Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Monumenti letrar i Niko Kacalidhës

Sot është ditëlindja e mikut tim Niko Kacalidha, i cili i ka blatuar poezisë dhe origjinës hyjnore të saj gjithë jetën dhe përdëllimin krijues, duke e vënë shpirtin mes perëndive e njerëzve, duke krijuar përjetësinë e çdo dite në jetën tokësore dhe duke e kthyer veten në një misionar. I uroj Nikos, një ndër më të befasueshmit, ndër më kompleksët dhe imagjinarët, ndër më të dëshpëruarit liriko-tragjikë, që misionin e tij poetik ta mbrojë e ta mbajë përherë të dlirë e të pacënuar!

Me një talent të lindur, me një shpërthim të rrallë ekzistencial, Niko Kacalidha ka shkruar shumë, gjatë gjithë jetës.

Mes vargjeve të tij është vërejtur një alkimi e çuditshme, me intonacione tingujsh e ngjyrash të magjishme, që kanë trazuar jo vetëm shpirtin, por edhe fantazinë dhe ëndërrat.

“Darka e shenjtë

Unë i paftuar në vetminë e detit.

Të dehurit e flaknin nëpër dallgë

dhe copë e çikë bëhej kupë e hënës”.

***

“Unë jam paqësor si deti dhe i egër si deti.

Edhe i madhërishëm sikur të isha si deti,

unë, përsëri emrin tim do të mbaja”

***

“Një mijë guaska deti blegërijnë brigjeve,

kullotur në bunacë buzëpërgjakura prej puthjes”.

Një poezi kozmogonike, nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj. Në shumë krijime të tij u vunë re pretendime për t’i shërbyer artit dhe perëndive. Sepse vetëm perëndive u lejohet të sillen me pastërti absolute, pa përzierje.

Jam i mendimit se vepra e tij duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe dhe asaj greke, por i “republikës së letrave” përgjithësisht.

Kacalidha është një krijues bilingual (dygjuhësh) me tridhjetegjashtë vëllime të botuara, nga të cilat përmendim: Libri i parë “Fjalë të thëna në pranverë’”, me të cilin fitoi edhe një çmim kombëtar. Për të vazhduar më pas me ”Flugeri’”, ”Shtëpitë tona në jug”, (çmim kombëtar); “Shtrati i lumit tim”, “Zërat e vendlindjes”, “Anëdet”, “Kor tragjik i përgjakur”, “Bibla e të vrarëve”, “Shtëpia e erërave”, “Rrënjët e drurëve”, “Letër urgjente nënës”, “Baladë e përzishme”, “Vaj i malit të vrejtur”, “Dhe sfinksi foli”, “Njëqind trëndafila të agullimit” (çmim ballkanik); “Loti i ciklamini”, “Profecitë e drurëve”, ”Bashi i yjeve”, ”Fati i amarandusit”, “Shala e hënës”, “Heraldikët e mullibardhës”, “Shenjat e hidhërimit”, “Orë diellore”, “Pagëzimi i zogjve”, “Heraldikët e borës” e të tjerë që nuk më kujtohen.

N. Kacalidha, jo vetëm shkruan paralelisht në dy gjuhë të ndryshme, shqip dhe greqisht, por jep ndihmesën e vet origjinale në dy kultura, një poet dhe prozator me dy identitete, që e shfaq talentin e vet jo vetëm duke shkruar vetë por njëkohësisht, duke vendosur ura midis dy kulturave të cilave u përket, nëpërmjet përkthimit nga secila gjuhë në tjetrën, nga shqipja në greqisht dhe nga greqishtja në shqip.

***

Niko Kacalidha u lind në Leshnicë të Sipërme, Sarandë, në 25 korrik 1949, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij. Njohu eposin , legjendat , poezinë orale të të dy vendeve. Njohës i poezisë antike greke, i poezisë së nobelistëve, por dhe Eposit të Kreshnikëve dhe Epikës legjendare shqiptare .

Kacalidha me poezinë, artin dhe rrezatimin si inelektual ndihmon në njohjen e ndersjelltë dhe miqësinë midis popujve.