Albspirit

Media/News/Publishing

PROTESTAT E DIASPORËS – BAROMETËR I ZGJIMIT TË RINISË SHQIPTARE

Dritan Demiraj

Protestat dhe aktivitetet sensibilizuese të diasporës shqiptare vazhduan edhe dje në dy zona të ndryshme të Michiganit, në Troy dhe Macomb County, duke dëshmuar se zëri i shqiptarëve nuk njeh kufij gjeografikë.

Këto tubime u organizuan nën kujdesin e studentëve shqiptaro-amerikanë, të cilët po tregojnë një nivel të lartë ndërgjegjësimi qytetar dhe një përkushtim të admirueshëm për të mbështetur bashkëkombësit e tyre në Shqipëri.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë nga fillimi i kësaj lëvizjeje, pavarësisht përpjekjeve për ta minimizuar, përçarë apo diskredituar atë, energjia dhe vendosmëria e të rinjve vazhdon të rritet. Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një lëvizje që buron nga bindja, idealizmi dhe dëshira për ndryshim.

Nga Michigani në New York, nga New Jersey në Chicago, nga Bostoni në Florida, gjithnjë e më shumë shqiptarë po bashkohen për të ngritur zërin e tyre dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe largimin menjehere te sektit antiShqiptar te hajduteve te Rilindjes.

Roli ynë si brez me më shumë përvojë është t’i mbështesim, t’i këshillojmë dhe t’i udhëzojmë me maturi, duke ua lënë protagonizmin djemve dhe vajzave tona. Ata janë forca, energjia dhe shpresa e së nesërmes.

Historia ka treguar se kur rinia zgjohet dhe bashkohet rreth idealeve të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit kombëtar, asnjë pengesë nuk mund ta ndalë marshimin e saj drejt ndryshimit.

E ardhmja i përket rinisë shqiptare.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kombin shqiptar kudo që jeton.