Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Nga skandali moral te përgjegjësia penale!

Nuk kam pranuar ftesa televizive prej një jave që dolën videot, sepse nuk kam ditur kë të “mbroj dhe cilin të akuzoj”, por shikoj që ka edhe viktima në ato regjistrime skandaloze!

Madje në mendimin tim, ka shumë viktima në ato regjistrime.

Rasti i kompozitorit Hila nuk mund të trajtohet më thjesht si një çështje morale, nëse faktet që po qarkullojnë lidhen me një person që në kohën e ngjarjeve mund të ketë qenë i mitur!

Këtu pyetja nuk është më vetëm çfarë ka ndodhur, por nëse është abuzuar dhe shkelur ligji…

Nëse hetimi do të provonte se një i rritur ka kryer veprime seksuale me një të mitur, Kodi Penal parashikon dënime të rënda.

Në varësi të moshës së të miturit, natyrës së veprimit dhe pozitës së autoritetit apo ndikimit që mund të ketë pasur i rrituri, dënimi mund të arrijë në shumë vite burgim, deri në dënimet më të rënda që parashikon kodi penal për të mitur dhe që unë kam një libër në dorë duke e shkruar liritë dhe të drejtat e të miturve!

Po aq serioze është edhe çështja e filmimit apo regjistrimit pa dijeninë dhe pëlqimin e personit.

Nëse një material i tillë është regjistruar, ruajtur apo shpërndarë në mënyrë të paligjshme, mund të lindë përgjegjësi penale edhe për këtë veprim.

Por ka një vijë që nuk duhet kaluar, dyshimi nuk është provë dhe akuza nuk është fajësi.

Prandaj, pyetja që duhet t’u drejtohet institucioneve është:

A ka elementë të një vepre penale dhe a duhet të nisë një hetim?

Nëse ka persona që kanë qenë të mitur në kohën e ngjarjeve dhe pretendojnë se janë abuzuar, është detyrë e organeve ligjzbatuese të verifikojnë faktet, të mbledhin provat dhe, nëse shkelja e ligjit provohet, të kërkojnë përgjegjësinë penale.

Ligji shqiptar përcakton se i pandehuri prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë dhe se fajësia duhet të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. 

Dhe këtu lindin disa pyetje për një hetim serioz!

  1. A ka pasur një marrëdhënie abuzive ndaj një të mituri?
  2. A janë bërë regjistrime pa dijeninë dhe pëlqimin e personave të përfshirë dhe shpërndarë më pas?

Dhe mbi të gjitha, nëse ekzistojnë elementë të një vepre penale, çfarë po presin institucionet për të hetuar?

Deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë, çdo person prezumohet i pafajshëm, por prezumimi i pafajësisë nuk do të thotë që pretendimet nuk duhet të hetohen.

Madje duhet që hetimi të jetë i shpejtë, dhe provat ti drejtohen gjykatës, pas ketij momenti nuk vendosë më opinioni publik. Por faktet e vendosin çeshtjen në duart e një gjykate, dhe vihet në vend drejtësia për të gjithë personat që janë viktima në ato regjistrime, edhe nëse nuk ka pasur abuzim, ndalohet me ligj filmimi pa leje, sepse në këtë rast abuzimi është dyfish më i rënde për personazhet e ekspozuar që janë kthyer në të akuzuar publikisht!

Në mendimin tim, ka shumë viktima në ato regjistrime…