Ismet Hajrullahu: Dinastia e “Pleshtave Politikë”
O njerëz të mirë, mos u bëni si pleshti që kërcen nga njëri krah në tjetrin!
Ky paralajmërim sot tingëllon më aktual se kurrë, duke goditur direkt në palcë dukurinë më të shëmtuar të skenës sonë politike: oportunizmin dhe akrobacinë partiake.
Në mjedisin tonë politik po rritet një racë politikanësh që nuk njohin as ideologji, as moral dhe as besnikëri ndaj votuesit. Këta janë “pleshtat politikë”. Ata e nisin karrierën në një krah, por po t’u premtohet një post apo një privilegj, gdhihen në krahun tjetër.
E nisin si opozitarë të zhurmshëm, por posa t’u paraqitet mundësia për pushtet, këcejnë pa asnjë fije turpi në prehrin e atyre që deri dje i shanë.
Pse kjo metaforë e pleshtit është kaq e saktë? Sepse pleshti nuk qëndron në një trup nga parimi, por nga interesi për t’u ushqyer. Këta akrobatë partiakë nuk ndërrojnë krah për të mirën e popullit, por për të ngopur xhepat dhe interesat e tyre personale. Ky kërcim nuk është manovër, është tradhti e pastër ndaj votës dhe besimit qytetar.
Prandaj thirrja “O njerëz të mirë…” është një apel zgjimi për shoqërinë. Është një ftesë për t’i ndëshkuar me përbuzje ata që lëkurën politike e ndërrojnë më shpesh sesa këmishën. Kush kërcen si pleshti sot për një karrige pushteti, nesër do të kërcejë sërish, në kolltukun e dreqit!