Keqkuptimet e futbollistëve nuk duhet të nxitin fushata kundër tyre
Mos prisni nga futbollistët që janë të rinj, nuk janë ekspertë komunikimi, kryevepra të qartësisë retorike. Ata prodhojnë keqkuptime që krijojnë klike dhe audiencë, por nuk duhet tepruar.
Ditët e fundit bota mediatike shqiptare është marrë pak si shumë me futbollistët. Një video e publikuar e bisedës së lirë mes disa lojtarëve të Kombëtares dhe një imami, ashtu si dhe çështja Xhaka pas ndeshjes me Italinë në Palermo, kanë qenë në qendër të këtij cikloni mediatik. Futbolli, Kombëtarja janë shumë të dashur ndaj kjo temë është qendrore. Ajo krijon klike, ajo krijon audiencë.
Por duhet kujdes. Nuk duhet të fajësohen futbollistët, për gjithçka ndodh. Kjo vlen si për videon me imamin, ashtu dhe për deklaratën e Taulant Xhakës që ai nuk e përgënjeshtroi. Futbollistët nuk janë ekspertë të komunikimit. Ata nuk kalojnë shumë kohë duke ndjekur mediat. As duke lexuar libra pafund. Me fjalët e tyre, rreth tyre, krijohen keqkuptime që mediat i amplifikojnë për të prodhuar lajme meqë ata janë të famshëm. Dhe kështu në kurriz të tyre krijohen probleme.
Në rastin e parë, videon me imamin Kalaja, futbollistët kanë qenë në kohë të lirë. Mos prisni prej tyre që ata të kenë kujdes për keqkuptimet që mund të krijohen. Ata nuk janë politikanë, nuk janë opinionbërës, megjithëse bëjnë opinion dhe krijojnë bindje publike, modele shoqërore. Ata nuk e vrasin mendjen madje për të bërë ndonjë rol të tillë. As ne nuk duhet të presim që ata të marrin spaleta të tjera nga ato të futbollistëve. Ne e dimë se futbollistët e mirë janë dhe të mençur, por ne nuk presim që ata të jenë dhe intelektualë, apo njerëz librash. Nëse janë edhe të tillë, do të ishte mirë, por kjo nuk është e mundur gjithnjë.
Parë kështu, video ka krijuar keqkuptime, por keqkuptimet janë dhe duhet të jenë të falshme. Vijnë prej futbollistëve që janë figura të dashura për popullin. Ndaj nuk duhet egërsi ndaj tyre.
Me keqkuptime kemi të bëjmë dhe në rastin e Xhakës. Keqkuptimet në deklarata krijohen shpesh në botën e futbollit, pse sot futbollistët nuk e çajnë kokën të jenë shumë të qartë në atë që thonë, por dhe nuk ndjekin mediat njëjtë si të tjerët. As të përgënjeshtrojnë. Ajo çka është e vërtetë në rastin e Xhakës përshembull është dhembja që ai ka provuar kur nuk ka mundur të luajë në ndeshjen me Italinë dhe fakti se sipas tij, trajneri nuk i ka dhënë asnjë shpjegim. Pjesa tjetër e fjalive të tij në një sms për të sqaruar çështjen për mediat, është tregues i qartë për keqkuptimet që mund të krijohen në raste të tilla. Xhaka me siguri nuk e ka kuptuar se çfarë ka dashur të thotë De Biasi me pohimin se « ai ishte larguar nga Kombëtarja se kishte probleme ». Kjo fjali për këdo që merret me media, ngjan se është fjali për të minimizuar problemin, por për Xhakën e lënduar nuk është ashtu. As mos prisni që ai të ketë ndjekur çdo emision lajmesh, apo çdo portal ta dëgjojë vetë sesi e ka thënë trajneri i tij De Biasi.
Dhe në pjesën tjetër të sms-së së Xhakës ku thuhet se « mua më dhimbset Shqipëria, ndërsa trajnerit i dhimbsen paratë », në kuptimin pozitiv, fjalia duhet kuptuar se De Biasi nuk është shqiptar dhe mendon për rrogën e tij. Ku është gabimi i Xhakës ? Sms-të nuk janë forma më perfekte e komunikimit. Aq më tepër për të shprehur mendime komplekse nga ana e një futbollisti. Kur ai është lindur dhe rritur në Zvicër, atëherë mos prit që të ketë qartësinë maksimale. Kur mendon dhe shkallën e lëndimit që ai ka provuar nga përjashtimi prej një ndeshje të rëndësishme në një vitrinë të futbollit botëror, atëherë gjithçka është e kuptueshme.
Cila është rruga që prej këtyre keqkuptimeve, të mos krijohen fushata denigruese në kurriz të lojtarëve me një moshë fare të re ? Duhet më shumë mirëkuptim, duhet më shumë dashuri për këta të rinj që e duan shumë ngjyrën e flamurit.