Albspirit

Media/News/Publishing

Vallja e Osman Takës u regjistrua në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale

Fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini”

Fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini” shpreh kënaqësinë e veçantë që ishte pjesë e procesit të përgatitjes dhe dokumentimit për regjistrimin e Valles së Osman Takës në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në bashkëpunim me Bashkinë Konispol.

Ky është një vendim i rëndësishëm dhe i shumëpritur për ruajtjen, njohjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të krahinës së Çamërisë.

Vallja e Osman Takës është një nga shprehjet më të njohura dhe më të fuqishme të identitetit kulturor dhe të trashëgimisë çame. Ajo mbart histori, kujtesë, art, krenari dhe një pasuri të çmuar shpirtërore, e cila është përcjellë brez pas brezi.

Shprehim mirënjohjen tonë të veçantë për Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Ministrinë e Kulturës, për vlerësimin dhe vendimin e marrë.

Një falënderim i veçantë shkon për Bashkinë Konispol dhe veçanërisht Zv/kryetaren e këshillit bashkiak Sildi Koqini e cila u kujdes për çdo detaj gjatë procesit të plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm për miratim.

Mirënjohje për të gjithë personat që kontribuan në përgatitjen dhe realizimin e dosjes, në mënyrë të veçantë për studiuesin Enver Kushi, për prezantimin dinjitoz dhe profesional që bëri mbi Vallen e Osman Takës, para Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Ministrinë e Kulturës.

Mirënjohje gjithashtu për artistët, bartësit e traditës dhe të gjithë dëshmitarët që ndanë njohuritë, kujtimet dhe dëshmitë e tyre, duke ndihmuar në dokumentimin e kësaj vlere të rëndësishme kulturore.

Ky regjistrim është një hap i rëndësishëm për promovimin e kulturës çame dhe për t’i dhënë trashëgimisë së saj vendin e merituar në pasurinë kulturore kombëtare. Ai krijon një mundësi të re për ta bërë më të njohur Vallen e Osman Takës dhe, përmes saj, historinë dhe kulturën e Çamërisë, brenda dhe jashtë vendit.

Ne besojmë se ruajtja e trashëgimisë nuk mjafton vetëm me dokumentimin e saj. Ajo duhet të promovohet, të studiohet, të transmetohet dhe të bëhet e njohur për brezat e rinj.

Fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini” do të vijojë të mbështesë dhe të kontribuojë në iniciativa të cilat promovojnë historinë dhe kulturën e krahinës së Çamërisë.