Albspirit

Media/News/Publishing

Askush nuk fitoi!

Askush nuk fitoi !

Presioni i politikës hungareze ndaj Bashkimit Evropian, në lidhje me çështjen e refugjatëve dështoi.Rezultati i referendumit edhe pse nuk kishte në vetvete asnjë vlerë ligjore përballë BE, pesha e tij ishte e konsiderueshme. Për më tepër, organizimi i tij erdhi në një moment aspak të përshtatshëm, ku nga njëra anë BE po përpiqej të impononte solidaritet bashkëpunues në zgjidhjen e krizës së refugjatëve dhe nga ana tjetër, tensioni politik që shkaktoi referendumi britanik, nuk krijonte hapësirën e duhur për kapriçio të lokalizuara kombëtare. Por, kush doli realisht fitues në këtë situatë: BE, politika hungareze apo qytetarët e Hungarisë ?

Ultra-konservatori Viktor Orban, dhe qeveria e tij u angazhuan politikisht dhe financiarisht për të realizuar objektiva të qartë, që lidheshin sa me përfitime të brendshme politike, por edhe me një përforcim të pozicionit hungarez përballë politikës evropiane. Edhe pse rezultati i referendumit, nuk mbarte në vetvete asnjë vlerë ligjore, ndaj politikave të Brukselit, rëndësia e tij lidhej me një mekanizëm, që do të shfrytëzohej jo vetëm për të refuzuar politikat e solidaritetit në emër të vullnetit të sovranit, por sigurisht që do të sillte edhe një frymë përforcuese në qëndrimet e V4, ku Hungaria bën pjesë, një grupim, që ka shfaqur vazhdimisht luhatje dhe refuzime ndaj politikave për solidaritet në krizën e refugjatëve, që imponon BE. Rezultatin e referendumit, Viktor Orban, po përpiqet ta shikojë si të suksesshëm, në kuptimin e përqindjes së lartë të mbështetjes, që shfaqën në shumicë votuesit hungarezë (95%), edhe pse pragu i përqindjes së pjesëmarrjes, që ai të cilësohet i vlefshëm, nuk u arrit. Duke u bazuar në këtë “sukses” të rezultatit të referendumit, përpjekja e tij në vijim do të shkojë për futjen në Kushtetutën hungareze të “ligjshmërisë” së këtij vendimi popullor. Edhe pse referendumi dështoi, suksesi i tij nuk mund të mos shtrihet në gjurmët, që ka lënë një fushatë dezinformuese, me baza të forta ksenofobie dhe me frymë anti-evropiane.

Populli hungarez është pozicionuar gjithashtu në luhatje mes dështimit dhe suksesit. Dështimi, fillimisht është financiar, pasi prek miliona euro të nxjerra nga paratë e taksapaguesve hungarezë, që kanë shkuar për financimin e politikave të ksenofobisë, të urrejtjes, të frikës, të mohimit, të përbuzjes dhe të shpërfilljes. Atyre politikave, që përpiqen të shkatërrojnë jo vetëm humanizmin dhe solidaritetin, në kuptimin e detyrimeve ligjore evropiane dhe ndërkombëtare, por që përpiqen të gërryejnë këta përbërës të rëndësishëm të moralit të një kombi, duke shkaktuar dëme historike të pariparueshme ndaj imazhit të tij. Ky dështim financiar, shkon edhe ndaj përpjekjeve për të konsideruar BE, organizmin ku Hungaria është anëtare me të drejta të plota dhe ku aderon me vullnet të qartë, si një shkaktar dhe faturues i fatkeqësive dhe padrejtësive ndaj kombit hungarez. Por, suksesi i këtij referendumi, shtrihet tek vendosmëria për të shpëtuar Imazhin dhe Nderin e  një kombi, që rrezikonte të futej për herë të parë, në të gjithë historinë e Bashkimit Evropian, në Faqen e Turpit, aty ku Antivlerat marrin forcën ligjore për t’u shndërruar në Vlera !

Edhe BE nuk gjendet aspak në një pozicion komod, pasi dështimi dhe suksesi vërtiten gjithashtu në të njëjtën platformë. Dështimi prek fillimisht mungesën e fuqisë, por edhe të vullnetit, për të bindur anëtarë të tij, që të mos shkaktojnë dëme ndaj Unionit, sidomos në momente krizash të shumëfishta, vetëm në emër të të ashtuquajturave “interesa kombëtarë”. Ky dështim, sidomos ndaj politikave hungareze të ultra-konservatorit Orban, ka qenë sistematik dhe familja e madhe e djathtë evropiane e ka akomoduar vazhdimisht këtë sjellje dhe qasje jashtë normave të një politike normale. Përqindja e ulët e pjesëmarrjes në votime, për ta konsideruar të vlefshëm referendumin, mund të konsiderohet si sukses, por përqindja e lartë e mbështetjes ndaj politikave të ksenofobisë dhe frymës kundër Unionit, është faqja e kundërt e monedhës së suksesit. Edhe pse referendumi dështoi, nuk duhet harruar se mbështetja e gjerë popullore, që shfaqet e konfiguruar në parlamentin hungarez, shërben si kambanë alarmi, për të mos harruar rëndësinë, që mbart Regresi në mesin e Evropës së civilizuar dhe të modernizuar. /DITA

Please follow and like us: