Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea, ose Dora e bukur e teatrit

E veshur me fundin e gjatë, këmishën e mbyllur deri në fyt, ajo ishte shëndrruar e gjitha në Dorën, gruan që Peter Shaffer e hodhi në letër më vitin 1973, pa e ditur që ajo do të kthehej në një personazh që prej 40 vitesh do të endet teatrove të njohura të botës. Dino Mustafic regjisori boshnjak, e gjeti menjëherë fytyrën e saj në fytyrën e Ema Andreas, aktores shqiptare me të cilën kishte bashkëpunuar më parë në Beograd. Në audicionet që zhvilloi në verën e këtij viti, në skenën e Teatrit Kombëtar për shfaqjen “Equus”, ai nuk pati mëdyshjen se Dora nuk mund të ishte tjetër aktore veç Ema Andreas. Ajo kishte shkëlqimin e saj në fytyrë, dhe shqetësimin e përhershëm të një nëne për fëmijën që i dallohej lehtë në duar. Që në provën e parë Mustafic do ta shënonte emrin e aktores Andrea si bashkëpunëtoren e tij, në veprën që do ta bënte të udhëtonte shpesh drejt Tiranës, për ta sjellë premierë vetëm pak javë më parë në skenën e Teatrit Kombëtar. “Equus” një prej veprave dramatike, e quajtur sfidë për çdo teatër dhe më e komentuara nga kritika do të vinte për herë të parë në skenën shqiptare, me një kast aktorësh të zgjedhur potentë, duke thyer jo vetëm mentalitete (me zhveshjen nudo të djaloshit Alan (Igli Zarka), por duke se teatri do vijojë të mbetet forma më e mirë e emancipimit të shoqërisë. Por le të ndalemi tek Ema Andrea, aktoren që jemi mësuar ta shohim dhe në disiplina të tjera arti këto vite, siç kanë qënë angazhimet e saj në fushën e artit pamor.

E shëndrruar e tëra në Dorën, gruan e dëshpëruar me shpresën për të kuptuar atë çfarë e kishte bërë të birin të shkonte drejt një veprimi fatal, Ema Andrea arriti të ndërthurte përvojën me teatrin, duke sjellë futur në shfaqje disa elementë të artit bashkëkohor, bazuar mbi lëvizjen dhe gjuhën e trupit.
Ajo ishte Dora më e bukur e Peter Shaffer, që një regjisor ka ngjizur ndonjëherë në teatër, dhe kjo falë aftësisë për të bërë bashkë pasionin për teatrin, dhe të dashurit e trupit tënd si grua. Një karakter i vështirë i cili mbart dhe një prej boshteve të kësaj vepre, mbi orientimet që besimet i japin jetëve tona. Dora, është një besimtare e devotshme, e cila e sheh fenë si një përmirësim të jetës së brendshme dhe të jashtme të njeriut, dhe ashtu me besimin e saj të patundur ajo vjen tek publiku si një karakter, që e bën atë të fundit, të ngrejë pikëpyetje mbi ndikimin që feja ka në jetën tonë.
Produkt i një jete konservatore ajo ishte martuar me të shoqin Frank Strang (i cili interpretohej nga Arben Derhemi), duke bërë atë jetën e zakonshme të një gruaje që sheh vetëm një burrë.
Dhe pse “Equus” të bën të ndalosh më gjatë tek personazhet kryesorë të kësaj vepre siç janë djaloshi Alan dhe psikologu (interpretuar nga Timo Floko), Andrea arriti të bënte që publiku ta lidhte këtë vepër me emrin e saj.
“Një aktore e mrekullueshme, me të cilin pata fatin të punoj” do të shprehej regjisori Dino Mustafic, pas premierës së parë të kësaj vepre. Me biblën që mban në duar, dhe teksa kërkon të gjejë arsyet e një veprimi fatal, Dora Strang, nëna e Alan Strang është një personazh po aq i fortë sa i biri, duke treguar se është në dorën e një aktorit ta zhvendosë një personazh në qendër.
Dora, gruaja e thjeshtë, e gatshme të bëjë gjithçka, si një nënë për fëmijën e saj, e riktheu Andrean në një tjetër dimension, duke i treguar në një farë mënyre se teatri është rruga e duhur e saj…

Please follow and like us: