Albspirit

Media/News/Publishing

Papavrami me “peizazhe” violinistike nga jugu i Shqipërisë, “Suita” për violinë e piano e Vasil S. Tole”

Dr. Blerina Shalari

Profesori im Vasil Tole më ftoi sot në një dëgjim të suitës së tij për violinë e piano të shkruar nga viti 1989. Ishte një pejsazh liriko-shpirtëror me tema të jugut, por që, si për ta sjellë Shqipërinë të gjithën në “telajo”, e nisi suitën me një citim të Përmetit. Notat e Vjosës ja lanë vendin valleve nga jugu Tosk e më pas atyre të Labërisë ku filli herë zgjatej e herë tërhiqej për nga shpirti.

Të diskutosh cilësitë e Tedi Papavramit është e vështirë, por pikërisht mjeshtrit që përjetëson Moxartin, Bethovenin e tj, me një filozofi që shkon përtej muzikës, kjo nuk të habit dhe aq, por sa bukur rri në shpirtin e tij muzika e origjinës, kjo është diçka fantastike.

Pak Vjosë, pak Drin, po shumë Shqipëri gjen në këtë muzikë dhe te ky violinist.
Kompozimi i Toles më ka bërë përshtypje sidomos për melosin, i cili rrok vallen popullore, veçanërisht të jugut, diku Pogonishten, diku e personifikon dhe madje edhe e klasikëzon këtë valle duke e integruar tek violina. Duket se në këtë rast ka pasur parasysh edhe violinistin e shquar Tedi Papavrami të cilit fiks i ka gjetur “telat” duke i dhuruar një “ankth” vallësor për violinë e piano.

Në fakt këtu pianoja është një sfond më tepër panoramik. Do të doja ndoshta një shkëmbim polifonik me violinën, por mbase autori e ka menduar si një personazh violinën, i cili ecën vetëm, shtigjeve dhe gërxheve të jugut, duke e përshkuar, e duke mbledhur prej andej dëshmi të natyrës, e ndoshta duke takuar edhe ndonjë udhëtar.

Kontrasti mes valleve ishte i ndjeshëm, ruhej gjuha modale e muzikës popullore, e ndihmuar nga krijuesi për tu shtrirë drejt universales klasike duke integruar në vepër edhe tonet klasiko-romantike, por pa e zbuluar deri në fund tonalitetin.

Ndoshta kjo suitë mund të përbëjë edhe një sfond poetik, ku i dihet…

Gjithmonë më ka pëlqyer shumë Tedi Papavrami. Ai shpesh paragjykohet si një “muzikant shumë i investuar”,dhe jo se s’është i tillë, por ka diçka tek ai që e dallon rrënjësisht nga të zakonshmit jo fatmirë të muzikës.

Tedi është filozof i tingullit, është lexues i mirë i veprës, kupton dhe shpërfaq stilin e kompozitorit të cilit i mvesh tisën e vetë krijuese. Kjo e përveçon atë nga krijonjësit e tjerë, kështu që çdo kompozitor duhet ta mbajë në konsideratë të shkruajë një vepër për të, pasi ai e rindërton në skenë veprën, e amplifikon atë, për violinë, piano e publik, dhe kështu vepra e zgjat jetën deri në pafundësi.

Maki Okata ka krijuar nje duo organike me Tedin, dhe duket se shpirti japonez gjendet vrullshëm ngrohtësisht i shkrirë me shpirtin shqiptar.

Koha ecën, por melosi shqiptar ecën më shpejt se ajo. Kam besim se shpejt do triumfojë si origjinalitet edhe në detin universal të melodisë.

Papavrami ka interpretuar edhe vallet e shkëlqyera për violinë e piano të Aleksandër Peçit, dhe s’ka dyshim se në lojën e tij ka diçka të thekur shqiptaro-ballkanike e cila universalizohet nga estetizmi i tingullit dhe nga largpamësia e instrumentistit.

Drama shpirtërore e shqiptarëve nuk mbetet pas edhe në violinën e Tedit.
Tek kompozitori Vasil Tole gjeta një aftësi të posaçme për të shkruar për violinë. Kjo suitë vlen për një mendim të tillë.

Sigurisht që profesioni ka kërkesa, ndaj e inkurajojmë autorin të mos hezitojë t’i përdorë dialogët, trilogët e fshehtë, mes instrumentave me njëri-tjetrin e me veten. është diçka e vyer që nuk dorëhiqet nga melodia, por edhe asaj duhet t’i fshihet paksa, kur citon vallen popullore, të mos e rrëmbejë atë si klishe e citimit, por ta brumëzojë thellë në përpunimin krijues. Qoftë edhe një notë ndryshe, e bën të duket stoli, një valle apo një temë të përpunuar mirë.

Bindemi megjithatë se suita për violinë e piano e Vasil Toles, e kalon me dinjitet pragun e dëgjimit, është gjithashtu vizion t’ia besosh veprën një steke të tillë si ajo e mjeshtrit Tedi Papavrami, i cili edhe një vepër modeste, i bëhet penelatë në duart dhe shpirtin e tij të violinistit. Presim nga autori Tole vepra të tjera në të ardhmen, dhe gjithashtu nga Papavrami presim të luajë edhe më tepër muzikë shqiptare, për ta botësuar atë, sepse e meriton!

Ndërkohë, që duke lexuar një kritik francez, ai, si një stil “gur-kali” siç e quan Konica, i kishte hyrë me themel një note re, që Tedi e kishte mjeshtëruar për t’i dhënë ngjyrat e Bach-ut. S’do mend, që kësisoj nuk çuditemi me atë stërzgjatje estetikash e “kacavjerjesh kritike” të cilat nxjerrin në pah me patjetër një rast sui generis të instrumentistit “francez” siç xhelozishëm e emërtonte Papavramin, duke harruar se shpirti shqiptar megjithatë triumfon tek violinisti.

Kur e pyetën njëherë mjeshtrin se cila ishte muzika që adhuronte më shumë? Ai me plot gojën u përgjigj:

“Muzikën popullore shqiptare”, dhe nuk habitem, sepse mjeshtri kërkon mjeshtëri, origjinalitet, e ku tjetër mund ta gjente përveçse tek avazet tona të bekuara dhe të praruara, të cilat të shpien në ngasje patjetër, dhe ec e merru me to, kur i dëgjon, kur i luan, dhe kur i pavdekëson si mjeshtri Papavrami.

Je i ftuar mjeshtër, ose fati të ka hedhur tek Shqipëria, që t’ia ndjesh dhe t’ia shpalosësh botës, që nga vallja e melodia, deri tek isoja dhe kabatë. Udhë të mbarë përmes lumenjve tingullorë të Atdheut, që s’kanë për të të lënë të flesh ndonjëherë.