Arben Iliazi: Thanas Dino zbuloi Jugun
– ese-
“Gjethet e tij janë duart e mia,
Rrënjët e tij janë zëmra ime,
Trungu i tij janë vitet e mia,
Qumështi i tij , pikon pik pik, është jeta,
Arkitektura e tij e çuditshme është gjuha ime.
Unë jam fik deti”.
Kjo poezi me ndjesi të forta, me karakter të brendshëm simbolik e metaforik, e titulluar “Unë jam fik deti”, është botuar për herë të parë në nr.10 të revistës “Nëntori”, të vitit 1972 nga poeti gjirokastrit Thanas Dino. Por ai poet, asokohe 23 vjeçar, i sapodalë nga shpërngajtë, nuk ekziston më. Atë e gëlltiti censura komuniste e apokalipsit revolucionar të Pleniumit të IV, kur e flakën brutalisht, nga gazeta “Drita”, në fshatrat e Kurveleshit, duke e përjashtuar nga letërsia. Ndodhi diçka e pabesueshme. Poezia u konsiderua një anatemë çmistifikuese, një kundërvënie artistike ndaj metodës së realizmit socialist. Akuzonjësit u drithëruan si në ethe. Vetë “Njëshi” i Partisë do ta lakonte emrin e tij sa nga njëra mbledhje te tjetra, sa nga njëri takim te tjetri: “Ç’është ky i lajthitur që do të bëhet fik deti?!” Tani ekziston shkrimtari Thanas Dino, që ngrihet kundër monotonisë së moralit duke dekonspiruar mitet, ajër për zemra të forta e shpirt të lirë, i cili thotë: Nuk ka kohë heroike, vetëm njerëz heroikë! Ndonëse minoritar dhe bilinguist, humanizmi në veprat e tij nuk njeh kufij.
***
Më kish folur për këtë poezi, diku rreth vitit ’78 të shekullit të kaluar, poeti dhe miku im Agim Mato, kur takoheshim në studion e tij në Sarandë. Me Thanasin u takova për herë të parë në vitin 1983, në zyrën e profesor Dalan Shapllos, udhëheqësit tim të temës së diplomës. Thanasi sapo kishte filluar punë si korrespendent i gazetës “Zëri i popullit”. Duke i dhënë detyrën e reporterit, autoritetet e larta shpresonin se e ishin nxjerrë jashtë kontekstit talentin e tij letrar, e kishin zhveshur nga fuqia krijuese. Duke i shkatërruar shpirtin, mendonin se grehina shpirtërore e tij do të digjej e bëhej hi. Por artin e tij, të Mirën, të Vërtetën, të Bukurën, Dino i mbajti si kategori të amshuara në qiellin e kujtesës dhe fantazisë së tij, për t’i shfaqur të sublimuara vite më vonë, si margaritarë të zbritur nga qielli. Gazetari Dino nuk ishte nga ata që mund të “ngujohej” brenda fatit të tij, të kthehej thjesht në një kronist manekin. Kishte vetëm dy miq të shenjtë: Ismail Kadarenë dhe Arshin Xhezon (kryeredaktroin e Zërit). Ai ndoqi rrjedhën e ngjarjeve njëra pas tjetrës, hyri në kuptimësinë e kohës, të njeriut; nisi të interesohet për historinë dhe u armatos me norma universale, që shpjegojnë ngadhnjimin e shkallëshkallshëm të arsyes mbi zakonet e paragjykimet, ndarjen e arsyes nga historia. Tablonë racionale të së ardhmes e skicoi në mendjen e tij, i hodhi sytë nga Sokrati dhe njerëzit e tij, por edhe nga Spinoza e Kanti. Nga përvoja si gazetar, kuptoi çelësin e artë të letërsisë së vërtetë, se të gjithë njerëzit kanë mënyrën e tyre për të qenë të pashembullt dhe të papërsëritshëm dhe nuk ka asgjë më të lartë se sa shumësia e shpirtrave kolektivë, ku të gjitha vlerat mbikombëtare, qofshin juridike, estetike apo morale, zhvishen nga sovraniteti i tyre. Nga gjithë përvoja gati 25 vjeçare në gazetari, deri në vitin 2005, Th. Dino kuptoi se në vend që t’ua nënshtrosh faktet normave ideale, duhet të kuptosh më parë se norma të tilla kanë një kontekst e një gjenezë të tyren; shkurt, ato nuk janë gjë tjetër veçse fakte. Ndërsa pasuria e njerëzimt qëndron vetëm e vetëm në shumëllojshmërinë e mënyrave të jetesës, nëse vlerat estetike dhe kulturore, që i japin kuptim jetës, dalin në pah, në sajë të vjegave të kujtesës afektive.
Kur e ndjeu se nuk mund t’i jepte llogari askujt pos vetes së tij, kur u bind se fjalës së lëkundur hyjnore duhej t’i kthehej pushteti i saj i epërm, gazetari Thanas Dino, si njeri i shpresave mesianike, i armatosur me imprerativat e antropologjisë sociale dhe i sigurt në kuptimësinë e kohës, me zjarr të përqëndruar frymëzimi, i ktheu borxhin e vjetër letërsisë, me mbi 30 libra në qarkullim si: Nata me dy hëna, Shenja e Shenjtë, Mesi, Vetëvrasja mbi trëndafil ose Dhjetëvjetëshi i fundit, Prishja ose Ndërrimi dhe Ndalimi, Dielli i ulët, Fshati i prerë, Mbi tokën e ngushtë, 2021; Dimra lufte – Hotel Balzaku ’73, “Ciklopi i Glinës”, etj.
Ishte mbyllja e parë e llogarive me veten, rikthimi në botën vetjake, ndryshimi shpirtëror tërësor, ku u shfaq artisti i vërtetë, brenda dhe jashtë kohës së tij.
Th. Dino zbuloi Jugun, në të gjitha përmasat e tij, të diversitetit kulturor, doktrinave, historisë, vitalitetit, shterpësisë, trullosjeve, nginjjeve, bestytnive, mpirjeve morale, harbimeve të shfrenuara, padjallëzisë dhe gëzimit. E tërë filozofia e tij e krijimit mban erë jug dhe flet me gjuhën e erës së jugut, me siguri të pagabueshme, duke nuhatur afërsinw, thelbin, shpirtin e çdo njeriu. Ajo herë buçet e ngazëllyer dhe shungullon më fort se tepria e dritës, herë bëhet e ngurtë, arrogante, shpërthyese, që kërcënohet vrullshëm nga shëmtia, në alegorinë më të lartë, dhe ka forcë emocionale të ngjashme me tingujt e një kambane të stërlashtë. Fantazia e shkrimtarit është e hijshme, joshëse, e epshme, harmonike.
Në të gjitha këto libra Thanasi rrëfen histori njerëzore, si një fat i përbashkët, të lidhura me një botë personale. E gjithë esenca antropologjike dhe estetike e veprave të tij përfaqëson entitete të gjalla, të atilla ku secila mbrun lëndën e saj, shoqërinë, me formën e vet, pasionet e veta, jetën, vullnetin, ndjeshmërinë e vet.
Porsi një filozof i thjeshtë dhe praktik, Dino, edhe pse nderoi parime estetike abstrakte dhe, ndonjëherë, jashtëletrare, nuk u druajt të shkelë me këmbë paragjykimin, traditën, lashtësinë, mitet, autoritetin, me një fjalë, gjithçka që mban nën zgjedhë morinë e shpirtrave. Nën shembullin e Platonit, ai e ngre të mirën përmbi çdo gjë që ekziston, duke filluar me mënjanimin e fakteve dhe duke dalë kundër lektisjeve, pas mjegullnajave metafiziko-morale, si bartës i privilegjuar i kujtesës popullore, duke ruajtur të gjallë mishin e jetës, gjakun dhe shpirtin. Novacioni i Dinos është shumë më i madh në planin simbolik, se sa në planin e psikologjisë. Ai i shtron problemet e mëdha estetike të veprave të tij dhe i zgjidh ato thjesht dhe me ndjeshmëri njerëzore, duke arritur, në mënyrë befasuese, drejt thelbit universal. Duke përdorur një tipologji kallëzuesore narrative me motive dinamike dhe statike, me një imagjinatë demoniake për të paraqitur një univers fantazmash, rrëfimet e tij janë të përkryera, me një shqetësim të përhershëm, të thukët, përvëluese në të gjitha pikat e shpirtit. Tipari më i theksuar i ligjërimit të tij është aftësia për të përzier lirisht linguistikën me metalinguistikën.
Te Thanas Dino mund të gjesh lëndë të pabesueshme për të hartuar dhjetra ese. Ai, në të vërtetë nuk ka nevojw për apologji sokratike. Ftesa ime publike është: Lexoni sa më shpejt veprat e tij!
(Kjo ese u shkrua më 21 prill 2026, pas promovimit të krijimtarisë së Thanas Dinos, nga Shtëpia e mirënjohur Botuese “Neraida”, në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare)
BIGRAFIA
Thanas Dino ka lindur më 12 dhjetor 1949 në Gjirokastër. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e tij të lindjes. Më pas vazhdoi studimet në fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi dhe menjëherë pas përfundimit të tyre u emërua redaktor në gazetën “Drita”, ku qëndroi deri në vitin 1973. Thanas Dino vlerësohej si një nga penat më të talentuara të brezit të vet, por qëndrimet e tij jokonformiste dhe etiketimi i krijimtarisë së tij si moderniste dhe e papërshtatshme me frymën e kohës, pas Pleniumit IV të KQPPSH, shkaktuan largimin e tij nga Tirana për të punuar mësues në Picar të Gjirokastrës. Nga viti 1983 deri në vitin 2005 Thanas Dino punoi korrespondent i gazetës “Zëri i popullit” për rrethet e Jugut të Shqipërisë.
Krijimtaria letrare e Thanas Dinos është e shumtë dhe e larmishme.
Nga librat e tij përmendim: Burrat e lirisë, dramë, 1979; Vëllezër me malet, tregime, 1980; Biblioteka e Jugut, publicistikë letrare: Opozita popull, 1997; Historia vllahe në tregime njerëzore, 2003; 20 ditë në ishullin e Homerit, 2003; Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu, 2004 ; Raport nga Jugu, 2005; Malet e Shqipërisë rreth gjëmuan, 2007; Nga Blloku dhe nga Magnetofoni, 2007; Brumi prej guri, 2009; Themele dhe rrënoja, 2010; Fjala ka këmbë, 2013; Prej kohe, 2015; Thënësit, 2017; Nga Fjala, 2018; Dy – Me Ismail Kadarenë, Njolla në biografinë time, 2019; Banojmë në fjalë, 2020.
Romane: Nata me dy hëna, 2012; Shenja e Shenjtë, 2015; Mesi, 2016; Vetëvrasja mbi trëndafil ose Dhjetëvjetëshi i fundit, 2017; Prishja ose Ndërrimi dhe Ndalimi, 2018; Dielli i ulët, 2019; Fshati i prerë, 2020; Mbi tokën e ngushtë, 2021; Dimra lufte – Hotel Balzaku ’73, 2021. Lëndë për ëndërra (2025).