YLLI XHELILAJ – NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT NË POLICINË E SHTETIT
(Në respekt dhe mirënjohje për drejtuesin Ylli Jonuz Xhelilaj, i lindur më 5 prill 1961, për shërbimin dinjitoz në dy epoka të Policisë së Shtetit, në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI, Kryekomisar Reshat Kalaçi,
MSC Vlash Leka, Dr. në proces Rober Shehu.
*
Nëpër rrënjët familjare të oxhakut “Xhelilaj”
Rrënjët e origjinës familjare të oxhakut “Xhelilaj” janë si fijet e padukshme që lidhin të shkuarën me të tashmen, një rrjet i ndërlikuar kujtimesh, sakrificash dhe ëndrrash të trashëguara. Këto rrënjë nisin nga Arrëza e Tepelenës, vijojnë në fshatin Zgërbonjë, lagjeja Vojak, të Beratit, më tej në Pogradec dhe përfundojnë në Tiranë.
Nëse flasim për Arrëzën e Madhe dhe fshatin Maricaj, prejardhja lidhet me evolucionin fonetik të fjalës “ardhës”. Të moshuarit tregojnë se të parët kanë ardhur nga Molla e Kuqe e Kosovës, të shpërngulur nga vërshimet e dyndjeve serbe që nga shekulli i gjashtë. Një variant tjetër e lidh emrin me fjalën “arë”, që nënkupton një vend me ara të vogla e livadhe, ndërsa një variant i tretë është “vend me arra”, pasi në atë zonë rriten shumë arra. Aty gjenden vendbanime të lashta, ku ka ekzistuar edhe manastiri, vende të kultit të krishterë, si lagjja “Priftaj” dhe kisha në sheshin e Qafës së Arrëzës. Po ashtu, gjenden edhe vende të besimit islam e bektashi, si xhami, mekame dhe teqe në Shehaj, e ngritur më 1712. Sipas dokumenteve osmane, më 1583 në këtë zonë figuronin 16 hane dhe një shkollë në gjuhën osmane, e quajtur “Ruzhdije”. Më tej, oxhaku dhe vatra familjare e Xhelilajve ka rrugëtuar drejt Beratit, ku janë vendosur në fshatin Zgërbonjë, lagjeja Vojak. Rrënjët familjare nuk mund të shihen me sy, por ndihen në çdo hap që hedhim, në çdo vendim që marrim dhe në mënyrën se si e kuptojmë botën përreth nesh. Sikurse familja Xhelilaj, çdo familje mbart një histori unike, të gdhendur në kohë përmes brezave, një histori të shkruar dhe të pashkruar, por të treguar e përcjellë brez pas brezi.
Në rrënjët e Xhelilajve gjenden njerëz të thjeshtë, njëkohësisht luftëtarë për jetën, të cilët me mundin dhe përkushtimin e tyre kanë ndërtuar themelet mbi të cilat qëndrojmë sot. Brezat e familjeve shqiptare janë përballur me pushtime dhe kanë mbijetuar përmes tyre. Të panumërt janë ata që kanë luftuar për këto troje, për mbijetesë në tokën e tyre, duke ruajtur amanetin e të parëve. Janë zërat e gjyshërve që pëshpëritin në kujtesën tonë dhe duart e prindërve që na kanë udhëhequr drejt së ardhmes. Sikurse shprehet Ylli, kuadër i Policisë së Shtetit, origjina jonë familjare nuk është vetëm një vend, një stacion apo një mbiemër; ajo është një ndjenjë përkatësie, një identitet që na formon dhe na jep forcë për të reflektuar mbi të shkuarën dhe për të parë drejt së ardhmes, veçanërisht për brezat e rinj.
Vatra familjare është një pasuri shpirtërore që nuk matet me kohë, por me dashuri dhe përkujdesje, pasi në të gjejmë jo vetëm rrënjët dhe origjinën, por edhe krahët për të ecur përpara brezat e rinj të Xhelilajve. Në një botë kaq komplekse dhe që ndryshon me shpejtësi, kthimi i vështrimit nga origjina dhe rrënjët është si një strehë e qetë, ku mund të rigjejmë veten. Sepse, pavarësisht se ku shkojmë, një pjesë e jona mbetet gjithmonë aty, në fillimin e çdo historie, në familje dhe për familjen.
Nga linja stërgjyshore e Xhelilajve dimë pak, por trashëgimia vijon përmes gjyshërve: Qazim Xhelilaj (1881–1966), nga Arrëza e Madhe, Maricaj Tepelenë, dhe Hurma Xhelilaj (1887–1978), në biografinë e fisit shënohet se gjyshja e Yllit, Hurmaja, ka një origjinë të hershme nga fshati Selckë i Tepelenës. Sipas gojëdhënave, shpërngulja nga Arrëza e Madhe drejt lagjes Vojak të fshatit Zgërbonjë të Beratit ka ndodhur për arsye hasmërie, në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se Qazimi dhe Hurmaja njiheshin për mirësinë, respektin dhe autoritetin që gëzonin në fshat dhe në të gjithë krahinën.
*
Jonuz Xhelilaj – një figurë e rëndësishme udhërrëfyese për fëmijët
Nuk është e lehtë të flasësh për ata burra që me të drejtë quhen “brez i hekurt”, brezi që bëri luftën dhe përballoi sfida nga më të jashtëzakonshmet në jetën e tyre. Jonuz Xhelilaj erdhi në jetë më 22 mars 1922 në fshatin Zgërbonjë, lagjeja Vojak, të rrethit të Beratit, në një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare. Kur erdhi në jetë Jonuzi, kishin kaluar dy vjet që kjo luftë ishte kurorëzuar me fitoren e shqiptarëve. Sipas të dhënave, arsimin fillor e kreu në vendlindje me shumë vështirësi, për shkak të terrenit të vështirë dhe gjendjes ekonomike të zonës. Jonuzi ishte më i vogli ndër vëllezërit Sabriu, Hamiti, Etemi dhe Mestani, si dhe kishte edhe dy motra, Farushen dhe Havanë. Vështirësitë ekonomike dhe dëshira për të qenë të lirë e të pavarur e shtynë Jonuzin të punonte në vendlindje, ndërkohë që jetonte në një kohë kur vendi po përfshihej nga vorbulla e luftës për liri nga pushtuesit e huaj.
Pushtimi i vendit më 7 prill 1939 e gjeti Jonuzin në moshën 17-vjeçare. Ai u lidh me lëvizjen antifashiste që në fillimet e saj dhe u bë pjesë e çetës së zonës dhe më tej edhe e formacioneve më të mëdha partizane. Me krijimin e njësive të mëdha, sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, Jonuzi u inkuadrua në radhët e Brigadës së VII Sulmuese, e cila vepronte në zonën e Beratit. Që në fillim të luftës ai u dallua si aktivist, trim dhe luftëtar i paepur në aksionet luftarake. Në një nga aksionet luftarake, Jonuzi u plagos rëndë në qafë dhe, pasi mori mjekimin në një nga spitalet në rrethinat e Tiranës, u kthye sërish në detyrën luftarake pranë shokëve të tij, duke vazhduar luftën deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Brigada e VII Sulmuese, ku shërbeu Jonuz Xhelilaj, e kreu me lavdi misionin e saj. Ajo ishte një njësi e rëndësishme partizane gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u krijua më 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit, me tre batalione. Në radhët e saj u përfshinë partizanë me përvojë nga batalionet e qarkut të Beratit, Grupi i Skraparit dhe batalioni i rinisë “Margarita Tutulani”.
Pas çlirimit, i shtyrë nga dëshira për të shërbyer në mbrojtje të Atdheut, Jonuzi kreu një kurs tremujor për kufirin në shkollën e Saukut dhe më pas përfundoi me sukses edhe arsimin e mesëm pa u shkëputur nga puna. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në zonat kufitare shqiptare. Karrierën e nisi si komandant poste në zonat kufitare të Shkodrës, më pas në Mesare të Leskovikut (1955–1960). Më pas shërbeu në fshatin Lin, në Qafë-Thanë (1960–1967) dhe më tej në Peshkëpi dhe Pogradec (1967–1971), ku edhe përfundoi karrierën ushtarake, duke u vendosur përfundimisht në qytetin e Pogradecit. Në kujtesën e brezave mbahet mend për marrëdhëniet e mira me banorët, kolegët dhe vartësit, për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë, si dhe për nivelin e lartë profesional.
Çdo vit, për tre muaj, ai shërbente si instruktor për përgatitjen e ushtarëve të rinj në Qendrën e Instruksionit në Përrenjas, ku tregonte përkushtim dhe kujdes të veçantë në formimin e tyre. Në Përrenjas krijoi familjen me zonjën Kadrije Karriqi.
Nëna Kadrija është vajza e Hoxhë Karriqit (Saipit), një intelektual i njohur i zonës, i respektuar për kontributin e tij në mbështetje të luftës dhe në zgjidhjen e problemeve të komunitetit. Gjyshja Refija është me prejardhje nga nga fshati Vërri i zonës së Mokrës të Pogradecit. Kadrija ka lindur në Përrenjës fshat, e cila ka patur tre vëllezër Ramadanin, Shazimanin dhe Shyqyriun, si dhe tre motra Hamidenë, Bajamen dhe Cimen. Fisi Karriqi në Përrenjës fshat e ka prejardhjen e hershme nga Kardhiqi i Gjirokastrës.
Jonuzi dhe Kadrije Xhelilaj lanë pas tre djem: Pëllumbin, që ka shërbyer si oficer tankist ne strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe më vone ne Gardën e Republikës, ku sot aktualisht jeton në SHBA me familjen; Yllin, që shërben në radhët e Policisë së Shtetit; dhe Fatosin, i cili ka mbaruar shkollën e Muzikës ne Korcë, një trashëgimi e vyer e kësaj familjeje me rrënjë të forta. Për veprimtarinë e tij gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për shërbimin në kufi, Jonuzi është vlerësuar me dekorata, urdhra dhe medalje të ndryshme trimërie, si dhe me tituj për kontributin në ruajtjen e kufirit shtetëror shqiptar. Jonuz Xhelilaj, kuadër i njohur i kufirit shqiptar, u nda nga jeta më 3 mars 2012, në moshën 90-vjeçare, por la mbrapa një trashëgimi vlerash familjare të padiskutueshme.
*
Ylli Xhelilaj – një jetë e dedikuar rendit dhe sigurisë publike
Ylli Xhelilaj nuk është vetëm një emër i njohur në Policinë e Shtetit, por edhe një figurë me një jetë të gjatë aktive dhe një karrierë të suksesshme. Dosja e tij në burimet njerëzore është mjaft e pasur dhe përbën një shembull për t’u marrë si model për nga korrektësia dhe përmbajtja. Ylli Jonuz Xhelilaj ka lindur më 5 prill 1961. Arsimin fillor dhe tetëvjeçar e kreu në vendlindje, në Pogradec. Shkollën e mesme e përfundoi me rezultate të shkëlqyera më 30 qershor 1980, në Teknikumin e Naftës në (ish-qytetin “Stalin”), sot Kuçovë. Falë këtyre rezultateve, iu hapën dyert për të ndjekur një nga shkollat më prestigjioze të kohës, Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilën e përfundoi në specialitetin “Specialist i lartë, profili Polici” në periudhën 1.09.1980 – 30.06.1984.
Gjatë rrugëtimit të tij të gjatë në polici, ai është trajnuar dhe kualifikuar vazhdimisht, duke u udhëhequr nga parimi se njeriu duhet të mësojë gjatë gjithë jetës. Ndër trajnimet dhe kualifikimet kryesore përmenden: Kursi bazë tremujor për policinë “MAPE” (shkurt 1998), i organizuar nga këshilltarë ndërkombëtarë; Kursi ICITAP (mars 1999); seminar për të drejtat e njeriut dhe policinë (tetor 2000); Kurs kompjuteri (nëntor 2000); trajnim për dhunën në familje (shkurt 2001); trajnim për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës gjinore (IOM, tetor 2001); Kursi “Policia dhe të Drejtat e Njeriut” i Këshillit të Evropës (dhjetor 2004); trajnim si instruktor për ligjin “Për Policinë e Shtetit dhe Sigurinë në Komunitet” (nëntor 2007); trajnim për “Patrullën e Përgjithshme, rolin dhe detyrat e saj” (shkurt 2008); trajnime për lidershipin, menaxhimin e konfliktit, kohës dhe stafit (2008–2009); Drejtim dhe menaxhim operacional policor (prill 2009); trajnime për hartimin e kurrikulave dhe menaxhimin e funksioneve trajnuese (ICITAP, 2009); Program për mbrojtjen e dëshmitarëve (Budva, Mali i Zi, maj 2011); Trajnim anti-survejim (Prishtinë, nëntor 2011); Mbrojtja nga afër (Vushtrri, maj 2012); trajnim “Korrupsioni dhe policia” (nëntor 2012); trajnime për forcimin e kapaciteteve operacionale dhe policimin në komunitet (PNUD), si dhe shumë të tjera.
Karriera e tij drejtuese është e gjerë dhe e pasur. Ai ka shërbyer në një sërë detyrash, ndër të cilat: Edukator në Shkollën e Edukimit (1984–1990); në Repartin 326 në Tiranë (1991); Në shërbimet kufitare në Rinas (1991–1993), si komandant dhe kontrollor; Inspektor i policisë kriminale dhe i përgatitjes fizike në Komisariatin nr. 4, Tiranë (1993–1995); Shef i nënseksionit të Policisë së Rendit në Komisariatin nr. 4 (1995–2004); Specialist për planifikimin dhe kontrollin e shërbimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë (2004 e në vijim); Shef Seksioni i Rendit dhe Sigurisë Publike në Komisariatin nr. 5, Kamëz; Specialist dhe drejtues në sektorë të ndryshëm të rendit publik dhe kontrollit të territorit; Specialist në Drejtorinë e Arsimit Policor; Komandant i Repartit “RESI” (2011–2012) dhe Shef i Komisariatit Special “RESI”; Specialist në Drejtorinë e Rendit Publik dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë Publike; Koordinator dhe më pas Asistent në Zyrën Ndihmëse të Rektorit në Akademinë e Sigurisë (2023–2026).
Ai ka shërbyer me përkushtim për 13 vite në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndër të cilat 3 vite në Departamentin e Trajnimit Policor dhe 10 vite në Sektorin e Rendit Publik. Drejtues Ylli Xhelilaj njihet si një ndër Specialistët më të mirë të Shërbimeve të Rendit Publik në Policinë e Shtetit. Ai ka lënë gjurmë dhe është kontribuesi kryesor në hartimin e akteve normative që normojnë punënë e shërbimeve të rendit poblik dhe konkretisht hartuesi i procedurave standarde të funksionimit të shërbimit të Patrullave të Përgjithshme dhe të Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si dhe në Procedurat Standarte të Planifikimit të Shërbimeve të Rendit Publik, të cilat janë ende në fuqi dhe sot. Ylli Xhelilaj është i martuar me Mamicën, me origjinë nga babai nga Pogradeci dhe nga nëna nga Leskoviku dhe kanë dy djem, Aldon dhe Brunon, ku Bruno po ndjek me siguri rrugën e babait në radhët e Policisë së Shtetit
*
Vlerësimet për Ylli Xhelilaj janë plotësisht të merituara
Ylli Xhelilaj është një drejtues në strukturat e Policisë së Shtetitt me integritet, i cili gëzon respekt në institucionin e Policisë së Shtetit, këtë organizatë të madhe që garanton rendin dhe sigurinë publike në Shqipëri. Në vitet e fundit, ai është dalluar për pjekuri dhe profesionalizëm edhe në Akademinë e Sigurisë. Nga ana tjetër, ai është një familjar i përkushtuar, humanist dhe veprimtar i shquar në komunitet. Ka qenë gjithmonë sistematik, korrekt dhe me qëndrim shtetëror, si dhe studiues i rregullt i literaturës policore. Ai ka kontribuar në perceptimin, analizimin dhe kuptimin e proceseve që lidhen me rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve.
Ylli Xhelilaj është vlerësuar dy herë me certifikata nderi dhe karriere për punën e mirë dhe përkushtimin në detyrë. Edhe historia e gradimeve të tij është domethënëse: gradën “kapiten” e ka marrë më 28.11.1991, “kapiten i parë” më 1.11.1994; më pas “kryeinspektor” më 1.5.2003; “nënkomisar” më 19.9.2003; sërish “kryeinspektor” më 16.9.2006; “komisar” më 11.6.2008; “kryekomisar” më 22.7.2009 dhe “drejtues” me urdhër nr. 1799, datë 6.6.2024, gradë që e ka mbajtur deri në përfundimi e karierës së tij më 15.4.2026.
Megjithatë, vlerësimin më të madh në Policinë e Shtetit ia ka dhënë vetë puna e tij. Disa nga vlerat më të spikatura të karrierës së tij të suksesshme policore janë, bashkëpunues dhe i përgjegjshëm; korrekt në detyrë në të gjitha funksionet që ka kryer në Policinë e Shtetit; i vendosur dhe me qëndrim shtetëror, duke vënë të gjitha njohuritë e tij në shërbim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë; i angazhuar seriozisht në çështje themelore institucionale, përfshirë hartimin e materialeve që lidhen me akreditimin institucional dhe programet e Akademisë së Sigurisë; është njohës i thellë i çështjeve të sigurisë, rendit publik dhe policimit në komunitet; është kontribues me përvojën e tij të gjatë në edukim, mësimdhënie, akreditim, kualifikime dhe marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit.
Ndihmesa e tij ka qenë veçanërisht e dukshme në mbështetjen e pakursyer për strukturat drejtuese dhe sidomos për Rektorin e Akademisë së Sigurisë. Ylli Xhelilaj është dalluar për urtësinë, qetësinë dhe maturinë, si dhe për mendimet e tij të qarta dhe koncize për çështjet më të rëndësishme të Akademisë së Sigurisë. Ai përfaqëson një vlerë të spikatur intelektuale, që di të kuptojë dhe të zbatojë me përpikëri detyrat funksionale, duke u angazhuar me energji dhe përkushtim në zgjidhjen e tyre.
*