Shqiptari më i ditur i Perandorisë Osmane dhe profesori i rilindasve shqiptarë
Saimir Kadiu
O ti mbret, o shumë i lartë Kryetar
Nga e dlirta fryma jote unë marr
të Edenit erën, hirin parajsor
O Hasan Tahsini, o trëndafil qiellor
Naim Frasheri
Duke kujtuar një figurë të madhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare…
215 vjet më parë, më 7 prill 1811, lindi në Ninat të Çamërisë, Hasan Tahsini, një nga shqiptarët më të mëdhenj të shekullit të XIX…
Hasan Tahsini ishte një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një dijetar enciklopedist që u dallua si astronomi i parë i Perandorisë Osmane dhe si rektor i parë i Universitetit të Stambollit.
Ai mbeti i njohur si filozof, matematikan, psikolog dhe ideolog i çështjes kombëtare.
Ka qenë Rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëkohësisht një nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare.
Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si “më i larti ndër të lartët” (Sami Frasheri) dhe në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore.
Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini ishte mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit.
Kur qeveria osmane e pa të domosdoshme çeljen e universiteteve në sulltanatin osman, një nga të dy të zgjedhurit e dërguar prej saj në Paris, për t’u pajisur me dituritë e nevojshme shkencore, ishte Hasan Tahsini.
Qendroi 12 vite në kryeqendrën franceze (1856-1868), ku paradoksalisht ndërsa ishte imami i Ambasades turke atje studjonte matematikë dhe shkenca natyrore në Universitetin e Parisit.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie.
Hasan Tahsini është një figurë që duket sikur del nga një dorëshkrim i ndritshëm i shekullit XIX, ku drita e dijes përpiqet të çajë mjegullën e padijes. Ai ishte një njeri që mbante në shpirt qiellin e yjeve dhe në mendje rregullin e matematikës, ndërsa në zemër zjarrin e kombit.
Mund ta përfytyrojmë si një astronom poetik: me sy të kthyer nga kupola e qiellit, duke lexuar gjuhën e yjeve si një libër të shenjtë, por njëkohësisht duke e përkthyer atë në gjuhën e arsyes dhe të shkencës. Në auditorët e Stambollit, ai nuk ishte thjesht rektor, por një patriark i dijes, që hapte dyert e universit për brezat e rinj.
Në fjalën e tij filozofike, Tahsini ishte si një pishtar iluminist: ai e shihte njeriun jo si një krijesë të nënshtruar, por si një qenie që duhej të ngrihej mbi vetveten, të kuptonte natyrën dhe të ndërtonte lirinë. Për shqiptarët, ai ishte një zë i brendshëm i Rilindjes, që thoshte se kombi nuk mund të mbijetojë pa gjuhë, pa kulturë, pa vetëdije.
Në artin e kujtesës, Hasan Tahsini mbetet një figurë e dyfishtë: një dijetar që i dha Perandorisë Osmane astronomin e parë dhe një rilindas që i dha Shqipërisë një ideolog të madh. Ai është si një urë mes qiellit dhe tokës, mes shkencës dhe kombit, mes Parisit dhe vendlindjes se tij Ninatit te Çamerise.
Ndërsa Sami Frashëri ishte si një arkitekt i së ardhmes, që vizatoi themelet e shtetit shqiptar,
Naimi ishte si një bilbil në pranverë, që zgjon ndjenjat e kombit me vargje të buta e të zjarrta.
De Rada ishtëe si një këndues epik, që ruan kujtesën e arbëreshëve dhe e lidh me trungun shqiptar, apo Pashko Vasa ishte si një trumbetë e fuqishme, që thërret për unitet e bashkim pa dallime, Hasan Tahsini ishte si një yll i ftohtë e i ndritshëm, që sjell dritën e shkencës dhe arsyes, qe si shkencëtar-filozof, i dha Rilindjes sone Kombetare një dimension racional e modern.
Vdiq nga tuberkulozi më 3 korrik 1881.