Albspirit

Media/News/Publishing

126 partitë politike në Shqipëri

Nga Afrim Krasniqi/ 126 partitë politike në Shqipëri, nevoja për reformë nga financimi tek demokratizimi

Nga Afrim Krasniqi/ 126 partitë politike në Shqipëri, nevoja për reformë nga financimi tek demokratizimi

Shumica e vendeve demokratike, përfshirë të rajonit, kanë klauzola të qarta mbi themelimet, funksionin dhe legjitimitetin e partive politike. Rreth 92% e vendeve evropiane kanë legjislacion më liberal sesa Shqipëria për krijimin e partive politike, por 95% e tyre kanë norma e standarde më të larta të funksionimit të demokracisë partiake sesa Shqipëria. Le të marrim një aspekt: ligji shqiptar përcakton norma sesi një parti krijohet (tendenca ka qenë e mbetet ashpërsimi i kushteve të krijimit me qëllim parandalimin e partive të reja politike që mund të krijohen kundër 2-3 partive të mëdha politike), por nuk ka limit votash apo praktike sesi mund të ç’regjistrohet një parti politike. Vendet e tjera, përfshirë fqinjët tanë në rajon (edhe Kosova), kanë detyrime të qarta ligjore e administrative për deklarimin e të dhënave themelore të çdo partie (përbërja, drejtimi, kontaktet, votat, financimi etj) çdo fundviti, kurse në Shqipëri, norma të tilla janë ose formale ose mungojnë tërësisht.

Ndaj ka ndodhur dhe ndodh që për shembull, një nga 15 partitë e para politike të krijuara më 1991 vijon të jetë e regjistruar në gjykatë dhe teorikisht, edhe konkurruese në zgjedhje, në emër të një kryetari themelues, i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë. Po ashtu në listën e 126 partive ndodhen edhe emra të tjerë drejtuesish, ende subjekt juridik dhe zgjedhor, të cilët në fakt nuk jetojnë më. Siç kemi rreth 80% të partive politike, të cilat në zgjedhje rregullisht marrin më pak sesa 3000 vota, aq sa është numri minimal i qytetarëve që duhen për të krijuar një parti politike. Pra, rreth 80% e partive nuk marrin dot votat e themeluesve të tyre, dmth, ose kanë anëtarësi fiktive ose mbijetojnë në mënyrë fiktive përmes koalicioneve të mëdha të krijuara nga partitë kryesore.

Absurditete të tilla kanë krijuar fiktivitet mbi numrin real të partive politike, kanë ndikuar në uljen e besimit publik tek partitë dhe krijimin e një klime nguruese tek grupe të ndryshme qytetare ose politikanë të njohur kritik ndaj sistemit dhe që duan të krijojnë parti të reja politike. A përbën numri i partive tregues të sasisë & cilësisë së demokracisë e pluralizmit politik? Jo. Edhe në sistemin komunist kishim 7 subjekte fiktive të drejtuara nga PPSH që kandidonin me një listë fiktive zgjedhore në emër të Frontit Demokratik. Edhe në Kinën, Kubën apo Korenë komuniste gjenden edhe sot subjekte fiktive që krijohen e drejtohen nga partia – shtet. SHBA dhe shumë vende perëndimore demokratike kanë shumë herë më pak parti politike kombëtare sesa Shqipëria, apo subjekte elektorale kombëtare shumë më pak sesa edhe organizatat satelite të vendeve komuniste.

Atëherë çfarë tregon numri 126? Tregon shumë gjera, por konkluzioni është një: nevoja emergjente për reformimin e sistemit të përfaqësimit, e reformës së thellë në ligjin e partive politike dhe sistemit zgjedhor, nevoja emergjente për më shumë demokraci dhe më pak parti fiktive, më shumë shtet dhe më pak modele të partive që mbijetojnë duke abuzuar me shtetin, nevoja emergjente për reforma në financimin e partive politike dhe në ndarjen e qartë të pushteteve të pavarura/administratës nga listat militante të partive politike, të cilat me rotacion vijnë në pushtet. Dhe së fundi, nevojën emergjente të demokratizimit të vetë partive politike, pasi parti që nuk janë demokratike nga brenda me anëtarët e vet nuk mund të ndodhë kurrë që të prodhojnë demokraci jashtë tyre në shtet e shoqëri.

a1a2a3

Please follow and like us: