ata janë mjeshtra të vjedhjes dhe mashtrimit.
– Mirë, mirë flet ti kështu se i ke gjërat në rregull. Po të kesh ti problemet që kam unë nuk do të ishe kaq indiferent.
– E mirë e di dhe të kuptoj drejt për hallet që ke. Por çfarë të bësh?!
Ata ishin shokë të zonës pranë ishbllokut, në Tiranë dhe moshatarë. Miqësia e tyre kishte nisur që kur ishin në kopësht dhe shkollat nga viti në vit bashkë i kishin bërë. Ata i ndau vetëm universiteti. Endri ndiqte studimet për menaxhim biznesi, në një nga universitetet private, ndërsa Fabioni ishte student për mjekësi. Megjithëse tashmë me drejtime të ndryshme, sa herë që takoheshin kryesisht fundjavave, do të uleshin tek lokali i tyre i preferuar pranë dyqanit ‘Vodafone’.
– Dhe ja ku plasi edhe lufta në Lindjen e Mesme. Më dreq do të shkojnë gjërat, – tha më i mërzitur Fabioni.
– Shpresojmë që jo, – ja ktheu Endri.
– Nuk dimë se çfarë do të ndodh dhe a do te kapërcehen këto situata?- vazhdoi Fabioni dhe e pa ne sy Endrin.
– Çmimi i naftës dhe i benzinës u rrit si me magji. Dhe do të kemi vërtetë probleme me këta “ujqër”, që ne kemi në krye dhe më keq do të jetë gjendja.
Ata ishin të dy të vendosur për të qëndruar në Shqipëri. Ishte një vendim i marrë në heshtje dhe me një vendosmëri të palëkundur. Historitë e shumta të emigrantëve kudo nuk i sillnin asnjë interes dhe tundim. Por, ngjarjet e fundit kishin tronditur bindjet e tyre. Asnjë plan nuk kishin menduar dhe as që e mendonin që mund të largoheshin nga vendlindja. Fabioni me babanë e sëmurë nuk e mendonte që ta linte të vetëm, megjithëse kishte kujdesin e mamasë dhe të motrës. Pastaj, profesioni që po mësonte i dukej si një detyrim i shumfishtë për problemet e shëndetit që po përjetonte i ati.
– Po përsëri nuk janë gjë këto? – thanë të dy sikur belbëzonin në një kohë.
Qeshën të dy në një kohë. E qeshura e tyre ishte diçka që zbuste dëshpërimin apo ndjenjën e përgjegjësisë për kapërcimin e halleve.
– E çfarë do të thuash tani? – ia behu Endri. – Se nuk kemi gjë në dorë? Se fatet e njerëzve dhe të popujve janë të përcaktuara dhe ata nuk kanë gjë në dorë?
– Ehu, edhe ti po më gjykon mua, pse mendoj kështu hërë pas here?
– Jo, jo as të gjykoj, por as vetë nuk jam i qartë. Edhe mua shpesh më vijnë vërdallë një mal me pyetje dhe heshturazi ia kthej vetes përgjigjen, një e nga një po vetes, – vazhdoi Endri.
– Dhe si ndjehesh? – e pyeti Fabioni.
– Hiç, ja ashtu kot. Herë mirë, herë i gëzuar duke shpresuar dhe herë me mosbesim.
– Po kulmi arriti, – ia preu fjalën Fabioni, – kur kryeshtatari takoi studentët… – dhe e pa në sy Endrin. – Ti e di shumë mirë se si ai manovron me fjalën dhe e hedh dhe e përdredh atë si ti dojë qejfi. Por, kësaj rradhe ngeci, rrotullonte sytë nga të katër cepat e sallës, ku ishin futur studentët dhe përdridhte duart me nervozizëm duke mos u përgjigjur.
– E, cila ishte pyetja e studentes?
– Pse ka ngecur procesi i integrimit me hapjen e kapitujve, – tha Fabioni.
– Edhe nuk tha gjë?
– Ehu e çfarë të thotë? Ai nuk di ku ka kokën e tij, jo çfarë po bën Shqipëria. Përralla…
Ra një heshtje. Fabioni ktheu gotën e ujit për të vazhduar me kafen e lënë përgjysëm ndërsa Endri lexoi një mesazh, i sapo ardhur në telefonin e tij. Lokali kishte më pak njerëz ate ditë. Që nga momenti që u përhapën fjalë se ndoshta ndonjë raketë iraniane mund të kalonte edhe nga Shqipëria ato ditë, shikohej një panik në sytë e shumë njerëzve. Ishin hapur fjalë se do të kishte terrorizëm.
– Eh, – tha Endri!
– Është rrëzuar një avion ushtarak F15 amerikan në Iran. Sapo lexova lajmin nga agjenci amerikane.
– Po kalojmë kohëra të vështira, – ia ktheu Fabioni. – Bomba, predha, luftra, korrupsione, vjedhje mes ditës të taksave tona, burgje, mashtrime, tallje dhe buzëqeshje artificiale. Maska që qeshin dhe llapin gjithë ditën. Çmime që ngrihen me orë brenda ditës dhe makina që zhurmojnë edhe në këto ditë absurde. Ku i gjejnë lekët shqiptarët? Nuk e dijmë se çfarë do të ndodh më tej. Prindërit tanë sakrifikuan për ne dhe ne nuk kemi guxim… – por fjala i ngeci sepse zilja e telefonit të tij ndërhyri në ligjeratën e tij. Ai e ngriti telefonin nga tavolina dhe dëgjoi zërin e motrës.
– Po tani do të nisem, erdha… – foli ai me gjysëm zëri.
Endri që e shikonte drejt e në sy vuri re shpërfytyrimin e Fabionit. Ai u transformua plotësisht në fytyrë. U ngrit nga tavolina, mjaft i trembur dhe në këmbë siç ishte i tha Endrit. – Po iki në shtëpi. Babai është shumë rëndë.
Ata u ndanë në cepin e rrugës, pranë dyqanit ‘Vodafon’, duke prekur supet e njeri-tjetrit, me duart plot mirësi siç ishin mësuar gjithë kohën e shoqërisë dhe miqësisë së tyre të hershme.
– Të shkuara babait, – tha Endri duke e parë me shqetësim, – dhe më thuaj në telefon për të.
– Faleminderit Endri, – u përgjigj Fabioni shpejt duke u larguar në trotuarin pas një reklame plot drita e ngjyra.
Tirana, në ato ditët e fillimprillit, ishte e heshtur dhe një mërmërimë mbytëse dukej sikur vinte nga nëntoka, për të përmbysur diçka, për të ndryshuar ndoshta shumë gjëra.
4 prill 2026, Naples Florida.