Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Jeta artistike e Dritan Boriçit, një luftë dashurie

Aktori i mirënjohur i Teatrit Kombëtar, Dritan Boriçi, ka sot ditëlindjen. Me këtë rast i urojmë jetë të gjatë, shëndet, dhe një art sa më të lartë dhe të vërtetë! Jeta artistike e Boriçit ka qenë përherë një luftë dashurie, e ekzaltuar, drithëruese; dehje e dalldi, duke prodhuar një art të mahnitshëm, që ka marrë shumë vlerësime artistike. Falë artistëve si ai, me dhunti të rralla krijuese e talent të lindur, të lidhur shpirtërisht me botën shqiptare, e ndiejmë artin e teatrit si një nga format e bukura të jetës.

Dritan Boriçi u lind më 5 Prill 1972 në Fier. Ai u diplomua si aktor në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1994. Z. Boriçi, mes viteve 1995 – 2003, ka qenë aktor i Teatrit Bylis, në Fier, dhe që pas vitit 2003 është aktor i Teatrit Kombëtar.

Në karrierën e tij të gjatë, pas vitit 1994, kur përfundoi studimet në Akademinë e Arteve, ka spikatur në role të vështirë, kompleks e kontradiktorë, si për shembull: në rolin e Raskolnikovit ne dramën “Krim e ndëshkim” te F. Dostojevskit, në rolin e Treplevit te drama “Pulëbardha” e A. P. Çehovit, në rolin e Astrovit, në dramën tjetër te A. P. Çehovit, “Xhaxha Vanja”, në rolin e Juli Kapitonic Karandishevit në dramën “Vajza pa prikë” e N. Ostrovskit, në rolin e Hugos tek drama “Fishkëllimë në errësirë” e Tom Marfit, apo në drama të tjera si “Sonte do të luajmë pa tekst”, shkruar nga Luigi Pirandello, “Gusht: Portret familjar”, shkruar nga dramaturgu amerikan Tracy Letts, “Orfeu zbret në ferr” , vepër e Tennesse William, deri te monodrama e fundit “Hyji”, shkruar nga Eugen O’neill.

Boriçi është gjithashtu fitues i disa çmimeve ku mund të përmendim: “Qemal Ajdin” për Aktorin më të mirë në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Maqedoninë e Veriut në 2007, “Aleksandër Moisiu” si aktori më i mirë i të rinjve në Festivalin Kombëtar të Teatrit në 1997 dhe çmimin i parë në Festivalin Ndërkombëtar të monodramës “Monoakt” në Prishtinë me pjesën “Legjenda e pianistit”, në vitin 2009. Ka interpretuar pak role në film si dhe në telenovelën e parë “Njerëz dhe fate”.

Pas 32 vjetësh, me një bilanc të pasur suksesesh e figurash artistike, tashmë Dritani ka hyrë në një fazë të re krijimtarie, duke thelluar prirjet e tij aktoriale, duke marrë përsipër një ose disa role të caktuara aktanciale. Por aktori është dukshëm diçka më shumë se rolet e tij aktanciale dhe pikërisht prej këtej del në pah natyra e tij tipike diskursive. Dritan Boriçi luan jo vetëm role steriotipa, por zotëron diçka që as aktantët, as stereotipat nuk e kanë, pra individualitetin. Boriçi është një aktor me individualitet, madje unik. Me një talent fërgëllues dhe vetëtitës. Ai është mjeshtër në krijimin e metafizikës së fjalës, të gjestit, të shprehjes, i shkëputur nga përpëlitjet patetike, duke mos e lënë kurrë spektatorin në boshllëk. Ky aktor, me mjaft përvojë, i njeh mirë parimet estetike të lojës skenike të thjeshtësuar deri në kulm, duke u bërë i besueshëm në lojën e tij, pikërisht në sajë të karakterit të pabesueshëm, duke marrë mbi vete investimet modale të strukturës narrative dramaturgjike. Personazhet që luan Boriçi janë karaktere që krijojnë fytyrën e vet, me logjikën e vet të brendshme, që mishërojnë bukur gjendje te ndryshme psikologjike, duke sjellë në njëfarë mënyrë kontrastin brenda tekstit, edhe kur konfigurimi kontrastiv nuk është shumë i specifikuar nga autori i veprës.