Eden Babani: Maçoku i Jetit
Eden Babani, Bruksel
I.
Kohë më parë, Marta Kos, Eurodeputete e BE-së për Zgjerimin, tha e ç’nuk s’tha në një konferncë për shtyp me Kryeministrin tone. Asohere deputeti i PD-së zoti Luçiano Boçi, mes së tjerash komentoi: “Jo Shqipëria do të hyjë në Europë, por ne jemi kaq bukur, kaq mirë e kaq të lumtur, sa tani Europa do hyjë në Shqipëri… Kos e bëri detin kos dhe kushdo që ka një lugë mund të zhytet e të mos ngopet me europianë, rusë e aziatikë… Kështu arrihet bashkimi e fshihen dhe kufijtë detarë e tokësorë, por dhe ata gjinorë… Ne s’kemi korrupsion kemi kos sipas Kos… Rroftë Republika e Kosit”!
Në fund të këtij komenti të bukur, zoti Boçi ka bërë një vërejte të mrekullueshme duke thënë se Kos nuk e di që ne kemi dhe një shprehje tjetër po kaq me spec: “Një herë bie daci në kos”!
II.
Përpara së të sjell tregimin tim në vargje ’’Maçoku i Jetit’’, do të doja të bëja disa komente paraprake.
Komenti i parë parprak:
’’Maçoku i Jetit’’, e kam shkruar në Kavajë, në vitin 1966, duke shtyrë mbëmjen ndërsa të ndjerit im atë, Dr. Fiqreti dhe im vëllai, veteriner Fredi, luanin tavëll.
Komenti i dytë paraprak:
Ngjarja është e vërtetë. Ne kishim një mace në shtëpi. Ishte e urtë dhe e dashur, por ja që hë… I mbeti koka në kavanoz… Zoti të më falë për atë çka kam tepëruar ndaj saj, maces domethënë. Më donte dhe doja aq shumë sa natën flinte më shumë mbi këmbët e mia, sesa gjetkë. Sot e gjithë ditën i ndjej thonjtë e saj në supe. Më pëkrëdhelte asisoj, siç dinë macet të përkëdhelin. Sot e gjithë ditën ndjej gudulisjen e mustaqeve të saj teksa më lëpinte në qafë e në faqe.
Komenti i tretë paraprak:
Le ta zëmë sikur Jeti është njëri nga djemtë e mi. Sepse rrëfenjat, – në këtë rast krijimet artistike – nuk funksionojnë jashtë fantazisë. Unë e konsideroj përrallëzën time në vargje si krijim artistik. Është a s’ është, këtë le ta gjykojë lexuesi. Ama e vërteta e të vërtetave është që zonja Kos na e bëri detin kos.
Komenti i katërt paraprak:
Gjykimin për fjalët ’’kos’’ e ’’Kos’’ e lë gjithashtu në dorë të lexuesit.
III.
Ja edhe përrallëza ime, tashmë gjashtëdhjetëvjeçare
1
Na ka Jeti një maçok
porsii veten çamarrok.
Bardhë borë të dy faqet
Një bërxhik m’ i ka mustaqet.
Është i prapë e ca nevrik,
me asnjë nuk bëhet mik.
Porsi veten çamarrok
vetëm Jetin e ka shok.
Kur në kopësht Jeti shkon,
mjaullin nëpër oborr,
qoshe më qoshe e kërkon,
gjersa vjen e pret me zor.
Është trim, nëpër shtëpi
nuk guxon të dalë mi.
S’ le rrehat as pulë as rikë,
edhe mizat e kanë frkë.
Por maçoku çamarroku
lara-lara si larash,
që kurkund s’ i gjendet shoku,
ka një ves, na ësht’ kobash.
S’ le tenxhere pa lëpirë,
s’ le kusi, tepsi as pjatë,
që pa zbardhur dita mirë,
gjersa erret, bëhet natë.
Gjyshja plakë në kuzhinë,
kur lan peshk a kur pret mish,
me mundim e mbron kusinë,
nuk pushon së bëri çisht!…
2
…Ish një natë, gjithë flinin,
mami, babi, gjyshja plakë,
hën’ e yje vetëm ndrinin,
n’ errësirë atë natë.
Që përjashta në kuzhinë,
hën’ e yje dot s’ ndriçonin,
por maçokut, çamarrokut
të dy sytë i vezullonin.
Si u lodh duke gërhithur
gërr e gërr përmbi minder,
e ndjeu veten të uritur,
zu vërtitej nëpër terr.
