Albspirit

Media/News/Publishing

Strasburgu rikthen në punë prokurorin Adnand Kosova

Ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnand Kosova fiton betejën në Gjykatën e Strasburgut.

Pasi e shqyrtoi çështjen e Kosovës, Strasburgu deklaroi se “shkarkimi i aplikantit nuk u tregua proporcional me qëllimet legjitime të ndjekura”.

Gjykata vlerësoi se, nëse Kosova e kërkon, do të ishte e përshtatshme që procedura e Vettingut të rihapej dhe çështja të rishqyrtohej në përputhje me kërkesat e nenit 8.

Shqipëria duhet t’i paguajë Adnand Kosovës 6 mijë euro për dëm jomaterial dhe 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet e procedurës.

Adnand Kosova u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, ndryshe shkalla e dytë e vettingut, vendim që tashmë është konsideruar joproporcional nga Strasburgu.

Kosova është prokuror karriere dhe ka ushtruar detyrën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda prej dhjetorit të 2004 dhe ka qenë edhe drejtues i këtij institucioni. Në momentin e nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë, ai ushtronte detyrën e prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.