Adnan Dibrani, deputeti shqiptar në Suedi: Të rinjtë e Shqipërisë, garantët e së ardhmes europiane të saj
Në 17 shtator të vitit 2014 Adnan Dibrani u rizgjodh për herë të dytë deputet i Parlamentit të Suedisë. Ndërkohë në vitin 2010 ai u zgjodh deputeti i parë shqiptar i këtij Parlamenti.
Cilët ishin fillimet e karrierës tuaj politike?
Si një 16 vjeçar jam përfshirë në politikë, në atë kohë isha pjesë e forumit rinor të socialdemokratëve. Nuk e dija se çfarë më priste në politikë, por duke qenë një i ri kam pasur dëshirë të ecja përpara për të kontribuar dhe zhvilluar vendin ku unë jetoja që quhet Varberg. Pas disa vitesh angazhim në forumin rinor, në moshën 25-vjeçare më erdhi ftesa dhe besimi nga Partia Socialdemokrate, drejtuesit e së cilës më pyetën dhe më kërkuan që të përfshihesha në listën për deputet të kësaj partie, në zgjedhjet parlamentare që do zhvilloheshin në vitin 2010. U ndjeva shumë i vlerësuar nga besimi që mu dha dhe pranova të kandidoj. Kur erdhën zgjedhjet arrita një rezultat befasues duke marrë më shumë vota se çdo kandidat tjetër. Ky ishte një rezultat i pabesueshëm si për mua dhe për partinë time. Jam ndjerë shumë i gëzuar për zgjedhjen time si deputet në Parlamentin e Suedisë në vitin 2010 dhe të njëjtën ndjesi përjetova dhe në 2014 kur u zgjodha deputet për herë të dytë.
Sot ndodheni në kampingun që organizon Lëvizja Rinore për Integrim. Cilët janë përshtypjet tuaja për këtë kamping?
Super, energjia është fantastike ndihem shumë mirë, kur takoj të rinj të cilët duan të zhvillojnë vendin e tyre, duan të ecin përpara, kjo është e ardhmja e Shqipërisë. Jam këtu për të inkurajuar të rinjtë e LRI, për t’ju dhënë ide dhe nxitur për të vazhduar këtë rrugë që kanë nisur dhe për të ecur përpara. U kam thënë të rinjve se kur Adnan Dibrani shkoi në Suedi si refugjat dhe në moshën 25-vjeçare u zgjodh deputet, ju të rinjtë mund të arrini shumë gjëra në Shqipëri dhe i keni të gjitha mundësitë të realizoni një të ardhme të shkëlqyer për veten dhe vendin tuaj. Mësoni prej njëri-tjetrit, gëzoni që jeni këtu, merrni këtë energji pozitive prej këtu dhe kur të ktheheni në qytetet tuaja punoni dhe kontribuoni për zhvillimin e qyteteve tuaja.
Si i shikoni marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Suedisë dhe perspektivën e zhvillimit të tyre në të ardhmen ?
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Suedisë kanë qenë shumë të mira në të kaluarën dhe janë bërë gjithnjë e më të mira edhe në të tashmen. Kryeministri z.Edi Rama ka vizituar Suedinë. Kryetari i parlamentit z.Ilir Meta ka vizituar Suedinë. Ilir Meta ka shumë miq në Parlamentin e Suedisë, ka mik shumë të afërt kryetarin e grupit socialdemokrat në Parlamentin e Suedisë. Mund të them që marrëdhëniet midis Suedisë dhe Shqipërisë nuk kanë qenë më të mira se sa sot. Suedia e mbështet, inkurajon dhe është e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit Europian .
Si e shikoni rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian?
Kjo është diçka që do ndodhë, është e sigurtë dhe e pashmangshme, por pyetja që vjen nga të gjithë është: Kur? Ndodhitë që kanë përfshirë BE-në kohët e fundit i kanë ç’fokusuar politikat për zgjerimin e shpejtë. Siç dihet, problemi i refugjatëve kryesisht nga Siria, ka marrë vëmendjen dhe energjinë kryesore të BE dhe momentalisht BE është e angazhuar me zgjidhjen e këtij problemi. Anëtarësimi i shpejtë i Bullgarisë, Rumanisë e vendeve të tjera ka bërë që BE të ndjekë një politikë më të matur dhe më të ngadaltë për zgjerimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk besoj se do jetë i shpejtë dhe i cunguar, e sigurtë që ky anëtarësim do të jetë i plotë dhe do të vijë në kohën e duhur, atëherë kur dhe Shqipëria të përmbushë të gjitha reformat e kërkuara. / Intervistoi: Shaban Sulçe