Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Të bashkuar, nuk harrojmë!

Më 26 shtator, në AMC Hall në Kosovë, mora pjesë në një mbrëmje të rëndësishme të kujtesës kombëtare, organizuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, nën drejtimin e z. Bardhyl Mahmuti.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=258&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F1391359779748911%2F&show_text=false&width=560&t=0

Qendra ishte kujdesur që në këtë aktivitet të ishin të pranishëm shqiptarë nga të gjitha trevat. Kjo i dha mbrëmjes një domethënie të veçantë: kujtesa e Kosovës është kujtesë e gjithë kombit.

Gjatë mbrëmjes u promovua kënga “NE NUK HARROJMË!”, kushtuar të rënëve dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës. E ideuar nga Bardhyl Mahmuti, me muzikë të Edmond Zhulalit dhe tekst të Fran Laskës, kënga interpretohet nga Enkelejda Arifi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj dhe Selami Kolonja. Edhe zërat e tyre, nga treva të ndryshme shqiptare, përcollën mesazhin e bashkimit.

Në fjalën time, si përfaqësues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, theksova se dhimbja e Kosovës nuk është vetëm e Kosovës, ashtu si dhimbja e Çamërisë nuk është vetëm e çamëve. Kur shqiptarët e Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre në vitin 1999, familjet çame njohën në atë pamje historinë e vet. Plagët e secilës krahinë janë pjesë e kujtesës sonë të përbashkët.

E shkuara jonë na kërkon të mos heshtim për viktimat, të mos lejojmë shtrembërimin e historisë dhe të mbrojmë të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës. Nga kjo mbrëmje i bëra thirrje Kuvendit të Shqipërisë të miratojë një rezolutë të posaçme për njohjen e gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Falënderoj z. Bardhyl Mahmuti dhe ekipin e Qendrës për organizimin dhe për punën e tyre në ruajtjen e kujtesës. Përgëzoj krijuesit dhe interpretuesit e këngës për emocionin dhe dinjitetin që i dhanë këtij mesazhi.