Albspirit

Media/News/Publishing

Milan Shuflaj – Milan Šufflay

Milan Shuflaj, Milan Sufflay

Milan Shuflaj (Milan Šufflay) lindi në Lepogllav (Kroaci), më 9 nëntor 1879. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin vazhdoi studimet për shkenca historike në Universitetin e Zagrebit. Që në universitet lexonte në origjinal veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Ai njihte në themel të gjitha gjuhët sllave, e më vonë mësoi ebraisht, shqip e sankrisht. Në moshën 24 vjeç afirmohet si studiues i përmasave evropiane. Pas studimeve universitare bashkëpunon me Tadija Smičiklas për hartimin e korpusit “Codex diplomaticus Regni Croatiae, Dalmatiae et Slavoniae”.

Gjatë vitit 1902-1903 punon pranë Institutit të Studimeve Historike në Vjenë, ku boton “Dokumente private të Dalmacisë”. Nga viti 1904-1908 punon në muzeun popullor të Budapestit. Vepra monumentale e Milan Shuflait mbetet “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” që do të thotë: dëshmi dhe dokumenta që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën mesjetare. Shkurt kjo vepër me dy vëllime për historinë e Shqipërisë njihet me emrin “Acta Albaniae”. Volumi i parë u botua në Vjenë më 1913, kurse volumi i dytë më 1918 po në Vjenë. Ato flasin për Shqipërinë e viteve 334-1406 dhe janë shkruar në bashkëpunim me studiuesit Konstantin Jireček e Lajos Thalloczy (ky i fundit i njohur, gjithashtu, me emrat: Ludwig Strommer, Ludwig von Thallóczy, Ljudevit Taloci).

Në vitin 1916 e më pas boton: “Gjendja kishtare në Shqipëri”, “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”, “Shqipëria mesjetare”, “Lidhja hungaro-shqiptare në mesjetë”, “Fatet politike të temës së Durrësit”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”, etj. Me krijimin e shtetit sllav pas Luftës së Dytë Botërore, ku veç Serbisë përfshihet edhe Sllovenia e Kroacia, për historianin Milan Shuflai fillojnë ndjekjet dhe persekutimet. Arrestohet, burgoset dhe dënohet me 3 vjet e gjysmë burg si anëtar i komitetit kroat të formuar në Grac të Austrisë. Serbët nuk mund të harronin kollaj argumentet dhe analizat që kish bërë ai për lashtësinë e shqiptarëve. Pasi del nga burgu i Mitrovicës boton “Mjergullat kombëtare”, “Kadastrat e Shkodrës”, “Ciklonet etnike në Ballkan”, “Kështjellat dhe qytetet mesjetare të Shqipërisë”, “Serbët dhe shqiptarët”, “Mozaiku nacional në Maqedoni”, “Qytetet dhe fshatrat në mesjetë”, e të tjera, gati 3 mijë tituj librash e artikujsh studimore mbi Shqipërinë, Serbinë, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë, Austrinë, Italinë. Milan Shuflaj ka botuar edhe me pseudonimin Alba Limi. Me këtë emer ai ka botuar romanin historik “Konstandin Balsha”.

Siç shihet dhe nga kjo bibliografi e shkurtër, Shuflai është një nga personalitetet më të mëdhenj të shkencës dhe albanologjisë. Ai është përfaqësuesi më dinjitoz. Nuk ka albanolog tjetër që mund të konkurojë Shuflain për periudhën e mesjetës. Me dokumente dhe fakte ai argumenton fillimet e para të jetës qytetare të Shqipërisë, shumë kohë para se sa të vinin sllavët. Ai argumentoi prejardhjen tonë. Davariti mjergullat e kohës e saktësoi kohën ilire, helene, romake e bizantine të Shqipërisë. Ai dhe vetem ai prezantoi themelet e ndërlikuara, mbi të cilat është ndërtuar jeta jonë kombëtare e shtetërore. Për të kryer studime të tilla nuk është e lehtë. Burimet e informacionit janë shumë të largëta, gati të paarritshme. Por edhe kur i gjen, është e pamundur t’i deshifrosh se njerëzit në atë kohë nuk flisnin e nuk shkruanin siç flasim e shkruajmë ne sot. Mendoni, ç’dituri e madhe, ç’punë kolosale, ç’kohë e gjatë e sa mund i është dashur Shuflait për të rindërtuar pa asnjë të metë mozaikun e shqiptarëve të sotëm që më parë quheshin arbër e akoma më herët, ilirë. Nëse historiografisë sonë i heqim Shuflain, atëherë ç’mbetet? Prejardhja jonë do të ishte e dyshimtë, e mangët, e cunguar. Të dhëna për këtë periudhë kanë paraqitur dhe studiues të tjerë, si; Daniele Farlati, Zef Valentini, Alen Dyselje etj., por roli dhe saktësia e Shuflait nuk mund të krahasohet me asnjë. Ai është i padiskutueshëm. Të gjithë ata që duan të flasin për historinë e Shqipërisë patjetër duhet të kalojnë nga burimi i Shuflait. Vritet pabesisht në Zagreb, më 18 shkurt 1931, një muaj pasi kishte vizituar Shqipërinë.

Vdekja

Jo vetëm jeta, por edhe vdekja e Shuflait ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Ai që ia kish kushtuar gjithë jetën historisë së Shqipërisë s’kish se si të ndahej nga kjo botë veçse për shkak të saj. Në dhjetor të vitit 1930 mbreti Zog e fton Milan Shuflain të vizitojë Shqipërinë. Mbreti e njihte mirë kontributin e Shuflait në hartimin e historisë së Ballkanit, prandaj ai donte që Shuflai të shkruante edhe historinë e Shqipërisë. Dhe Shuflai që e admironte kaq shumë këtë popull të vogël me histori të lashtë, erdhi në Tiranë. Bujti në hotel “Kontinental” dhe qëndroi 8 ditë. Në një nga këto ditë, ai mbajti një fjalim para parlamentarëve shqiptare. Aty përmendi biologjinë e fisit shqiptar si pjesë e një projekti për historinë tërësore të Shqipërisë. Në parlament ai foli shqip dhe për këtë u duartrokit dyfish. Një javë pasi u largua nga Shqipëria për në Zagreb i erdhi kërcënimi i parë. Një pusullë prej letre, ku kërkohet të hiqte dorë nga studimet dhe shkrimet e mëtejshme. Në fund shënimi: “Organizata Nacionale për Mbretin dhe Atdheun.” Natyrisht, tani ai kish më shumë punë se asnjëherë tjetër. Sapo që kthyer nga Shqipëria ku kish marrë obligim për të përfunduar vëllimin e tretë të “Acta Albaniae”. Katedra e historisë për Evropën Juglindore në Universitetin e Budapestit i kish afruar një vend pune. Mirëpo mbreti Aleksandër nuk e la të dilte jashtë kufijve të Serbisë. Ndërkohë dhe Akademia e Shkencave të Vjenës i kish propozuar të mbaronte punën për vëllimet e lëna përgjysmë. 52-vjeçari Milan Shuflai nuk mund të trembej nga një kërcënim prej letre. Të tërhiqej? As që bëhej fjalë! Kështu deri në mbrëmjen e 18 shkurtit. Ndërsa po kthehej në shtëpi, hyri në një rrugicë dhe… (sipas pohimeve të mëvonshme) tre vetë e ndalojnë në errësirë, e qëllojnë me levë në kokë dhe largohen me shpejtësi. Rrëzohet pa ndjenja në tokë dhe ashtu të mbytur në gjak e gjejnë kalimtarët e rastit, të cilët e çojnë menjëherë në spital. Mirëpo është vonë. Vdes po atë natë, pa thënë asnjë fjalë e pa lënë asnjë amanet. Autoritetet ndaluan botimin e çfarëdo lajmi që kish lidhje me vdekjen e tij. Mirëpo Shuflai nuk ishte individi i zakonshëm. Ai ishte kthyer tashmë në institucion. Gazetarët e huaj dhanë menjëherë lajmin e bujshëm: “Milan Shuflai, ndërsa po kalonte rrugës për të shkuar në shtëpi, u godit në errësirë nga persona të panjohur e më pas vdiq në spital”. Ata e quajtën “krim të madh” pa nguruar të thonë “i organizuar nga policia serbe, e cila rrëmbeu nga shtëpia të gjitha dokumentet e dorëshkrimet e tij”. Pas këtij njoftimi intelektualët evropiane, midis të cilëve edhe Albert Einstein e Heinrich Mann, e dënuan vrasjen makabre. Akademia e Shkencave të Kroacisë lëshoi një komunikatë ku dënonte vrasjen dhe shtronte pyetjet: Si u vra dijetari, studiuesi dhe profesori ynë? A ishte ky një sulm për ta grabitur, apo një vrasje politike e paramenduar? A u godit Shuflai thjesht për ta trembur e vetëm kaq apo duhej asgjësuar përfundimisht? Nëse po, atëherë pse duhej likuiduar fizikisht një burrë 52-vjeçar siç ishte Milan Shuflai? Ç’ekuilibër prishi ai? Po! Milan Shuflai kishte gabuar rëndë. Ai ishte larguar nga shkolla sllave. Rilindja serbe e quante popullin serb popull misionar, një popull i cili qëndron mbi të tjerët. Sllavët e jugut kishin ardhur në këtë rajon të Evropës për të emancipuar barinjtë e egër të Ballkanit. Kjo filozofi që ekziston dhe sot e kësaj dite binte ndesh me frymën evropiane të Shuflait. Ja pse vdekja e Shuflait në atë natë të ftohtë dimri mbeti misterioze deri në dimrin e vitit 1940! Ajo u ndriçua vetëm pas këtij viti kur para Gjykatës së Zagrebit u nxorrën si të pandehur Branko Zverker, Lubomir Bellosheviç dhe Stevo Vecernica. Ata deklaruan se vendimi për likuidimin e Milan Shuflait u mor pasi ai u kthye nga Shqipëria. Pas kërcënimeve për të hequr dorë nga studimet e tij më 15 shkurt, në zyrën e shefit të Policisë së Zagrebit u vendos likuidimi i tij”. Kështu shkruan Josip Horvart (f.228) në veprën e tij kushtuar Milan Shuflait.

Para disa vjetësh, ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, duke shfrytëzuar sesionin shkencor “Shuflai dhe Shqiptarët” të organizuar nga Akademia Shqiptare e Shkencave në Tiranë, e dekoroi Shuflajn pas vdekjes me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në studimet albanologjike, për karakterin shkencor dhe objektiv të mbrojtjes së çështjes shqiptare në veprën e tij”.

Please follow and like us: