Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Mesnatë Tetori


Ora 2. 53′

Si qajnë macet në mesnatë?
Si foshnja djepi.
Macet kokë më kokë.
Pas pak
fishekzjarret trembin
gjumin e qytetit
përpëlitje,
prehje,
bombë.

Gjithandej
e ndjeshme mesnata
ende zgjuar pijetore
lakuriq gurgullon
frymë e tejme
perëndish,
çel gjith’ ato
bebe belbëzimesh
nga puthja dhe paqja

k’puten unazat në gisht.

Yjet nuk janë këmborët e natës
por humba po më tingëllojnë
gjuhë detare të paqtë,
Sytë e tyre
vezullojnë pastër
qerpikë t’kaltër velash
lundrojnë
në çastin e flaktë të vashës

shegët e yjeve ndizen
prushe grash.

O yje, paskeni zbritur përtokë,
kë do rrokni ju sonte
në shtratin e natës?
Gjethe hiresh
ngjethje
gazplot,

të vranët ushtarët e statujat
varfëria kokërr hudhër
loti gjer në palcë

Limfa ngjall botë…

Diku përgjakeni ju, yje,
gjelbërimi nuk rron
dot pa pyjet
ecja nuk rron ngathëti,
Ne në Durrës nuk rrojmë
dot pa rrezet, pa rreziqet
pa gjysmëhënën kryqin
pa lundrimin
pa përmbytjet
më shumë mardhim.

Pyjet e vuajtura mbi kodër
e duan edhe vjeshtën
t’ua ndjell
durimin gjer në kockë,
qiellin i do fishekjaret
jo ta djegin
por t’ia
ndriçojnë hershëm
terrin, thëllimin

teksa cijatjet e reve
k’saj mesnate premtimi
si mace flejnë kokë më kokë.