Erdhi rrotull në kuzhinë,
hop kërceu mbi tavolinë…
Por çudi, n’atë syprinë
S’ kish as pjatë, as bukë thatë.
Pastaj hipi mbi bufe.
Ç’ gjeti thoni ju atje?
Gjeti veç një kavanoz
ku kish mbetur dy gisht kos.
Futi kokën me mundim,
lëpiu kosin me nxitim dhe,
kur mbeti ena bosh,
bëri të hidhej përposh.
Por çudi!… Nuk po kuptonte,
kavanozi s’ e lëshonte.
Babëzinë ia pat ënda,
por i mbeti koka brenda.
Shkundi kryet i hutuar,
por pësoi më keq i shkreti.
Gryk’ e shishes së mallkuar,
si kular në qaf’ i mbeti.
Mbetur qafa në kular,
çamarroku tahmaqar
mjau e mjau na vjen vërdallë
sa dëgjohet në mëhallë.
3
Thirri Jeti në shtëpi
më të ngushtit shokë të tij.
Në fillim erdhi Besniku,
pastaj Luli e Fisniku.
Duhet marrë puna shtruar
foli Luli i menduar.
Si t’ ia bëjmë? – tha Fisniku.
Mos u ngut, – u hodh Besniku.
Jeti i vogël nuk bëzante.
Nga e keqja, vetëm qante.
Asnjë fjalë s’ thoshte dot,
gati sa s’ mbytej në lot.
Më në fund, e pleqësuan
mir’ e bukur muhabetin.
E vendosën, u betuan
ta shpëtonin maçokshkretin.
Çamarrokun me kujdes
na e lidhën gjer në mes.
Pa e shtrinë si të sëmurë
në një thes që kishin prurë.
Njëri mori një çekan,
tjetri një goxha kopan.
Porsi mjeshtra të punonin
çamarrokun ta shpëtonit.
Djersë u doli nga mundimi,
sytë u ndritën nga gëzimi…
Dhan’ e morën, u munduan,
çamarrokun e shpëtuan.
Qysh atëherë, kur pret mish,
gjyshja plakë s’ bën më çisht!
Vuri mend maçokkobashi,
tashti rruhet nga telashi…
IV.
I pari koment i pasmë:
Me sa duket, kosi i Kosit paska filluar të thartohet. A thua t’ ia ketë hequr veshin dikush Komisioneres për Zgjerimin? Sepse, helbete, të shkojë tjetra në Sërbi dhe t’ i thotë Vuçiçit ose ’’me Rusinë, ose me BE-në’’, nuk është pa domethënie. Aq më tepër kur merr guximin ta kërcënojë atë (Vuçiçin’) që së pari të njohë Republikën e Kosovës, pastaj të lërkojë të hyjë në BE. Dhe ku pa, bash në ish-Jugosllavinë e dikurshme.
Unë ngul këmbë, madje pa droje te ky koment i parë i pasmë, sepse s’ duhet harruar që zonja kroate është akuzuar nga bashkatdhetarët e saj si spiune e UDB-së.
I dyti koment i pasmë:
Këto ditë, zonja Kos që e bëri detin kos, paska komentuar letrën e përbashkët Rama – Vuçiç në një mbledhje të Aleancës së Atlantikut Verior: ”Nuk ka anëtarë ‘light’ (prodhim dosido, pak a shumë). Ose je anëtar dhe atëherë merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Pehlivane kjo zonja sllovene. Ç’ thotë sot, e kundërshton nesër. Ç’ thotë këtu, e kundërshton atje më poshtë. Çfarë të besojmë? Atë që tha në fillim të fjalës së saj (Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së brenda vitit 2030) apo letrën e dy liderëve sivëllezër të Ballkanit Perëndimor?
I fundit komenti i pasmë:
Historia e këtij shkrimi është pak a shumë shkruaj e prish, prish e shkruaj. Ta botoj, të mos e botoj. Jo se druhesha, por sepse here më pëlqente, herë jo. Si shumë i zgjatur në kohë e në hapërirë. Që nga koha e qoftëlargut, në ditët tona. Që nga Kavaja e Tirana, në Bruksel. Që nga Lindja, në Perëndim. Më në fund i thashë vetes ”Jepi, bre!…” Mos kujtojnë lexuesit e Albspiritit, veçanërisht Çerçiz Loloçi se Edeni… Sepse ç’farë nuk ndodh në këtë jetë…