Albspirit

Media/News/Publishing

Si mund të mos e paragjykosh një shtesë të bërë tinës kunder lirise te Medias?!

Nga Mimoza Kociu

Përtej xhelozive primitive në media se kush reagoi i pari, ky ishte thelbi krejt i pabesueshëm i zërave fillestarë pro e kundër, ndodhi ajo që duhej. Komuniteti i medias u bashkua në qëndrimin se neni 13 i projektligjit “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, në pikën 3 të tij cënon të drejtën kushtetuese për të shprehur edhe në media mendimin e lirë.

Qartazi projektligji që përcakton pavarësinë e prokurorëve të prokurorisë së posaçme, e kufizonte këtë të drejtë përmes fomulimit se “çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj. Akoma më tej, për këtë lloj vepre, Kodi Penal parashikon një dënim, deri në 3 vjet burg.

Së pari, në mënyrë krejt të pabesueshme, medias i vihet në kufi ligjor në atë që do bëjë në të ardhmen, kur të pasqyrojë implementimin e refomës në drejtësi. Pra një koment, një opinion, një raportim bazuar në informacione nga burime zyrtare konfidenciale apo të hapura, që mund të cojë në dyshime logjike, që duhen ngritur, e i duhen bërë të ditura publikut, do konsiderohet “influencë e papërshtatshme”? Dyshimi është filtri i punës së cdo gazetari, që e ka shumë të qartë, se asnjë institucion nuk do i japë vullnetarisht provat e abuzimit të vet.

Nga ana tjetër, në një njëjtin ligj, tre nene më poshtë, pra neni 16, në pikën e parë thotë se :“Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë” Atëherë, pse nuk qenka i mjaftueshëm ky formulim për t’i “mbrojtur” prokurorët në fjalë nga “influencat e papërshtatshme”? Për më tepër, prokuroria e ka mbrojtjen ligjore mbi sekretin e hetimit e punën saj, njëlloj si cdo zyrtar publik në këtë vend, që mund të padisë një individ, funksionar a gazetar për cënim edhe “jo të përshtatshëm” për shkak të detyrës.

Më e rëndësishmja, edhe duke u vënë në anën e atyre që duan të sigurojnë këtë supermbrojtje të prokurorëve të posacëm, është krejt anormal specifikimi i medias, kur të gjithë e dimë se korrupsioni në drejtësi ka lulëzuar nën hijen e vetë politikës, që gjithnjë ia ka hedhur paq, edhe pse abuzimet e saj janë publikuar “përmes mediave”, sic thotë neni 13.

E pabesueshme sesi media renditet në nenin 13, mes atyre që do ta pengokan këtë proces, edhe pse në këtë vend ka patur vec raportime për politikanë që nga karrigia e pushtetit, i kanë bërë presion flagrant si përmes mediave, ashtu edhe në kontakt të drejtpërdrejtë prokurorëve e gjyqtarëve. Pra ta vecosh median si “kërcënim” në një nen të posacëm, me një akuzë kaq përgjithësuese si “influencë e papërshtatshme”, patjetër që kthehet në kambanë alarmi per këdo që punon më media e raporton përditë, pavarësisht nëse kritikon qeverinë (a nuk duhet të jetë ky funksioni i një medie?), apo i bën fresk asaj.

Tingëlluan krejt qesharake përbetimet e disa politikanëve të zellshëm, apo opinion bërësve edhe më të zellshëm, se nuk paskërka pasur asnjë prapamendim për të prekur median, edhe pse asnjë prej tyre nuk kishte qenë në origjinë të formulimit të këtij neni. E ajo që nuk u tha gjatë atyre përbetimeve publike, ishte se ky nen nuk kishte ekzistuar në variantin e parë, pra ishte një shtesë e freskët, që përfshinte edhe median, në formulimin “përmes mediave”.

Si mund të mos e paragjykosh një shtesë të bërë tinës? Edhe pse duket një formulim që nuk e prek direkt median, në fakt qartazi e kufizon atë. Përse medias duket t’i kufizohet e drejta të përcjellë zërat e ndryshëm, apo informacione nga burime, që vetë media i gjykon të drejta për t’i ndarë me publikun? A nuk duhet të mbajë përgjegjësi individuale secili, kushdo qoftë, për gjithcka thotë? Ligjet e këtij vendi e mundësojnë një gjë të tillë, e sipas nevojës janë përdorur e me sukses.

Mediat kanë gjithë të drejtën të dyshojnë në vullnetin e qeverisë (edhe nëse kjo mohohet prej saj), për të cënuar lirinë e tyre. A nuk patëm një propozim personal të kryeministrit në nëntor 2015 per kriminalizimin e shpifjes për funksionarët e lartë shtetërorë? A do ishte ndërgjegjësuar vetë kryeministri ta tërhiqte atë projektligj, nëse nuk do kishin reaguar shoqatat e medias, njëlloj sic bënë të mërkurën e 17 Gushtit per nenin 13 të ligjit për prokurorinë speciale? Edhe kur disa media nxituan ta justifikonin, ose thjesht nuk e përcollën si shqetësim serioz të kolegëve të tyre?

Së fundi, edhe pse implementimi i reformes në drejtësi nuk ka nisur, pyetja që shtrohet teksa has këtë lloj qasje ligjore është: a do kryhet me transparencë ky proces, apo gjithcka do bëhet pas dyerve të mbyllura, e media duhet vetëm të qëndrojë në pritje, të produktit “të padiskutueshëm”, duke u matur mirë se si do e pasqyrojë, se mund të përballet me akuzën për “influencë të papërshtatshme”? Nëse ndodh kështu, e sigurtë është që media do kërkojë, e do i japë hapësirë cdo zëri që do ketë informacione per ecurinë e këtij procesi, e do ngrejë pikëpyetjet respektive.

Censura e vetëcensura janë tipare që po theksohen frikshëm në median shqiptare këto vitet e fundit edhe pse abuzimi me detyrën, korrupsioni e krimi i organizuar i lidhur me politikën figuron e zezë mbi të bardhë në cdo raport të huaj. Ky është një shqetësim i gjithë komunitetit të gazetarëve, por edhe arsyeja se përse BE e SHBA po nxisin gazetarinë investigative, si për pushtetin qendror ashtu edhe atë vendor, duke u investuar me shuma të jashtëzakonshme të taksapaguesve amerikanë e europianë.

mimoza kociu edi ramaEdhe për këtë arsye, ai nen duhet rishikuar, së pari nga vetë ekspertët ndërkombëtarë që po asistojnë hartimin edhe të këtij ligji, duke e përjashtuar median prej tij. Sa më shpejt, aq më mirë, sepse i bën nder procesit, jo medias. Nëse kjo reformë do kryhet si duhet, sic e dëshirojmë të gjithë, media nuk duhet parë si “rrezik”, por si partnere e nevojshme për transparencë, që është celësi i suksesit të një procesi, që ka vëmendjen e interesin e gjithë opinion publik. Median e ka frikë, vec kush do t’i fshihet publikut, e ky është një parim universal.

Share:
Please follow and like us: