Shqipja sot me Kadarenë është gjuhë botërore e letërsisë artistike
Ismail Kadare
Shkrimtarët nuk e pasurojnë gjuhën thjesht duke sjellë disa fjalë e shprehje të reja, të cilat i gjurmojnë me zell hulumtuesit gjuhësorë. Shkrimtarët pasurojnë përgjithësisht horizontin e një gjuhe, e bëjnë të përjetojë përvoja të reja të panjohura më parë. Janë ata që e përshkojnë ligjërimin nëpër botëvështrimin artistik iluminist ose romantik, sentimentalist ose natyralist, simbolist ose surrealist, klasicist ose abstrakt. Dhe atëhere jo vetëm horizonti zgjerohet, por edhe dëshmohet se ai ka aftësi të pakufizuar për krijim, për përtëritje, për organizime dhe përftesa të pajetuara më parë.
Edhe vepra e Kadaresë me aq vëllime sa nuk i ka arritur asnjë shkrimtar yni më parë, nuk ka veç disa fjalë të reja, por është e tëra një neologji, një fjalë e re në letërsinë shqipe. Organizimet e paprovuara më parë të tekstit letrar shqip, rindërtimi i ligjëratave historike, etnografike dhe sociale, mimetizimi i gjendjeve psikologjike dhe emocionale të brendshme, deri te shkërbimi sarkastik i disa gjuhëve të huaja, bashkë me përftesat leksikore e kuptimore te Kadareja jo vetëm e kanë pasuruar shqipen, por edhe e kanë tejkaluar në mënyrë të pashembullt lëvrimin e saj artistik të mëparshëm. Ai ka shkelur shtigje të paeksploruara, në të cilat tashti po ecin edhe të tjerë letrarë.
Pas Kadaresë gjuha e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshme; është mbushur me një ligjërim tjetër. Ai e bëri atë jo thjesht më të pasur, por edhe më të lirë, më të bukur, më artistike, më të zhdërvjellët, më shprehëse, më intriguese, më tronditëse.
Shqipja sot është një gjuhë botërore e letërsisë artistike. Këtë e bëri Ismaili.
Me prozën e tij u pasuruan format e rrëfimit letrar, që perceptohen si novatorizëm edhe kur librat e tij përkthehen në gjuhë të tjera.
Ismail Kadareja është çliruesi i shqipes letrare. Me drojë ishin përpjekur ta bënin këtë edhe shkrimtarët e tjerë shqiptarë. Sepse po e përsëris, që letrari i vërtetë sjell kurdoherë një përpjekje vetjake të çmuar; mjafton të përmend këtu Lasgush Poradecin, që e cenoi ngurtësinë e formave dhe të normave, ose Migjenin, me të cilin e lidhim vargun e lirë dhe prozën poetike. Ndërkaq, Ismaili na e solli shqipen në një gjendje të re dhe tashti secili mund të bëjë diçka të vetën në një hapësirë më të larme, por edhe cilësisht më të zgjeruar.
Ismail Kadareja si artist i fjalës ka rrokur nga shqipja frymën e saj si fjalë artistike. Prandaj atë nuk e kanë penguar diskutimet e pafrytshme rreth dialekteve, por me shije e në përputhje me pamjet njerëzore të mishëruara në shkrimet e veta, ka thëthirë gjithçka tërheqëse, përshtypjelënëse, të dobishme nga të folmet e shqipes në përpunimin e tyre për gjuhën e shkruar, ndërkohë që askush nuk mund të ankohet se nuk e rrok mirë shqipen e tij të gdhendur si në shkëmb. Më lejoni të përmend vetëm dy-tre vargje të tij: Ca pika shiu ranë mbi qelq,/Për ty unë befas ndjeva mall; Ato të urtat gjer në dhembje,/Të thjeshtat gjer në madhështi; Nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë…
Krahas temës “Gjuha e Ismailit” qëndron edhe një temë tjetër: “Ismaili për gjuhën”. Ai e ka pasur kurdoherë bindjen, që shqipja është një mjet i shumëfrytshëm për krijimtarinë e tij, se ajo ia ka plotësuar kërkesat e krijimit artistik dhe sidomos nuk ia pranguar kërkimet e hapjet e mëpërtejshme. Në një bisedë mjaft vjet më parë ai ma ka thënë thjesht: “Nuk kam asnjë vështirësi me shqipen, ajo më shërben siç më nevojitet dhe shkruaj si më pëlqen, pa ndier ndonjë pengesë”.
Këtë mendim e ka përsëritur me raste të tjera, prandaj më lejoni t’ju sjell disa radhë nga “Tragjeditë e Eskilit”, botuar më 1986:
Përsa i përket gjuhës sonë shqipe, mund të pohojmë jashtë çdo mburrjeje nacionaliste, se për arsye të cilësive të saj, të strukturës së brendshme, të elasticitetit të sintaksës, të aftësisë për formime kompozitash, të pasurisë së nyjave, parafjalëve e prapashtesave, që janë kanxhat që sigurojnë lidhjen e fjalëve, të cilësisë së saj si një gjuhë e hapur ndaj metaforave (njihen shumë gjuhë me hapje të zorshme), si dhe për vetë faktin e përpunimit të saj të gjatë nga një kulturë mijëvjeçare, trysnia e vazhdueshme e së cilës e ka stërholluar gjithë mekanizmin e saj, kjo gjuhë i ka të gjitha mundësitë për të dhënë çdo kryevepër të letrave.
Mbrojtjen e shqipes standarde mes të tjerash ai e ka përligjur me argumentin, se rrëzimi i tij do ta kthente prapa Shqipërinë në të vetmin vend në Europë pa një standard gjuhësor. Për më tepër, veprimtarinë çmitizuese kundër shqipes standarde ai e ka lidhur drejtpërdrejt me çmitizimin e Skënderbeut. Kjo lidhje ndërmjet Skënderbeut dhe gjuhës shqipe përgjithësisht nuk është një përfytyrim romantik. Skënderbeu ka qenë i pari udhëheqës i këtyre trojeve, i cili i përshkoi ato kryq e tërthor nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke qenë vetë nga qendra e tyre. Kështu u mbrujt një vetëdijësim i ri për identitetin e tyre, një ndërgjegje e cila i bëri që mbi emërtimet e mëparshme të nxirrnin një emërtim të ri, një emërtim të vetëm të përbashkët: ne jemi shqiptarë.Dhe ne jemi edhe sot shqiptarë, domethënë ata që flasin shqip, sepse kemi këtë vetëdijësim identiteti, që na e mbrujti epoka e Skënderbeut. Ndryshe nga mjaft raste të tjera, kur emërtimi i gjuhës ka ardhur nga emërtimi i vendit ose i popullit, te ne është gjuha që i ka dhënë emërtimin atdheut dhe popullit të tij. Tipari parësor dhe thelbësor i këtij identiteti është gjuha shqipe. Ismail Kadareja na ushqen me këtë vetëdijësim nëpërmjet fuqisë mahnitëse të gjuhës artistike, nëpërmjet shkëlqimit të bukurisë së saj me një risi të pashuar.
Ka pasur një teori të përhapur 70-80 vjet më parë, se gjuhën shqipe kombëtare do ta krijonte një shkrimtar gjenial shqiptar, duke bërë paralelizëm, për shembull, me Danten për italishten. Pa hyrë tashti në hollësirat pedante të argumentimeve gjuhësore, më lejoni ta mbyll me këtë pohim:
Edhe në rast se e kemi kërkuar shkrimtarin gjenial, ja ku e kemi: Ismail Kadarenë. Ja ku e kemi edhe gjuhën me të cilën ka shkruar, edhe gjuhën për të cilën ka shkruar. Ky princ i letërsisë shqiptare është edhe princ i gjuhës shqipe.