Ruzhdi Gole: DORËZANË NJËDIZAJ
(Prozë me Timo Fllokon)
– “Gjaku mban jetën time ndër duar”. Si të duket ky varg?
– Akoma me metafora ti? Po jeta është
gozhdë e plumb, kërcitje e thyerje.
Jeta të plas.
– Të plas e të pëlcet. Jeta është si një
balerinë gjysmë lakuriq.
-S’i s’hoqe njëherë dorë nga krahasimet?
– Ne nga krahasimet jemi lindur, rritur e
rrënuar gjithandej.
– Faji i prindërve.
– Faji i hijeve, i hileve. Faj po aq atëror dhe mëmësor.
– Mëmat asnjëherë nuk kanë faj. Etërit mundet.
– A e din ti ç’etër kemi pasur ne? Gjela,
etër gjela. Kanë kërcyer e shkelur
mëmat tona.
– Brengë jete kjo, o i ditur. Edhe mëmat e etërve tanë janë shkelur e leqendisur
mos më keq.
– Kështu po më dukesh më bindës, më
tokësor, hiç metaforik.
– Të dhimbset çka shkoi deri tani?
– Më dhimbsen ditë e natë, hap e gjurmë brinjë e fyt, këllqe e shputë. Njëherë
jetohet…
– Iu ktheve prapë kërcimit pindarik? Jetohet shpesh e shpejt, o i lexuar. Kjo jetë fluturon…
– Fluturon e gremiset, mbështjell çka don në pëllëmbët e veta, pi gurgullima të pastra e lera. Ushqehet me drithëra,
drita, tehe dhe pikëpyetje.
– Të mbyti prapë metafora! Sonte
qenke çudia vet!
– Çuditërisht jetoj. Zgjohem kur të tjerët
flenë, ushqehem kur të tjerët janë në
tualet, lexoj e shkruaj së prapthi, eci me këmbë përpjetë, i rrokullis mbi shpinën
time këmbët e rrotakëve…
– Mjaft, mjaft se more arratinë për në qiell, o lum miku!
– Ç’qiell? Qiell qensh dhe dronësh, qiej
tehesh e të vrarësh. Dielli i sakatosur,
retë me paterica.Të gjitha bien,
gremisen, shushaten, përplasen,
groposen tek kryet tona. Toka veç sa i
tret. Ose i përbuz dhe s”dihet ku i leros
me të pëgërat e saj.
– Më duken të besueshme këto
metafora. Hera e parë që të afrohem ty
si poet.
– Më afrohesh, ikën… unë ky jam.
Ndoshta të dukem i errët, por një fije
dritë më duhet, vetëm një fije dritë për
hiret e mia, për hilet e bukura.
– Paska hile të bukura?
– Plot, sa të duash, me vandakë e me thasë, me kosha plot
– 0oo, ç’na the ? Një hile…
– Ç’ditë jemi sot?
– Jemi në ditën e hiles ose në ditën e hirit o te hijeshisë.
– Secili jeton ditën e vet. Diku njësoj e
diku ndryshe nga tjetri.
– A i këmbejnë njerëzit ditët midis tyre?
– Si mund t’i këmbejnë?
– Unë të jap ty dy-tri orë nga dita ime për dashuri. Ti ke nevojë për t’u xhveshur e
joshur. Ti më jep mua pak nga trishtimi
yt që unë të qesh.
– Qeshka trishtimi? Po ku ? Në botën e
askundit, e askujt ?
– Tek bota jonë, o i ditur, tek kjo botë plot hove e kacafytje. Me plumb e bajonetë.
– Tani nise ti nga metaforat…
– Unë s’këmbej asnjë ditë me kënd. Po
këmbeva ditën time me dikën’ tjetër më duket sikur kam bërë transplant zemre.
– Eh, kështu jetohet prej shumë të tjerëve.
– Po janë të tjera rrahje ato. I trembem
zemrës tjetër. I gëzohem dhembjes
sime.
– I harruam fare etërit? U bë kohë s’u
kemi shkuar në varreza.
– Kanë ardhur varrezat më afër nesh.
Përditë ato na trembin, na ngjethin, na ciflosin. A s’e dëgjon si kërcet, kërcen e brof e brohoret mesdita nga të krisurat dhe krismat? Secila prej tyre, në mos është vorrezë… është gjymtim. Herë-herë edhe gjymtimi ynë…
– Do na duhen ende metaforat, Librat,
biblioteka, kinematë, opera, teatri? O, sa shumë qënkan? Sa shtypshkronja e kompjutera, sa ekrane, autorë, autorë dhe peisazhe, sa basë, tenorë e mexosoprane, sa regjizorë, aktorë dhe rekuizira? Oooo, sa shumë, Oooo, sa pak janë të gjitha këto para rrugës, brumbujve, milingonave, bletëve, pilivesave, dritave, liqeneve, religjioveve, ooo, sa pak…
– Si thua, të pëlqejnë këto metafora apo ta hapa kafkën e ti kund s’po e gjen?
O njeri, ti kafkën tënde e ke mbi shpatullat e tua, e ke edhe në duar (metaforikisht.) Në jetën tënde plot aktrime jo në aktrimet e jetës.
Eja, miku im, të pijmë një kafe. Jo një kafe, por secili kafen e vet me sheqer të hidhur. Të pijmë a ta derdhim helmin dhe atë pak gaz, atë pak gaz që na ka mbetur veç nga vetja jo nga jeta e tjetrit, jo nga jeta e etërve?! Ne nuk u jemi bindur kurrë atyre. As kohës që jetuam dhe jetojmë…