Sigurimi e përgjoi familjen Popa me një fshesë. Ja historia e pabesueshme e pastrueses së ambasadës!
Nga Anxhela Ferra
Një kujtesë mbi të shkuarën, dëshmi të heshtura të vendosura në muret e një bunkeri. Një bunker i kthyer në art. Kupola është e mbuluar me fotografi të viktmave të sistemit komunist. Bunkeri është i njëjtë, bashkë me dëmtimet e marra një vit më parë pas protestave. Por tashmë janë portetet e mbi 100 martirëe që u vranë kush pa gjyq e kush pa marrë gjykim gjatë viteve të komunizmit.
Janë të shumtë njerëzit që hyjnë në bunker, dikush kërkon të gjejë emrin e të njohurit të vet, të rinjtë shqiptarë duan të kuptojnë më mirë se kush jemi e ndërkohë të huajt e shohin si një mundësi shumë të mirë për tu njohur me një kohë të panjohur të Shqipërisë.
Kur hyn në tunelin e gjatë nis procesi i riprodhimit të terrorit, një terror që përcillet midis fotove, dëshmive të internuarve politikë, tingujt e frikës që kishte çdo shqiptar. Dëgjohen edhe të lehurat e qenëve të kufirit, të cilët përdoreshin për të ndjekur dhe bllokuar shqiptarët që përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin.
Në një mur shkruhet parrulla e famshme komuniste “Me popullin. Për popullin”, ndërkohë diku tjetër atje ku është xhaketa e një të vdekuri shkruhet “Trupi i liruar nga vdekja”.
Në një cep sheh nga hekurat një të ‘burgosur,’ i cili nuk dihet nëse është i fajshëm ose jo, por ai qëndron me këmbë e me duar të lidhura me zinxhirë.
Një udhëtim në kohë, ku listat me emrat e të burgosurve, të të vrarëve dhe atyre të cilët edhe sot janë të zhdukur, qëndrojnë të varura në ajër, siç është dhe kujtimi i tyre te familjarët.
Më pas shkon në dhomat e përgjimit, të survejimit i cili shkonte deri te të huajt që vinin në Shqipëri. Përgjimi ishte mjeti kryesor i përdorur nga Sigurimi, për të kapur çdo armik të popullit. Çimkat ishin në çdo vend, në ambjentet e hotel “Dajtit”, në shtëpitë e njerëzve të cilët bëheshin bashkëpuntorë me Sigurimin për të përgjuar komshiun, i cili ishte i dyshuar.
Enver Hoxha e quante Sigurimin e Shtetit, armën e mprehtë dhe të dashur të Partisë, sepse ajo mbronte interesat e popullit dhe të shtetit kundër armiqëve të brendshëm e të jashtëm.
Një fshesë për të përgjuar familjen Popa
12 dhjetor 1985. Duke përfituar nga konfuzioni i krijuar gjatë një parade të regjimit, një familje e tërë nga Durrësi, arriti të hyjë në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe të kërkojë azil politik. Ata ishin dy vëllezërit dhe katër motrat e familjes Popa. Akili, Ermioni, Ileana, Taena, Nikolla dhe Zhaneta. Më e reja ishte 47 vjeç, më i vjetri 65 vjeç.
Ky ishte fillimi i një krize diplomatike mes dy brigjeve të Adriatikut: Shqipëria nuk mund të pranonte që arratisja nga vendo të ishte kaq e lehtë, Italia nuk donte të prishte marrëdhëniet e mira me Tiranën. Në mes, vëllezërit dhe motra Popa, të përndjekur politikë në vendin e tyre me shumë vite internimi në shpatulla dhe tani të mbyllur brenda në Ambasadën Italiane, ku do të qëndronin për pesë vjet.
Vetëm përtej mureve kufizuese ndodhej një forcë e pa preçedentë me 800 ushtarë dhe policë shqiptarë vendosur nga ana e regjimit komunist rreth ambasadës, ndërsa Sigurimi vepronte në mënyrën e tij, për të kontrolluar se çfarë ndodhte brenda. Kamerat me rreze infra të kuqe, të fshehur në një furgon, kontrollonin lëvizjet përtej mureve të ambasadës, mikrofonat drekcionalë, kamerat dhe aparatet fotografikë të fshehur në kafazet e rreme të pëllumbave regjistronin çfarë ndodhte në oborr.
Pastaj një e infiltruar e veçantë: pastruesja, e rekrutuar nga Shërbimi si spiune. Gruaja ishte vendimtare në strategjinë e përgjimit. Sigurimi i besoi asaj pesë çimka për t’i vendosur nën mobilje dhe prapa pikturave në ambasadë, duke e ditur shumë mirë që policia italiane e shërbimit të sigurisë do t’i gjendet shpejt ato dhe kështu do të qetësoheshin duke menduar se kishin zbuluar dhe neutralizuar sistemin e përgjimit.
Por në të vërtetë ishte dhe një çimkë e gjashtë që nuk u gjend kurrë dhe që funksionoi rregullisht, në pesë vitet e rrethimit të ambasadës; ishte çimka që gruaja kishte fshehur në fshesën e saj. Çdo ditë, pasi kthehej në shtëpi Sigurimi ia zëvendësonte baterinë dhe të nesërmen ajo i kthehej detyrës duke marrë me vete mjetin e çmuar dhe të padyshuar për të përgjuar.
Rrethimi zgjati deri në 3 maj 1990, kur Italia me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, arriti më në fund të niste me avion për në Romë, të gjashtë anëtarët e familjes Popa. Arratisja e tyre do të bëhej shembull për t’u ndjekur nga mijëra bashkatdhetarë që disa javë më vonë pushtuan ambasadat perëndimore në Tiranë, duke shënuar kështu fundin e regjimit komunist në Shqipër.
Ajo e familjes Popa është një nga ato historitë e vogla që ndryshuan fatin e vendit dhe pse gjashtë protagonistët e saj u konsideruan si tradhëtarë për atdheun e tyre dhe pengesa te bezdisshme për Italinë. Pesë prej tyre tashmë kanë vdekur në vetmi dhe në varfëri. Ermioni, që sot është 77 vjeç, në hapjen e këij muzeu është e mbijetuara e vetme e asaj familje. Ajo jeton në varfëri në Durrës, vetëm, e sëmurë dhe e harruar nga të gjithë.