Të jesh dele nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh formën e saj
Silvana Begaj
Të jesh dele nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh formën e saj. Mjafton të mendosh, të flasësh dhe të veprosh si turma.
Një dele e vërtetë beson atë që i thuhet, ndjek atë që i tregohet, admiron atë që i serviret dhe urren atë që i caktohet si armik. Zakonisht, pikërisht atë që i tregon çobani.
Nuk pyet. Nuk thellohet. Nuk përpiqet të kuptojë ku mbaron liria e individit për jetën e vet dhe ku fillon pushteti i dikujt tjetër mbi jetën, të ardhmen dhe bukën e tij.
Delet ndihen të sigurta vetëm në tufë. Ecën turma ecin edhe ato. Ndryshon drejtim turma ndryshojnë edhe ato. Pa pyetur kurrë: Pse po shkojmë këtej? Kush po na drejton? Dhe kujt i intereson që ne të mos mendojmë?
Ndoshta kjo shpjegon edhe një pjesë të tragjedisë së shpopullimit masiv të vendit tonë: ikin shumë prej atyre që kërkojnë mundësi, dinjitet dhe perspektivë, ndërsa debati publik mbetet peng i zhurmës, banalitetit dhe skandaleve të ditës. Njerëzit merren me jetën e tjetrit, me disa “degjenerime” të servirura për konsum publik, dhe brenda ditës harrojnë varfërinë, padrejtësinë, mungesën e meritokracisë dhe problemet që ua përcaktojnë realisht jetën.
Sepse një turmë që nuk pyet është shumë e lehtë për t’u hutuar. I jep një skandal dhe harron problemin. I jep një armik dhe harron përgjegjësin. I jep diçka për të urryer dhe ndihen të plotësuar.
Një tufë delesh që, duke menduar se po gjykon të tjerët, mund të jetë duke dorëzuar pa e kuptuar lirinë dhe të ardhmen e vet.
Sa shumë dele të pamerituara paske pasur o Nënë Shqipëri!