Poradeci, vlerësim për “Siç më thotë nënua plakë” e Musine Kokalarit
Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është dhe destini i njeriut, veçanërisht i njeriut – g r u a.”
“Nuk tall as nuk qesh përciptas, nuk vajton dyke spiritizuar. Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është d h e d e s t i n i i njeriut, veçanërisht i njeriut – g r u a”, është kjo shprehje ndër vlerësimet e jashtëzakonshme që Lasgush Poradeci bën për hartimin e zonjushës, Musine Kokalari, e cila kishte fituar çmimin e parë në institutin e Tiranës. “Siç më thotë nënua plakë” titullohet hartimi me të cilin Musineja kishte konkuruar në përfundim të studimeve të shkollës së mesme në Inatitutin e Tiranës në verën e vitit 1940. Artikulli i Musine Kokalarit u botua në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, në korrik të vitit 1940. Atje është edhe kritika që Lasgush Poradeci i bën kësaj vepre të Musine Kokalarit, duke e vlerësuar si një vepër origjinale e me vlera të larta artistike. Pas këtij moment gjejmë një korespondecë të gjatë mes Musine Kokalarit dhe Lasgush Poradecit.
Nga Lasgush Poradeci
Është një dhuratë e thjeshtë që na jep zonjusha Kokalari, sapo e dalë nga bankat e Institutit të Tiranës. Sapo e dalë. Sepse vepra në vetëvete paraqitet jo si një provë shkollore e klasave të larta, jo si një shëmbëll zotësije, si një hartim që ka fituar çmimin e parë, – ajo përmban së-kundrazi mê pak dhe mê shumë se kaq. Mê pak sepse ka mungesat e veta, të papranuarshme në një konkurs letrar të nxënëseve të shkollës së mesme; mê shumë, sepse na çfaqet, me këtë përjashtim, nënë kushtin e domosdoshmë të artit që domethënë krijim.
Librëza e z-shës Kokalari është pra një krijim origjinal, dhe si i tillë meriton të heqë për një shënim vërrejtjen t’onë.
Krijim origjinal? Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë me fjalë të thjeshtë, të pangatërruar, me fjalë drejt për drejt siç është jeta vetë, se autoresha e këtyre skicave rastore e ka zënë jetën mu në mezin e saj, në momentin kritik që është momenti i math i çdo manifestimi të jetës njerëzore, që përmbleth edhe çfaq, në një pikë tërësije, gjithë kuptimin e vërtetë të jetës të çfaqur rastësisht. Zënia e jetës, kapja e menjëherëshme e saj në fond dhe në formë dhe çfaqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, me anën e artit, kjo është origjinalitet – origjinalitet letrar. Nënë mprojtjen e kësaj cilësije, që është cilësija e parë e çdo vepre shkrimi për të dëfryer shpirtin, qëndron siç thamë libra e shkrimtares s’ onë. Ky karakter, cilësija e origjinalitetit të kapur shpejtazi dhe mu në thelb të zhvillimit psikologjik të jetës, sjell me vete dhe pikë-së-pari të metën e vet, si drita që sjell pàs hijen. Përshtypja e efektit kryesor i ka mënjanuar hollësirat rrethonjëse, që janë siç kuptohet vetvetiu hollësira forme, çështje trajtimi të përjashtëm, kujdes me durim i gjithë atyre ndërtimeve, drejtpeshimeve dhe kundërpeshimeve të fjalës dhe të frazës, të cilave nuk i-a-u vuri dhe aq shumë veshin në shkollë, për hir të punës kryesore: origjinalitetit.
Dhe kështu vijmë tashi në gjënë që na intereson mê shumë për këtë shënim, në meritat artistike të shkrimtares së re shqiptare. Ato janë një virtut i pamohuarshëm i saj, ku mund të kënaqet me të vërtet nevoja jonë për një shijim estetik të plotshëm, ku gjejmë, si në bërthamë, premtimin e heshtur të shvillimit të mëpastajmë të atyreve që ajo mundet të na japë në kohën e duhur. Me sa vërrejtje të përpiktë, plot gjallësi dhe plot freskësi, janë zënë këto miniatura të Musine Kokalares! Të thuash, si të kish këputur një copë të gjallë të jetës, një pjesë që rron më vetëvete gjithë jetën e organizmit shoqëror, një fragment që përfaqëson origjinalin dyke e përmbledhur. Janë skica këto, me një intuim psikologjik të math. Ato s’venë, siç do t’ i detyronte lloji i tyre, rrugës në gjërësi. Nuk çikin, nuk prekin vetëm. Nuk i afrohen sipërfaqes vetëm, për t’ a relevuar me një ngjyrë të lehtë, me një efekt pamjeje të çasit. Nuk përdorin frymën, as humorin, as ironinë ose sarkazmin e tharbët, të shkurtër, të një lloji letrar me qëllim dhe ekspresivitet të përcipshëm siç janë skicat nga natura e tyre. Nuk mbajnë, me fjalë të tjera, distancën subiektive të autorit kundrejt motivit që trajtojnë. Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Me-njëherë, ajo bashkëjeton me atë që na rrëfen. Nuk tall as nuk qesh përciptas, nuk vajton dyke spiritizuar. Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është d h e d e s t i n i i njeriut, veçanërisht i njeriut – g r u a. Gruaja e l a g j e s – e dyerve dhe e portave, vizitonjësja e vatrës dhe oborit, fjalamania tradicionale që përfaqëson tipin e përbashkët dhe të përditshëm të intrigonjëses, të intrigantes, të asaj që bën intriga, që fut fitila, që shtje spica, që shan dhe heth në sherr dhe shtyn në ndarje – kjo: m ë h a l l a x h e s h a shqiptare e pavdekur për gjithë herën dhe për gjithë kohën, përbën fondin e inspirimit të librës S i ç m ë t h o t ë n ë n u a p l a k ë. Epigon Mefistofeli femëror, Meduzë me gjarpërinjtë gati, ajo e ka për gjaku, prandaj di dhe përmbush mirë mjeshtërinë e saj. Ç’ bën ajo? – Atë që pat bërë, atë që do të bëjë: Fut fite andej, fut fite këndej, bjer e shpjer fjalë. Nga ato zënkat, zëniet, zihjet që përsëriten gjithnjë: Nga to e ma ta to, siç e ka fiksuar mirë me shprehjen e përshtatur zonjusha Musine Kokalari.
Dhe të gjitha këto në një stil origjinal, në një stil të saj, të çfaqur për së pari me kaq përmbledhje në letrat t’ ona. Cilësija e tij është natura e tij. Dyke trajtuar një motiv çkëlqimërisht popullor, ay mban, përmban me paramendim, me paravendim, këtë karakter që është karakteri primordial i vet: popullorësija. Sikundër janë marë, desha të them janë rrëmbyer, nga zemra popullore motivet e këtyre skicave kaq të hijshme, ashtu është marë dhe rrëmbyer nga goja popullore fjala që i vesh, robja e paraqitjes së tyre përpara lëçitësit. Vetëm origjinalitet, vetëm popullorësi. Janë fjalë ekspresive, fjalë të urta, proverbe të vendosura, shprehje popullore, mënyra thënieje dhe foljeje, përgëzime, përvajtime, mallkime, urime, gjithë një thesar frazeologjije së gjallë, të marë drejt për drejt, si të këputur, si të çkëputur nga fryma dhe kraharori i atij që flet dhe të cilat përbëjnë kësisoj gjuhën dhe stilin e Kokalares. Një përshkrim i gjallë, realist, dhe një rrëfim i freskët, plot ngjyrë, plot shije, i nxjerë krejt dhe befas nga momenti natural i burimit të tij: “Në këtë kohë dolli te porta teto Shekua, plakë cite mënt, e urtë që nuk ka shoqe, q’e dëgjojnë të mëdhenj e të vegjël: ju preftë Zoti ditën! si s’keni turp fare nga bota! moj nuk shikoni se si janë mbledhur dhe ju dëgjojnë se ç’thoni” (P ë r m u s t a q e t e Ç e l o s, f. 15). Më duket akoma në si , sikur e gjej përpara të shkretën plakë; dhe kur e pyetja se ku vente: ja, thoshte, vete një çikë tek Mukadesi, se kam ditë pa parë, i shpie dhe një çikë gjë se s’ na zihet t’ a hamë vetë si mua ashtu dhe plakut; me zi e kemi, atë vështrojmë në si” (B u r r i s h o k u i q e n i t, f. 19). Ajo moj Aishe, ajo që s’ t’ a zë sinë . Është thingjill i mbuluar, mësallë me di faqe, shpon ndënë dhè. Pa… pa, s’ ke parë bushtër si ajo, nuk ka shoqe. Moj të keqen, se ku i gjen gjithë ato rena nuk di, pastaj se si i ndreq e i thotë… aqë të bën t’ i besoç një-me-një. Gjë s’ lë pa trazuar, vënd s’ lë pa futur turitë. Dal, kthehem në darkë- na! Kështu e gjej sepetin [të trazuar]. S’ lë haps e buqice pa ndrequr. Në të mbaruar e sipër më heth një herë sitë , si e ka zakon, dhe më thotë: ej, hë! m’ i vure dorë djalit sot? u bëre dhe ti të na kreç inatet kështu? e di ç’ të bëj? që të këput kokën- trak, si të pulës! që të marr shpirtin të gjallë! që të marr frimën mu atje ku je! (Ë s h t ë e t h e l l ë, f. 26, 29). “Ç’ e do, kush m’ a prishi punën e vajzës s’ ime mos pastë h a i r në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë (P a ç f a t i n e s ë l i g a v e t, f. 26). Ç’e do, kush ma prishi punën e vajzës s’ime mos pastë hair në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë (U d h ë n e m b a r ë p a s t ë, f. 45).
Ç’duhet përfunduar prej kësaj veprëze pa pretendime, prej kësaj prove shkrimi femëror shqiptar? Art domethënë realizim dhe ne nxjerim përfundimin e realizimeve të shkrimtares. Dyke lënë mënjanë të metat, pa rëndësi, të limosjes së gjuhës dhe të frazës, të cilat ajo, si k l a s i k e që janë, i pat lënë njëherë e përgjithnjë në k l a s ë n e shkollës, ne i falemi nderit me gjith zemër për paraqitjen letrare të këtyre subiekteve të neveritura, veçanërisht për stilin e ri, substancial, që i-u ka përshtatur me aq vërrejtje shpirtërore dhe që është në gjithë kuptimin e fjalës shënja e një talenti të pamohuarshëm. Vazhdimi në këtë drejtim duhet të na japë masën e përsosjes së saj.