Ismet Hajrullahu: Trashëgimia kulturore, pasaportë e identitetit shqiptar
Trashëgimia kulturore dhe historia na tregojnë kush kemi qenë, na japin forcë për të kuptuar kush jemi sot. Shekujt kanë lënë gjurmë të pashlyeshme: nga besimet e lashta te krishterimi, nga universitetet e hershme te figurat universale të humanizmit, por një energji që na shtyn përpara dhe na mban të lidhur me rrënjët tona të lashta. Në to gjejmë prova të një populli që ka ditur të mbijetojë, të krijojë dhe të japë kontribut në qytetërimin evropian.
Në realitetin e sotëm, ku globalizimi shpesh tenton të na bëjë të gjithë njësoj, ruajtja e kulturës sonë është më e rëndësishme se kurrë. Djegiet, shkatërrimet dhe përpjekjet për zhdukje nuk e kanë mposhtur dot trashëgiminë tonë, sepse ajo jeton në gjuhë, në këngë, në zakone dhe në kujtesën e njerëzve. Kultura është thjesht një energji që na shtyn përpara. Trashëgimia jonë e lashtë sa vetë njerëzimi, jeton në gjuhën tonë, në këngët tona, në kishat tona të mrekullueshme, në traditat tona të lashta sa vetë qytetërimi njerëzor.
Mozaiku i kulturës tradicionale mijëvjeçare paraqitet në variacione të pasura arkeologjike, arkitekturore, të luajtshme, jo materiale dhe peizazhe kulturore. Përmes shekujve, kjo trashëgimi ka qenë shpesh e rrezikuar, sidomos gjatë luftës së fund-shekullit njëzet për Kosovën, kur mijëra ndërtime tradicionale shqiptare u dogjën dhe u dëmtuan.
Megjithatë, përpjekjet për mbrojtjen dhe konservimin e saj në dekadat e fundit tregojnë se trashëgimia kulturore mbetet një shtyllë e identitetit tonë. Besimi pagan në Dardaninë antike dhe kalimi në krishterim dëshmojnë përhapjen e hershme të fesë së re jo vetëm ndër shqiptarë, por në mbarë Evropën. Shën Pali pohon se “që prej Jerusalemit e përqark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”, duke treguar se shqiptarët ishin ndër popujt e parë që pranuan krishterimin.
Nga Iliriku, dikur “Ishulli i Shenjtorëve”, dolën figura të shenjta që i dhanë kontinentit të vjetër udhëheqës shpirtërorë, ndërsa shekuj më vonë, Nëna Tereza u bë simbol i dashurisë njerëzore dhe humanizmit. Jo rastësisht, para pushtimit osman, në vitin 1380, në Durrës ekzistonte një universitet, kurse Gjermania hapi një të tillë në Heidelberg vetëm gjashtë vjet më vonë.
Me pushtimin e Gadishullit Ilirik nga Perandoria Osmane, edhe Arbëria ra nën sundimin e saj, por trashëgimia shpirtërore dhe diversiteti kulturor mbetën të fuqishme. Dokumentimi i kulturës shqiptare shpesh ka qenë i njëanshëm, duke u përqendruar vetëm në fusha të caktuara, si historia apo linguistika, ndërkohë që mitologjia, këngët e vjetra, rrëfimet, doket dhe zakonet mbeten ende burime të pashfrytëzuara plotësisht.
Hulumtimi i tyre do të na jepte mundësi të rikonstruktojmë vlera dhe konvencione kulturore të lashta, me rëndësi jo vetëm për kulturën shqiptare, por për mbarë rajonin ballkanik. Rrjetëzimi kulturor dhe mitologjik, i pasqyruar edhe në veprat e autorëve të hershëm, dëshmon për një trashëgimi të pasur që lidh të kaluarën me të tashmen.
Në kohën e sotme digjitale, trashëgimia kulturore ka fituar një dimension të ri. Arkivat po digjitalizohen, muzeumet po hapen në formë virtuale, dhe brezat e rinj po e njohin historinë përmes teknologjisë. Kjo është një mundësi e artë për ta bërë trashëgiminë më të aksesueshme, por edhe një sfidë për ta ruajtur autenticitetin e saj. Edukimi kulturor duhet të jetë pjesë e kurrikulave moderne, që fëmijët të rriten duke e parë trashëgiminë jo si barrë, por si pasuri.
Turizmi kulturor është një tjetër fushë ku trashëgimia jonë mund të shndërrohet në motor zhvillimi. Vizitorët nga e gjithë bota kërkojnë autenticitet, kërkojnë fakte historike të dokumentuara dhe përvoja që lidhen me rrënjët e një populli të lashtë. Shqipëria dhe Kosova kanë potencial të jashtëzakonshëm për ta ofruar këtë, natyrisht, nëse trashëgimia ruhet, promovohet dhe prezantohet jo vetëm me dinjitet, por edhe me forcën e shtetit.
Trashëgimia kulturore shqiptare është një element i rëndësishëm i identitetit, që mbart prova historike dhe kulturore të vazhdimësisë së popullit tonë. Studimi dhe ruajtja e saj mbeten thelbësore për të kuptuar zhvillimin shoqëror dhe kulturor të shqiptarëve.