Saimir Kadiu: Roli i kontit Leopold Berchtold në çështjen shqiptare
Traktati i Londrës u nënshkrua më 30 maj 1913 në vijim të Konferencës së Londrës 1912-1913.
Ky traktat lidhet me armëpushimin midis palëve pas Luftës së Parë Ballkanike dhe korrektimet territoriale në dëm të Perandorisë Osmane.
”Personazhet” e Traktatit të Londrës ishin Liga Ballkanike që përbëhej nga Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria, Italia) dhe Perandoria Osmane.
Austro–Hungaria dhe Italia mbështetën fuqishëm krijimin e një shteti të pavarur shqiptar.
Rusia mbështeti pa rezerva Serbinë dhe Malin e Zi.
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar qëndruan neutrale.
Në këto vite të turbullta të Ballkanit, kur Fuqitë e Mëdha vizatonin kufij me laps të ftohtë mbi harta të nxehta gjaku, një komb i vogël kërkonte të lindte. Shqipëria, e mbuluar nga hijet e perandorive dhe lakmitë e fqinjëve, sapo kishte ngritur flamurin e saj kuq e zi në Vlorë. Ishte një lindje e brishtë, e rrezikuar nga copëtimi, por e mbushur me besë dhe krenari.
Në këtë skenë, Konti Leopold Berchtold, diplomati i Austro-Hungarisë, pa më shumë se një flamur të ri: ai pa një kështjellë strategjike, një mur të gjallë kundër daljes së Serbisë në Adriatik. Me penën e tij diplomatike, ai u bë mbrojtës i heshtur i lindjes së kombit shqiptar. Në sallonet e Londrës, mes fjalëve të fuqive të mëdha, Berchtold ngriti zërin për një Shqipëri të pavarur, duke e mbrojtur jo me pushkë, por me traktate dhe argumente.
Shqipëria lindi si një dritë e re mbi Adriatik, e mbrojtur nga gjaku i bijve të saj dhe nga diplomacia e ftohtë e një aristokrati që pa në të ekuilibrin e Ballkanit. Berchtold nuk ishte shqiptar, por në lojën e fuqive u bë mburojë e lindjes së shtetit të ri, duke e ruajtur nga copëtimi i fqinjëve.
Në këtë kontekst roli i Kontit Leopold Berchtold (Austro‑Hungari) ishte shumë i rëndësishëm.
Mbështeti krijimin e një Shqipërie të pavarur për arsye strategjike – për të frenuar Serbinë dhe Greqinë. Ndihmoi në njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar në Konferencën e Londrës (1913).
Pa mbështetjen e Berchtoldit dhe diplomacisë austriake, rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare do të ishte më i madh.
Berchtold kujtohet si një nga figurat e huaja që ndikoi drejtpërdrejt në lindjen e shtetit shqiptar, duke e parë atë si instrument politik në rivalitetin austro-serb.
Ai, qysh në kohën e shpalljes së Pavarësisë këshilloi politikanët shqiptarë që të mos vonoheshin në shpalljen e saj, duke parë rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë u bë në klimën e presionit diplomatik ku Austro-Hungaria, përmes Berchtoldit, e shihte një shtet shqiptar si barrierë kundër daljes së Serbisë në Adriatik.
Në gazetën austriake “Neue Freie Presse” të 19 nëntorit 1912, gjendet një fragment nga fjalimi i rrallë i ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë Leopold von Berchtold, i cili megjithë kundërshtimet e mëdha, insistoi në parlament se duhej krijuar një shtet shqiptar. Ja argumenti që përdori Berchtoldi, në kohën më të rrezikshme për fatin e Shqipërisë:
“Nëse ekzistenca e një kombi shqiptar vihet në dyshim nga dikush, atëherë do t’i thosha atij se shqiptarët, me gjithë rrethanat e disfavorshme gjatë shumë shekujve, kanë ditur të ruajnë të pacenuara traditat kombëtare dhe veçoritë etnike. Në qoftë se ne u japim tani atyre mundësinë për të përvetësuar të mirat e kulturës perëndimore në një shkallë më të lartë, atëherë unë nuk do ta shihja si të pashpresë një projekt të tillë”.
Nuk gjendet asnjë fjalim i ndonjë personaliteti ndërkombëtar asokohe të ishte kaq mbështetës për çështjen shqiptare.
është një turp i madh që në Tiranë ende nuk kemi një monument të tij.
Jemi mjaftuar me një rrugë në një zonë periferike të Tiranës që lidh Brrylin me rrugën Ali Demi (ky emërtim u vu në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë) dhe me një bust në Shkodër… Ky akt i fundit me inisiative të Ambasadës Austriake dhe konsullit të Austrisë në Shkodër Gjergj Leqejza.
Asnjë fjalë as në tekstet shkollore të ciklit parauniversitar për njeriun që mbështeti shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe loboi për njohjen e saj në Konferencën e Londrës.
Një vëzhgim i kujdesshëm tregon se historiografia sovjetike ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën si u perceptua roli i Austro‑Hungarisë dhe i diplomatëve si Leopold Berchtold në historinë shqiptare.
Narrativa marksiste-leniniste e shihte Austro‑Hungarinë si një fuqi imperialiste, pjesë e sistemit të perandorive që shtypnin popujt e vegjël.
Në këtë këndvështrim, Berchtold nuk mund të paraqitej si mbrojtës i Shqipërisë, por si një diplomat që përdori çështjen shqiptare për interesat e Vjenës.
Kjo qasje u përhap edhe në historiografinë shqiptare gjatë periudhës komuniste, e cila ishte e lidhur ngushtë me modelin sovjetik deri në vitet ’60.
Kjo bëri që Berchtold të mbetej në hije.
Sot është 163 vjetori i lindjes së Kontit Berchtold…
Lindi më 18 prill 1863, Vjenë, Perandoria Austriake, në familjen Berchtold von und zu Ungarschitz, një familje aristokrate e pasur me prona në Hungari dhe Moravi.
U martua me konteshën Ferdinanda Károlyi më 1893, duke u bërë një nga njerëzit më të pasur të Austro-Hungarisë.
Përpara se të bëhej Ministër i Jashtëm ishte Ambasador në Rusi (1906–1911), ku fitoi përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
U emërua Ministër i Jashtëm më 17 shkurt 1912, pas vdekjes së Alois Lexa von Aehrenthal.
Pas vrasjes së arqidukës Franz Ferdinand, Berchtold ishte ndër arkitektët e ultimatumit ndaj Serbisë më 23 korrik 1914. Ky akt çoi drejtpërdrejt në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Dha dorëheqjen në janar 1915, kur politika e tij u kritikua për dështimet diplomatike dhe përshkallëzimin e konfliktit.
Pas dorëheqjes, Berchtold u tërhoq nga politika aktive dhe jetoi në pronat e tij në Hungari.
Vdiq më 21 nëntor 1942, në Peresznye, Hungari, në moshën 79 vjeç.